Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nisur nga dita e sotme të zbatojë vendimin e qeverisë shqiptare për rritjen me 4% të pensioneve te qytetit dhe 7% te fshatit.
Njoftimi u bë nga Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, Evelina Koldashi gjatë një konference për shtyp ditën e sotme.
“Mbështetur në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 471, datë 02. 07. 2011, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka llogaritur dhe ka nisur duke filluar nga dita e sotme shpërndarjen për të gjitha përfitimet që rrjedhin nga ky Vendim për të gjithë pensionistët, me efekte financiare nga data 01 korrik 2011.”- thuhet në deklaratën për shtyp.
Në bazë të vendimit të qeverisë, I cili ka nisur zbatimin nga dita e sotme, janë rritur në masën 4% të gjitha pensionet e pleqërisë urbane, invaliditetit, familjarë, si dhe të gjithë përfituesit e programeve të veçanta si ushtarakë, minatorë, ish-punonjës të industrisë ushtarake, pilotë, detarë dhe profesorë.
Janë rritur gjithashtu me 7% të gjitha pensionet e pleqërisë rurale, të invaliditetit dhe ato familjare. Nga të dhënat e ISSH-së nga ky vendim përfitojnë rreth 570 561 individë.
ISSH ka sqaruar se të gjithë ata pensionistë të cilët e kanë tërhequr pensionin e tyre nga data 1 deri më 5 koriik, mund të paraqiten pranë sporteleve për të tërhequr shtesat.
Drejtoresha e Përgjithashme, Evelina Koldashi theksoi se pas kësaj rritjeje, çdo pensionist, krahas të të ardhurave nga pensioni do të vazhdojë të marrë kompensim të të ardhurave të tjera që jepen me Vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave.
© Panorama.al












