Rrufe në avionin e Holande, vonohet takimi me Merkel

May 16, 2012 | 15:07

Holande në makinën franceze Citroen, gjatë paradës pas inaugurimit

Presidenti i ri francez u betua dje në Elize, mesazhe kancelares gjermane.

Merkel: Goditja, ogur i mirë për marrëdhënien tonë.

Udhëtimi i Fransua Holande për në Gjermani, ku zhvilloi bisedime mjaft të rëndësishme me kancelaren Angela Merkel, nisi në mënyrën më të keqe të mundshme. Avioni i tij bëri një kthim të detyrueshëm në Paris, pasi u godit nga rrufeja. Holande, i cili dje në mëngjes u betua si President i Francës, ishte nisur nga kryeqyteti me një tjetër avion. Vonesa e tij në takim ishte rreth 75 minuta, sipas mediave franceze. Socialisti Holande ka pikëpamje të kundërta me kancelaren Merkel, për sa u përket masave të kursimit në Europë. Ky udhëtim shihet si një përpjekje për të zbutur ndryshimet mes tyre, si liderët e dy ekonomive më të mëdha në eurozonë. Holande, 57 vjeç, mori zyrtarisht detyrën nga Nikolas Sarkozi në një ceremoni inaugurimi relativisht pa shpenzime në Pallatin Elize. Menjëherë Holande i dërgoi një mesazh të fortë kancelares gjermane, me të cilën u takua pasdite në Berlin. Ai kërkon rinegocim të paktit fiskal që ruan disiplinën buxhetore në eurozonë, që ai të përfshijë edhe një kapitull mbi rritjen ekonomike. Gjatë konferencës, fjala e Merkel nisi me sugjerimin se goditja nga rrufeja ishte një ogur i mirë për të ardhmen e marrëdhënies mes tyre. “Ne kemi një axhendë shumë intensive për sa u përket çështjeve europiane”, tha ajo. “Ne dëshirojmë ta kemi Greqinë brenda eurozonës dhe ne e dimë se shumica e popullit grek është dakord me ne”, shtoi Merkel. Të dy liderët folën mbi mundësitë e tyre për të ndihmuar Greqinë për sa i përket “strukturës”. Ndërsa Holande foli mbi rëndësinë e një “balance” në marrëdhënien mes Francës dhe Gjermanisë. Ai mbështeti deklaratën e Merkel, për dëshirën që Greqia të qëndrojë në eurozonë. “Ne duhet t’i lejojmë grekët që të gjejnë zgjidhje”, tha Holande, duke shtuar se ai shpreson që grekët ta shprehin dëshirën për të qëndruar në eurozonë në zgjedhjet e 17 qershorit. Holande tha se dëshiron të shohë përpjekje konkrete për zhvillimin ekonomik në eurozonë, jo thjesht fjalë. “Një sërë opsionesh duhet të vendosen në tryezë, përfshirë eurobonot”, tha Presidenti francez duke iu referuar opsionit të refuzuar nga Merkel si një mjet i mundshëm për të sjellë eurozonën në kontroll. Holande nuk iu përgjigj qartë gazetarëve në pyetjen se çfarë do të kërkonte ai me ngulm, por tha se ai i ka premtuar popullit francez se do ta rinegociojë   paktin fiskal. Merkel theksoi se euro nuk është thjesht një monedhë, por një “projekt politik” dhe europianët kanë pasur benefite prej saj, sepse njerëzit në kontinent kanë të njëjtat vlera: lirinë e fjalës, lirinë dhe demokracinë”. Holande theksoi nevojën për krijimin e politikave të rritjes ekonomike.

“Falcon 7X”
Avioni presidencial “Falcon 7X” u godit nga rrufeja menjëherë pasi u nis të martën nga Parisi për në Berlin. Zakonisht avionët janë të mbrojtur nga goditjet e rrufeve, sepse janë të mbuluar me shtresa alumini dhe forma e tyre e kalon elektricitetin pa probleme. Rasti më i keq i goditjes nga rrufeja është kur preken pjesë të motorit apo serbatori i karburantit, që mund të rrëzojnë avionin. Rasti i fundit i rrëzimit të një avioni ka ndodhur në vitin 1967, kur rrufeja preku serbatorin i cili shpërtheu.

Kryeministri
Kryeministri i ri i Francës është Zhan Mark Ayrault. Ai u emërua dje nga Presidenti Holande, pas ceremonisë së tij të inaugurimit. Ayrault, 62 vjeç, folës i gjermanishtes (me mision kryesor diskutimin me palën gjermane për paktin fiskal), është kreu i grupit socialist që prej Asamblesë Kombëtare të vitit 1997. Ai është djalë i një punëtori dhe një rrobaqepëseje, ka qenë kryebashkiak i Nantës që prej vitit 1989 dhe është i martuar, me dy fëmijë.

© Panorama.al

Te lidhura