PJESA E DYTË
UVIL ZAJMI
Cila ishte jehona, ndikimi viteve ’70 në Shqipëri? Çfarë përfaqësojnë ato për atë brez vital me plot dëshira, pasione, shpresë për një të ardhme ndryshe, për një transformim social radikal, në jetën shoqërore, atë familjare, në shkollë, punë, ndërmarrje, kudo në të përditshmen e shqiptarëve?
Veçanërisht për atë kryeqytetas, të rinj për preferencat, tendencat pro perëndimore, me një filozofi mentalitet të ri, si djem të diplomuar, modernë në sjellje, marrëdhënie, qëndrime, me një informacion bashkëkohor, admirues të një stili të ngjashëm si ajo e aktorëve Stiv Mk Kuin, Marlond, Brando, Alen Delon, Stive Rives, filmave Western të Klint Istvud. Krijuesit, e të famshmit Broduei të Tiranës, atë të viteve 70- të, nga frekuentimi, pasionet pantallonat blu xhinset, motorët, simpatitë, histori dashurie të bujshme, të ngjashme me të aktorëve, të botës së artit, spektaklit, deri ato hollivudianë. Unë, brezi im, rininë tonë e kemi kaluar duke tentuar edhe t’i imitonim. Njohjen, miqësinë me ta në Broduein që edhe sot çdo detaj, element i atij segmenti, ndonëse tërësisht e transformuar, më rikthen tek një nostalgji që nuk ka kohë, formë e limite, ndonëse tërësisht e transformuar, por një emocion i ka mbetur.
Bashkë me personazhet, që më parakalojnë në memorje, si atëherë kur i shihje tek qëndronin mbrëmjeve tek ajo rrugë të ngushtë, Rruga e Dibrës siç edhe njihej. Beb Daliu, Tim Xhilaga dhe Ylli Kokushta, një takim, qëndrim për disa orë me tre ish-broduistët e njohur, ishte tejet i veçantë. Nuk kanë ndryshuar aspak, të mbajtur, të pashëm, me një kujtesë brilante dhe plot humor. Veçanërisht kur biseda përqendrohet te Tirana e viteve ‘70, si e përjetonin kryeqytetasit atë periudhë, me shpresën e madhe për hapje. Më shumë se ata të tre askush tjetër nuk mund të flasë, si protagonistë absolutë të mondanitetit të saj. (Intervistën, dëshiroj ta botoj ashtu si edhe e realizova. Ndonëse, pak kohë më vonë, ishte një moment kur Tim Xhilaga më njoftoi: “Bebi është shumë rëndë”. Dhe nuk zgjati shumë, as dy-tre ditë, ai ndërroi jetë).
Ylli Kokushta: “Rai, ishte një dritare informacioni”
Ata kanë qenë tre broduistë të njohur, me të veçantën, që i bashkonte dhe emri: Ylli! Ylli Kokushta, Ylli Bike dhe Ylli Paze. Djem, që bënin diferencën, edhe për këtë detaj. Gjithmonë bashkë, vërtet, për t’u admiruar. Në veshje, qëndrim, biseda, të pashëm, tërhiqnin vëmendjen, si një treshe që tërhiqte vëmendjen, kështu janë njohur, kujtohen. “Kemi qenë shumë shokë, miq të mirë, bashkë, kudo, në Broduei, në plazh, të pandarë. Me ne qëndronin edhe Fred Rroku, Lad Dalta”- shprehet Ylli. Të tjerë djem broduistë që Kokushta, tejet fisnik, kur flet, shprehet ashtu i qetë, ka kënaqësinë t’i kujtojë. Në veçanti Ylli Biken, ndonëse i ri në moshë është ndarë nga jeta.
Z. Kokushta, i jemi rikthyer viteve ’70-të, çfarë kujtoni?
Vitet 70, i kujtoj mirë. Veçanërisht Tiranën, që shoqërohet nga një jetë aktive, në kërkim të një ndryshimi të madh të sistemit, kjo e reflektuar tek djem me një mentalitet të avancuar, njohës, të jetës mondane, pasionantë të muzikës, filmave, aktorëve, këngëtarëve. Por, edhe nga studentët e kthyer nga universitet e shteteve lindore, që reflektojnë tjetër mentalitet.
Flitet shumë për një rrugë, që u njoh dhe morri emrin Broduei, pse?
Është rruga simbol e atyre viteve për pasionin që përcillte tek ato breza, nga grupe të rinjsh, djem e vajza, gjimnaziste, studentë. Si një vend referimi, për veshjen, modën, shijet, bisedat, përzgjedhja, qëndrimi në Broduein e Tiranës, ishte unikal, për çfarë transmetonte. Aty shihje intelektualë, artistë, sportistë, shkrimtarë, kompozitorë, valltarë, aktorë, humoristë, skenaristë, që për një çast do t’i gjeje edhe ata si broduistë në atë segment të vogël, poshtë një peme, por plot jetë, gjallëri. Gavrosh Lëvonja ishte një ndër frekuentuesit e saj, apo Pirro Koleka, edhe ky basketbollist, në një moment u shfaq me një frak e bastun aty.
