Votimi në Kuvend, rrjedhin votat. Deputetët e PS thyejnë vendimin

Feb 17, 2012 | 9:40

Grupi i PS kishte vendosur të votonte kundër kandidatit për anëtar të AMF, merr 85 vota nga votimi i fshehtë, 12 nga PS.

Deputetët e PS thyejnë vendimin politik për dy anëtarët e Mbikëqyrjes Financiare.

Deputetët socialistë votuan dje në Kuvend ndryshe nga vendimi i marrë nga Kryesia e Grupit Parlamentar. Gjatë votimit të emrave për Bordin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, socialistët kanë votuar pro për të dy anëtarët. Kryesia e Grupit Parlamentar kishte vendosur votën pro për kandidaten për kryetare Enkelejda Shehi, ndërsa për anëtarin tjetër, Mati Pepa, ishte kërkuar që të votohej kundër. Ashtu siç ishte parashikuar, Shehi mori 117 vota pro dhe vetëm 12 kundër. Surpriza erdhi pas votimit për anëtarin tjetër të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Mapi Pepa, i cili mori 85 vota pro dhe 43 kundër. Ky votim i fshehtë tregoi se shumë vota nga Partia Socialiste shkuan për kandidatin e propozuar nga e djathta. Të paktën 12 deputetë socialistë kanë votuar pro kandidatit, pasi në sallë ishin vetëm 73 deputetë të maxhorancës. Asnjë reagim nuk pati dje nga PS-ja për votat e rrjedhura, dhe pse pak kohë më parë një deputet i saj, Kastriot Islami, u përjashtua nga Grupi Parlamentar, pasi nuk mori pjesë në votimin për kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kishte vendosur disa mbledhje para përjashtimit të Islamit një “nisje nga zero” për votimet në Kuvend dhe se do të niste të zbatonte rreptësishtë statutin e partisë për çdo shkelje të vendimeve politike. Nuk dihet nëse në ditët në vazhdim, apo në mbledhjen e javës së ardhshme të Grupit Parlamentar do të ketë ndëshkime pas votimit jashtë vendimit të marrë nga Kryesia e Grupit. Gjatë seancës dëgjimore të dy kandidatëve në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, socialistët nuk e kanë deklaruar votën e tyre për Enkelejda Shehin, ndërsa Pepa është pyetur nëse ka qenë më parë i anëtarësuar në ndonjë parti politike. Enkelejda Shehi është bashkëshortja e kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi. Mati Pepa ka qenë drejtor i QSUT-së gjatë periudhës që Nard Ndoka, kreu i PDK-së, sot aleat i PS-së, ka qenë ministër Shëndetësie.

Kodi Civil
Parlamenti votoi dje me konsensus me votat e maxhorancës dhe opozitës projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”. Pasi mori konsensusin e të dyja palëve në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, Kodi Civil mori dje në Parlament 129 vota pro dhe asnjë kundër.

Enkelejda Shehi
Kandidatja për kryetare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare mori dje 117 vota pro dhe 12 kundër. Partia Socialiste kishte dhënë më parë përmes Kryesisë së Grupit pëlqimin për këtë kandidaturë, e cila është bashkëshortja e
kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi.

Mati Pepa
Kandidati për anëtar të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare mori 85 vota pro dhe 43 kundër, ndërsa 4 deputetë nuk morën pjesë në votim. Pepa, ka qenë drejtor i QSUT-së gjatë kohës që Ndoka ishte ministër Shëndetësie, mori edhe vota nga Grupi Parlamentar Socialist.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura