
Ministria e Financave bën përgjegjës Departamentin e Administratës Publike (DAP) për mosrritjen e pagave, sipas vendimit të miratuar në Këshillin e Ministrave.Zv.ministri i Financave, Nezir Haldeda, tha në një prononcim për gazetën, se pas miratimit të aktit në qeveri nuk ka asnjë pengesë për shpërndarjen e rrogave me shtesat për çdo kategori nga dikasteri ku ai bën pjesë. Megjithatë, sipas Haldedës, këto vonesa kanë ardhur për shkak të burokracive dhe periudhës së pushimeve. “Fillimisht vendimi miratohet në qeveri, janë rreth 15 vendime të kësaj natyre. Ne i kemi përcjellë këto vendime te DAP. Këtë çështje e kemi bërë problem dhe i kemi dërguar një shkresë zyrtare për vonesën. Por, në këtë periudhë kanë qëlluar edhe pushimet. Më datë 1 gusht duhet të kishin operuar në këtë drejtim. Pra nuk ka gjëra parimore, por mund të ketë ndonjë riklasifikim të profesioneve, sepse pjesa e përqindjeve është dhënë. Mund të jetë vetëm burokracia dhe pjesa e pushimeve. Kjo nuk është një çështje e Ministrisë së Financave”, u shpreh Haldeda në komunikimin me gazetën. Megjithatë, sipas tij, DAP ka përgjegjësi vetëm për rrogat e administratës, dhe jo ato të Shëndetësisë dhe Arsimit. Zv.ministri i Financave thekson se ISKSH-ja, Ministria e Shëndetësisë dhe universitetet kanë marrë që në fillim të vitit buxhetin ku është parashikuar edhe fondi për rritjen e pagave. Sipas tij, këtyre institucioneve u mjaftonte vetëm vendimi i qeverisë për të shpërndarë rrogat e punonjësve së bashku me shtesën e parashikuar. “DAP ka vetëm administratën qendrore. Ndërsa Shëndetësia dhe Arsimi i Lartë operojnë me një pavarësi të plotë. Universitetet dhe sistemi shëndetësor e kanë marrë buxhetin që në fillim të vitit dhe nuk kanë nevojë për DAP-in. Me vendim qeverie janë vetëm të dhënat dhe ato më pas i rrisin vetë rrogat. Për Ministrinë e Shëndetësisë, ISKSH-në dhe Arsimin e Lartë nuk përgjigjet DAP-i”, u shpreh më tej zv.ministri. Sipas vendimit të miratuar në Këshillin e Ministrave, rrogat e mjekëve dhe mësuesve do të rriten me 4-5 për qind, rrogat e ulëta me 6 për qind, rrogat e mesme me 4-5 për qind dhe ato të larta me 3 për qind.
Vendimi
Ndonëse vendimi në Këshillin e Ministrave është miratuar rreth dy muaj më parë, ai ende nuk është botuar në Fletoren Zyrtare. Në të njëjtën ditë me rritjen e rrogave u miratua edhe rritja e pensioneve dhe pas disa javësh ky vendim u botua në Fletoren Zyrtare. Mosbotimi i vendimit të pagave në dokumentin zyrtar duket se ka ndikuar që punonjësit e sistemit arsimor, shëndetësor dhe administratës të mos i marrin ende shtesat, të cilat fillojnë që nga 1 korriku.
Rritja e rrogave
Sistemi arsimor, 4-5 për qind
Sistemi mjekësor, 4-5 për qind
Rrogat e ulëta, 6 për qind
Rrogat e mesme, 4-5 për qind
Rrogat e larta, 3 për qind
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











