Shqipëria vijon të ketë rritje ekonomike edhe gjatë këtij viti, veçse niveli i kësaj rritjeje në tremujorin e parë të këtij viti është shumë larg asaj që në fakt priste qeveria. Instituti i Statistikave bëri me dije dje se rritja ekonomike e vendit tonë për periudhën janar-mars është 3.4 për qind, rreth 1.6 për qind më e ulët se ajo që parashikonte qeveria në buxhetin e saj në fillim të vitit 2011. Një pjesë e mirë e sektorëve të saj kanë dhënë ndikim në këtë rritje duke filluar nga industria e deri te ndërtimi, i cili në fakt ka qenë një sektor shumë problematik gjatë krizës. “Sektori industrial shënoi një rritje prej 12.4 % krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit që lamë pas dhe një rënie 0.4 % krahasuar me tre mujorin e katërt. Aktiviteti i transportit në 3-mujorin e parë të 2011-s shënoi një rritje me 13.3 %”, thuhet në raportin e INSTAT.











