
Flakët shkatërrojnë Konviktin e vajzave të Medresesë së Shkodrës, si dhe dy banesa. Një rrufe e rënë në rrjetin elektrik të ndërtesës mendohet të ketë provokuar dhe zjarrin.Vetëm pas 2 orësh ndërhyrje të zjarrfikësve, forcave të rendit dhe vetë banorëve është bërë e mundur shuarja e flakëve. Megjithatë, edhe më pas ka pasur flakë të pjesshme brenda zonës së dëmtuar. Dëmet materiale mendohet të jenë shumë të mëdha, pasi flakët kanë shkatërruar plotësisht banesën, ndërkohë që fatmirësisht dëme në njerëz nuk ka pasur. Banorët kanë shpëtuar për mrekulli, pasi janë ndihmuar edhe nga komshinjtë e tyre që të dalin me të shpejtë. E gjithë ngjarja është shoqëruar me shumë panik nga banorët e zonës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 16:30, kur në qytet nisi një furtunë me shi, vetëtimë e bubullima. Fillimisht, flakët janë vënë re në pjesën e ndërtesës ku ishte vendosur konvikti i vajzave të Medresesë. Dëshmitarët e ngjarjes tregojnë se flakët janë përhapur me shpejtësi të madhe në të gjithë ndërtesën. “Unë fillimisht kam dëgjuar një zhurmë të fortë, sikur u shemb diçka. Meqë moti në atë moment ishte shumë i keq, mendova se ishte ndonjë bubullimë e fortë. Por, nuk kanë kaluar as dy minuta, kur nga dritarja e konviktit të vajzave pashë që të dilnin flakët”, tregon një nga banorët e zonës. Ai vazhdon të tregojë se ka dalë jashtë me të shpejtë, duke kërkuar ndihmë dhe duke bërtitur se ka rënë zjarr tek Medreseja. Me të shpejtë janë nxjerrë personat që ndodheshin në ndërtesë. Në konvikt ishin vetëm tri vajza. Me sa duket, ky numër i vogël i nxënësve konviktorë në kohën kur ra zjarri, shpjegohet me faktin se zjarri ra në ditë pushimi dhe nxënëset kishin shkuar pranë familjeve të tyre. Të pranishëm në vendin e rënies së zjarrit ishin dhe drejtues të Medresesë së Shkodrës. Ndërtesa ku ka rënë zjarri, në lagjen Perash të Shkodrës, njihet si shtëpia e Boriçëve, një nga shtëpitë qindravjeçare të Shkodrës. Menjëherë është ngritur grupi i ekspertëve, për të saktësuar shkakun e rënies së zjarrit. Ende nuk ka dalë zyrtarisht përfundimi i hetimeve, megjithatë burime të sigurta nga grupi hetimor bëjnë të ditur se shkak për rënien e zjarrit është shkarkesa atmosferike në rrjetin elektrik të banesës.
SHKODER/ RITVAN DIBRA











