Fondi Monetar Ndër-kombëtar ka vendosur të mos japë më kohë dhe para për të ndihmuar Greqinë të dalë nga kriza, duke rrezikuar seriozisht falimentimin e këtij vendi, nëse e gjithë paketa e ndihmës nuk merret përsipër nga vendet e eurozonës. Informacioni është publikuar në mediat gjermane. E përditshmja “Der Spiegel” shkruan se “FMN ka njoftuar udhëheqjen e BE-së se nuk do të marrë pjesë në ndihmën e mëtejshme për Greqinë”. Sipas burimeve të kësaj gazete, “durimit të FMN-së me Greqinë i ka ardhur fundi”. Në artikull shkruhet se drejtues të lartë të FMN-së kanë diskutuar me drejtuesit e eurogrupit se “Në rast se Greqia merr më shumë kohë për të përmbushur objektivat, atëherë do të kërkohen edhe para shtesë”. Në artikull kujtohet se shumë qeveri në eurozonë nuk janë të gatshme të shpenzojnë ende për Greqinë në kurriz të taksapaguesve të tyre. Dy prej vendeve që e kanë shprehur hapur kundërshtimin e tyre për këtë, janë Holanda dhe Finlanda. Kjo do të thotë se Greqia rrezikon seriozisht daljen nga eurozona. Për këtë skenar duket se po përgatitet edhe vendi më i fuqishëm i eurozonës, Gjermania. Përkundër deklaratave para zgjedhjeve në Greqi nga ana e diplomatëve gjermanë, se mund të negociohet mbi kohën që do t’i duhet Athinës për të kryer reformat, “rrjedhjet” nga raporti i fundit i trojkës, i cili pritet të rezultojë negativ në lidhje me arritjet e Greqisë për plotësimin e kërkesave të kreditorëve, duket se ka ndikuar për t’ia hequr edhe mundësinë e përfitimit nga faktori “kohë”. Zëvendëskancelari i Gjermanisë, Filip Resler, tha dje se dalja e mundshme e Greqisë nga euro nuk është më diçka që duhet të shkaktojë panik. “Nëse Greqia nuk i përmbush detyrimet e veta, nuk mund të ketë pagesa të mëtejshme. Fatkeqësisht, Greqia nuk do të mund të jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e saj dhe vetë grekët do të arrijnë në përfundimin se ndoshta do të ishte më mirë të braktisnin eurozonën”, parashikoi numri dy i qeverisë gjermane. Resler ka theksuar se para çdo vendimi do të pritet publikimi i raportit të trojkës në vjeshtë. Por në këtë periudhë pritet që Greqia të mos ketë më fonde duke shpallur falimentimin, si rezultat daljen direke nga euro. Ndërsa ministri gjerman i Financave, Volfgang Shaubëll, i ka lavdëruar përpjekjet që po bën qeveria greke. Ai theksoi se “Ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë Greqinë, por ajo nuk mund t’u shmanget reformave strukturore”, theksoi ai.
Kriza në Spanjë
Kriza në ekonominë e katërt më të madhe të eurozonës po ndikon në rënien drastike të vlerës së euros në tregje. Dje, monedha europiane ka regjistruar kuotat më të ulëta në këmbimin me jenin japonez gjatë dekadës së fundit. Zhvlerësim pati edhe ndaj monedhave të tjera kryesore botërore, si dollari amerikan, paundi britanik dhe juani kinez. Reagimi negativ i tregjeve erdhi pasi të premten, krahina e Valencias në Spanjë i kërkoi qeverisë qendrore ndihmë urgjente, pasi rrezikonte falimentimin.











