Rritja ekonomike, pabarazia dhe varfëria

May 15, 2012 | 12:05

SELAMI XHEPA

Debati mbi zgjedhjen e një sistemi taksimi në raport me një tjetër është një debat shumë legjitim dhe që vjen gjithnjë në kohën e duhur. Madje kjo ishte dhe pika ku lideri i opozitës pati këmbënguljen më të fuqishme në emisionin “Opinion”. Megjithatë, pika nisëse e këtij debati duhet të jetë se cili është shqetësimi madhor, prioritar i ekonomisë në momentet aktuale: është krijimi i pasurisë, rritja e eficiencës së ekonomisë dhe krijimi i nxitjeve të nevojshme për të rritur investimet dhe modernizuar ekonominë nëpërmjet zëvendësimit teknologjik, apo është ndarja e pasurisë, krijimi i një shoqërie egalitare në pasuri dhe burime? Në varësi të përgjigjes së kësaj pyetjeje çdo forcë politike, por dhe shoqëria në tërësi, mund të japë një zgjidhje shoqërisht të pranueshme. Nëse shqetësimi i ekonomisë sot është të prodhojë më shumë, nuk ka dyshim se taksa e sheshtë është zgjidhja; nëse dëshirojmë t’i kthehemi virtytit, rishpërndarjes së pasurisë (por jo shmangies së varfërisë dhe reduktimit të pabarazisë), sigurisht që taksat progresive janë një alternativë më e mirë. Çështja e dytë që ndikon në zgjedhjen e sistemit të taksimit është niveli i administrimit të taksave. Një administratë e dobët, joeficiente dhe e paaftë që të administrojë politikat fiskale, nuk jep asnjëherë garanci se objektivat e një politike fiskale të zgjedhur tashmë do të realizohen dhe përmbushen ndershmërisht. Domethënë, nëse administrata nuk është në gjendje të vjelë taksat në mënyrën e duhur ligjore, sërish më të pasurit (që përgjithësisht janë më të sofistikuar dhe kanë mundësi të punësojnë këshilltar biznesi që të mënjanojnë pagimin e taksave nëpërmjet shfrytëzimit të boshllëqeve që shpeshherë ekzistojnë në legjislacionin tatimor dhe rregullat e kontabilitetit) nuk do të paguajnë më shumë se sa do të paguanin me një nivel taksimi nominal më të ulët. Kjo ka qenë arsyeja themelore se përse taksa e sheshtë u adoptua kryesisht në ekonomitë në tranzicion, një shoqëri që krijoi pabarazi të jashtëzakonshme në pasuri menjëherë me fillimin e tranzicionit, dhe ku pabarazia është një realitet më i dhimbshëm se sa në ekonomitë e zhvilluara të Perëndimit.
Debati mbi ndikimin negativ të sistemit të taksimit njënivelor (taksës së sheshtë) në rritjen e pabarazisë është një çështje që nuk ka gjetur mbështetje nga evidencat empirike. Një studim empirik i kryer nga Narazani (Universiteti Turin, 2008) duke shfrytëzuar të dhënat e Anketës së Matjes së Standardit të Jetesës (LSMS, 2008), dhe me një model të bazuar në funksionin e maksimizimit të dobishmërisë konsumatore, konkludon se “në lidhje me treguesit e pabarazisë dhe varfërisë nuk provohet ndonjë ndikim i rëndësishëm në të dy format e taksimit”. Pra, edhe pse relativisht grupet me të ardhura të larta taksohen më pak, sërish rritja e hendekut midis grupeve me të ardhura të larta dhe atyre me të ardhura të ulëta nuk shpjegohet thjesht (dhe aq më pak vetëm) me regjimin e taksimit. Mënyra më e mirë për ta analizuar këtë çështje është të shohësh në hendekun e të ardhurave para tatimit midis grupeve me të ardhura të ulëta dhe atyre me të ardhura të larta dhe të krahasosh këtë hendek me të ardhurat e tyre pas tatimit. Dhe nga ky krahasim zbulohet sërish se ky hendek nuk ka lidhje me sistemin tatimor, më shumë se me diferencat e pagave midis industrive, midis profesioneve, midis cilësive të ndryshme të edukimit etj. Pra, janë forcat e ndryshimeve strukturore që vijnë nga globalizimi dhe inovacioni teknologjik dhe lindja e industrive të reja shkaktarët e vërtetë të rritjes së këtij hendeku, të rritjes së të ardhurave për shtresat e pasura dhe (pothuaj) shkrirjes së shtresave me të ardhura të mesme me grupin e popullsisë me të ardhura të ulëta. Sikur ndryshimi i sistemit të taksimit të ishte zgjidhja e vërtetë e këtij problemi, atëherë ky problem nuk do të ishte sot shqetësimi më serioz për SHBA-të apo për vendet e BE-së, pasi ato kanë sistem taksimi progresiv. Edhe në kushtet e taksimit progresiv që në Shqipëri është zbatuar që prej fillimit të tranzicionit e deri në vitin 2007, vendi ka pasur pabarazi sociale, nivele të ulëta të grumbullimit të të ardhurave, veçanërisht nga grupet me të ardhura të larta etj.
Personalisht jam i mendimit se edhe për arsye parimore (barazia e shtetasve përpara ligjit, në të drejta dhe detyrime, është parimi themelor kushtetues i çdo vendi demokratik), taksimi njënivelor është zgjedhja e duhur dhe më e drejtë.
Por, duke e konsideruar të drejtë sistemin aktual të taksimit, të paktën për gjendjen në të cilën ndodhet ekonomia e vendit tonë, besoj se ai ka nevojë të përmirësohet për të krijuar më shumë mbrojtje për grupet sociale me të ardhura të ulëta, pa dëmtuar njëherazi dhe grupin me të ardhura të larta dhe biznesin, të cilët janë udhëheqësit e rritjes së ekonomisë. Për shembull, pragu i nivelit të të ardhurave të patatueshme mund të rritet nga niveli aktual prej 10 000 lekësh në nivelin e pagës minimale, të paktën në 25 000 lekë në muaj. Për të ardhurat deri në një shumë prej 50 000 lekësh mund të tatohet me 10% vetëm diferenca midis kësaj shumë dhe kufirit të patatueshëm. Po kështu mund të përdoren deklaratat vjetore të të ardhurave tatimore si instrumente të politikave sociale dhe mbrojtjes së grupeve me të ardhura të ulëta. Pra, reforma në përmirësimin e sistemit fiskal mund të vazhdohet jo duke përmbysur vetë sistemin, por duke rritur eficiencën e veprimit të tij.

© Panorama.al

Te lidhura