Një Shqipëri jo shumë e hapur, si merrej ngacmimi?
Të provokuar nga radioja, televizioni, si të vetmet mjete komunikimi me botën. Sidomos televizioni italian Rai, programet e tij, kanë pasur një ndikim shumë të madh, e në mjaft drejtime për atë brez. Filmat, gjithashtu, ato që shfaqeshin në kinema ishin një tjetër mënyrë për të qenë afër Perëndimit. Edhe librat, deri ato të “verdhë” që lexoheshin në fshehtësi. Këngët e grupeve angleze, amerikane, nga Beatles, te Rolinstones, nga Celentano te Litell Toni, Batistis etj. Futja e gjuhës angleze në shkolla ishte një mundësi më shumë, me të cilën komunikonte e gjithë bota.
Moda, si e kujton?
Niste me veshjen, pantallonat, golfat akrelikë, këmishët, një pardesy, xhakavento, që konsideroheshin të preferuar. Pastaj lënia e flokëve, basetat e gjata. Qethja vetë, me shokë, në shtëpi dhe braktisja e berberëve u kthye në modë, ndonëse midis tyre kishte edhe nga ata që ishin tolerantë, modernë.
Sa aktive, ishte rinia e viteve 70-të?
Gjimnazet, gjimnazistët, e atyre viteve kanë qenë tejet të avancuar. Breza pasionantë, për gjithçka të re. Muzikë sport. Grupet e para muzikore, që ishin një risi e madhe, të krijuara pikërisht gjimnazistë. Interesant është fakti se edhe nga shteti, nuk kishte reagime, përkundrazi, ishin të preferuar, çka tregonte se një tjetër atmosferë përgatitej. I tillë ishte grupi muzikor i “Petro Ninit”, “Matura ’72″
Si ish-basketbollist, dy fjalë për sportin e viteve ’70-të?
Sporti në atë periudhë ka qenë i pranishëm, e ka shoqëruar fillimin e viteve ’70. Veçanërisht, në pallatin e sportit “Partizani”, ku nisi të krijohej një traditë, djem e-vajza, frekuentues, të përhershëm, bashkë me të afërm, familjarët e sportistëve. Për tifozerinë, ai mjedis sikur i ofronte më shumë liri, në qëndrime, komunikime, modë, njohje. Futbolli sigurisht më shumë, klubet italiane, inter Milan, Juventus dhe që ndeshjet e tyre, kampionati Italian i Serisë A, ndiqej, në Tv dhe radio.
Në atë periudhë ka një lëvizje politike që jep shpresë?
Ka qenë fillimi i viteve ’70, kur presidenti amerikan Nikson udhëton në Kinë, pritet nga Mao Ce Duni. Ishte një shkëndijë, që edhe Kina, po ndryshon, për t’ju larguar kampit socialist. Ishte një befasi për të gjithë botën. Ndërsa nga shteti shqiptar nuk pati asnjë reagim. Por, nga ai moment, edhe raportet me Kinën, patën tronditje, që sollën më pas edhe izolimin total që vijoi në vite.
Shprehja “Ok”, shumë e pranishme sot në bisedat tona?
Ajo që sot është normale në komunikimin e përditshëm, asokohe Ok-ie nuk njihej, përdorej. Vitet ’70 i kujtoj për shprehjen “Pardon”, e parë, dëgjuar në filmat francezë, në mjaft rastet, për t’u treguar i sjellshëm, modern, e që zotëroje një gjuhë të huaj.
Z. Kokushta, e kujtoni fundin e viteve ’70-të?
Nisi në fillim të 1973-shit, me goditjen e Festivalit të 11 të Këngës në Radio TV. Prezantuesit e saj Bujar Kapexhai, Edi Luarasi, regjisorët, këngët e këngëtarët. Po kështu shfaqja teatrale, “Njolla të murme”, ishin shkaku, përgatitën terrenin. Deri në qershor, në pleniumin e IV.
