Pesë kompani kanë shfaqur interes për të marrë përsipër operimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë. Ministria e Transporteve, që kishte lënë si afat të fundit datën 27 shkurt për shprehje interesi paraprak, dje gjatë një konference për shtyp dha edhe detajet. Ernest Noka, kreu i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, tha se procedura e djeshme është pjesë e fazës së parë të tenderit për koncesionin e Milot-Morinë dhe se gjatë kësaj faze do të vlerësohen ofertat teknike dhe ligjore të kompanive që morën pjesë në të. Kompanitë që kanë shprehur interes janë përgjithësisht bashkime kompanish “joint venture”, disa prej tyre të njohura në BE dhe në vendin tonë për shkak të punëve që mund të kenë kryer apo që vazhdojnë të kryejnë. Specialistëve të Ministrisë do t’u duhet që përgjatë një muaji të shqyrtojnë dokumentacionin tekniko-ligjor të paraqitur nga kompanitë për të parë përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Ministra. Kjo fazë pritet të përfundojë më datë 23 mars dhe pas kësaj date do të vijojë faza e dytë e tenderit. “Komisioni i Vlerësimit do të përfundojë vlerësimin e ofertave të paraqitura brenda datës 23 mars 2012, datë pas së cilës do të dorëzohen dhe shqyrtohen ofertat ekonomike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Transporteve. Po kështu, Ministria vlerëson se koncesioni i Milot-Morinë do të përdoret si model për koncesionin e autostradave të tjera të vendit.
2 milionë euro në vit i kushton buxhetit të shtetit mirëmbajtja e tunelit të Thirrës në autostradën Durrës-Kukës, dhe po 2 milionë euro i kushton buxhetit mirëmbajtja e pjesës tjetër të rrugës.
© Panorama.alSubjektet ofertuese
. STRABAG & INTERTOLL CONSORTIUM;. J&P-AVAX & EGIS CONSORTIUM;
. HOCHTIEF PPP SOLUTIONS GMBH;
. AUTOSTRADA BRESCIA- VERONA-VICENZA- PADOVA SPA;
. VINCI CONCESSIONS SAS – AKTOR CONSESSIONS SP