Daliu: Rrobat që m’i sillnin nga jashtë, i merrnin dhe i vishnin fëmijët e Bllokut
Djali simpatik i kryeqytetit, fisnik, me trupin e bukur, një ecje karakteristike, dhe me një emër të veçantë që tërhiqte vëmendjen. Me veshje moderne që bënte diferencë. “M’i dërgonin hallat nga Italia, por nuk m’i jepnin në doganë. I merrnin dhe i vishnin fëmijët e Bllokut”- shprehet Niko Beb Daliu. I diplomuar në Teknikumin e Fizkulturës, mësues i edukimit fizik, por shumë pak e ka ushtruar, pasi biografia do e ndjekë hap pas hapi. Nga punët e detyruara, pastaj transferimi në Peshkopi si mësues. Disa vite aty, pastaj kthimi në Tiranë. Gjithmonë si djalë i një brezi, që nuk shihej mirë nga sistemi, pasi i dinin preferencat, bindjet, pasionet pro-perëndimit.
Z. Daliu, vitet ’70, si e përjetonte brezi juaj, atë periudhë?
Fund vitet 1960 shoqërohen me bunkerizimin e vendit, kudo flitet për një popull në gatishmëri, me turne, sirena, alarme. Por, edhe plot shpresë. “Në Broduei, rrethe të ngushta miqësie diskutonim për situatën politike, atë ekonomike, çfarë ndodhte në Europë, botë. Me dëshirën, entuziazmin, se diçka po ndryshonte, kishte sinjale për hapje. Pas festivalit të 11-të, ka entuziazëm, pasi sporti, arti ishin ato që jepnin shenjën e parë. Kështu e përjetonim.
Çfarë përfaqësonte Broduei i Tiranës?
Një emër provokues, i pëlqyer, edhe kur e shqiptoje, të jepte tjetër ndjesi. “Takohemi në Broduei”. Mjafton kaq për ta kuptuar. Dalja aty, qëndrimi, lëvizja u kthye në një ritual, ku bashkoheshin të gjithë, pa moshë, dhe profesione. Një Tiranë me shkëlqim, entuziazëm, me një perceptim ndryshe, plot drita shprese. Çdo mbrëmja, sidomos në dimër kishte tjetër kënaqësi, errësohej shpejt, të gjithë prisnin me padurim të takoheshim në Broduei. Kujtoj Sajmir Kumbaron, Tit Sojlin, i paharruar.
Moda, sa dhe si ndiqej, në atë periudhë
Asnjëherë nuk ka munguar pasioni dhe dëshira për të ndjekur modën. Me kushtet dhe mundësitë që ishim. Të privilegjuar ishin ato familje që kishin një afërm jashtë, që i dërgonin veshje. Njiheshin, dalloheshin. Ose ata që dilnin jashtë shtetit me shërbime, sportistë, artistë që kishin mundësi të blinin, diçka ndryshe nga veshja e përditshme dhe masive. Sigurisht edhe fëmijët e Bllokut, të qeveritarëve.
Një djalë me trup të bukur?
Ka qenë një tjetër pasion për atë brez, ato vite. Imitohej aktori amerikan Stive Rives, filmat e tij që u shfaqën në atë kohë, në kinema dhe që ishin shumë të ndjekur. Djemtë e viteve ’70, admironin fizikun e bukur të tij. Apo të boksierit Kasius Klei. Në plazh, demonstrimi i një trupi të tillë kishte impakt të madh, i kthyer në një preferencë
Keni një pasion që ju ka ndjekur?
Bëhet fjalë për motorët. Jo vetëm unë, ishim disa të rinj që “konkurronim”. Tim Xhilaga, Tole Naci, por edhe Sënder Daku, Sal Zalta, që dalloheshin në Tiranë. Një ngacimin, e merrnim edhe nga filmat hollivudianë, që i shihnim në ato pak televizorë, vecanërisht me aktorin Stiv Mekkuin, protagonist gjithmonë me motorin e tij. Përdorja një “Java” dhe një i ri me motor, sikur të jepte më shumë liri, të bënte më të veçantë, më të njohur e publik.
Sa ndikonin filmat e huaj në jetën e shqiptarëve të viteve ’70?
Kishim një ndikim të madh, edhe këto si të vetmet dritare që mund të komunikonim me botën. Sigurisht ato që shfaqeshin, prodhime të kompanive filmike italo-franceze, ato amerikanë me aktorë shumë të njohur. I shihnim edhe me kënaqësinë, dëshirën për t’i imituar. Dy orë me Alen Delon, Brixhit Bardonë, Klaudia Kardinalen, etj..
Krejt papritur, gjithçka nis nga një plenum partie?
Ai ka qenë plenumi famëkeq, që shkatërroi çdo ëndërr. Nga shpresa për ndryshim në një rrënim të madh. Neni 55, “Agjitacion dhe propagandë”, kështu njihej, dhe që u kthye në kërcënim sistematik për të gjithë. Nxirrte kokë, në rastet kur dikush për bindje politike, tentativë arratisje, preferenca pro Perëndimit arrestohej, dënohej, burgosej me bujë, si një mënyrë për t’u bërë shembull.
Shpëtim Xhilaga: “Broduei, simbol i viteve ‘70″
Një tjetër Vip, personazh, i padiskutueshëm i asaj rrugë, rinisë së atyre viteve, kohës, viteve 70-të. Shumë modern, trup gjatë, elegant, sportist, çdo lëvizje e tij, krijonte një ngacmim, situatë ndryshe. Mbrëmjeve, ajo rrugë, do të kishte një mungesë, nëse nuk do shihje Xhilagën, gjithmonë me motorin e tij, një Moto Guzi, që tërhiqte vëmendje, kur do të ndalonte në Broduei. Erdhi Xhilaga flitej. Me profesion mësues i edukimit fizik, volejbollist i 17 Nëntorit, admirues, tifoz, dhe mik me futbollistët, sportistët e këtij klubi.
Flasim pak për vitet ‘70, cila ishte atmosfera në Tiranë, Shqipëri?
Pas Traktatit të Varshavës, ndarja me bllokun lindor, pati shpresë për afrim me perëndimin, ndonëse në Shqipërinë e atyre viteve po instalohej prania kineze, që nuk ishte në preferencat tona. Edhe pse në këtë atmosferë, kur “Punojmë, mbrojmë”, por edhe tentohet, kërkohet për diçka të re në jetën e shqiptarëve. Tirana e viteve ’70- të do të ishte aktive, me Broduein, njërin nga pasionet, simbolet e atij brezi.
Diçka për këtë rrugë, keni qenë protagonist?
Vitet ’70 janë të njohura edhe për Broduein tonë, si rruga e shpresës së madhe. Të qenit broduist, ishte një privilegj. Një Broduei, ku shprehej dëshira e një brezi, për një stilt të ri, në njohjet, takimet, dashuritë e famshme edhe me Broduein protagonist. Ishte grupi muzikor Bee Gees që kënduan “Një natë në Broduei”, dhe më pas Alfons Balliçi në festivalin e 11-të kompozoi, këndoi “Rruga e Dibrës”, që i referohej Brodueit, ndërsa Agim Krajka, krijoi një këngë për pastiçeri “Florën”.
Sa larg dhe afër ishte Perëndimi i ëndërruar?
Ata që na i sillnin më afër modernen, aromën perëndimore, atë çfarë po shoqëronte vitet ’70 në Europë, ishin artistët dhe sportistët. Futbollisti Skënder Hyka, por edhe të tjerë të njohur, në përballjet me Evropën, klubet e njohura, si Oransoda, Standard, Torino, Ajaks, Gjermania, por mbi të gjithë Xhorxh Best, kur erdhi në Tiranë me Irlandën e Veriut.
Plazhi, argëtim, dhe shumë dashuri
Pasioni për plazhin, ka qenë i jashtëzakonshëm, një tjetër tendencë për të demonstruar entuziazmin, me Breshkën e paharruar. Xhirot, vallëzimet në darkë, te Turizmi, pistat. Udhëtimi me trena e kohës, ai veror si në filmat western një tjetër kapitull, që i përket viteve ’70-të.
Mbrëmje dëfryese të organizuar nga vetë shteti?
Në mbrëmjet e kërcimeve, në shkolla, qendra pune, në Pallatin e Kulturës, frekuentimi i lokaleve, lulishtet ku kërcehej Rock & Roll, Tuist. Hotel “Dajti” ishte i frekuentuar, me orkestra, muzikë. Viti I Ri, dalja ne shesh, ishte pasqyrë e një tjetër formë argëtuese për ne. Një palë pantallona kauboj, flokë të gjata, baseta, ishin të pëlqyera për rininë shqiptare të atyre viteve.
Edhe ju jeni i njohur si admirues i motorëve
Përdorja një Moto Guzi, pasi vetëm ato lejoheshin në atë kohë. Ishin taksitë, pajtonet, edhe këto mjaft të preferuara, si diçka mondane, sidomos në takimet e fshehta. Bashkë me veturat private, më pasi i hoqën, si mjete të borgjezisë. Motorin e kam përdorur gjithë jetës. Në lagje, kudo nuk të shihnin me sy të mirë, i dukej e konsideronin si një sfidë të hapur që i bëje sistemit.
Z. Xhilaga, si erdhi mbyllja, ajo fatale?
Krejt papritur, pas fjalimit të Enver Hoxhës për shfaqet e huaja, në fillim të 73-shit, dhe i pari që u godit ishte Festivali i 11-të, i këngës në Radio TV. U gjet si shkak, siç krijoheshin atëherë, dhe reagimi ishte tejet i ashpër. Ka tkurrje në art, kulturë, sport, kudo. Shoqëruar me dënime, burgime. Një situatë që goditi gjithçka, përfshirë edhe rininë, shpresën./ Gazeta Panorama
© Panorama.al













