Rritet pagesa e papunësisë. Në vendimin e miratuar dje, qeveria ka përcaktuar se nga 6565 lekë që përfitonin kategori të ndryshme qytetarësh, tashmë ajo do të jetë 6850 lekë. “Niveli bazë i së ardhurës nga papunësia të jetë 6850 (gjashtë mijë e tetëqind e pesëdhjetë) lekë në muaj. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punës”, thuhet në vendim. Programet e pagesës së papunësisë janë pjesë e politikave shtetërore të punësimit, të cilat sigurojnë mbështetjen me të ardhura të të papunëve në momentin e daljes së tyre si të tille, duke synuar krijimin e kushteve për rikthimin e tyre në tregun e punës. Programet e Pagesës së Papunësisë synojnë të mbështesin financiarisht të gjithë punëkërkuesit e papunë në rast papunësie, për shkak të shkurtimit të vendit të punës, ndërprerjes së kontratës së punës, falimentimit të ndërmarrjes, duke lehtësuar sadopak përpjekjet e tyre drejt punësimit. Sistemi i përfituesve nga papunësia nga pikëpamja legjislative është pjesë e sigurimeve shoqërore dhe mbështetet në ligjin e mësipërm, ndërsa nga ana ekzekutive ai do të ishte pjese e shërbimeve të punësimit dhe do të udhëhiqej nga sektori i programeve. Pagesën e papunësisë mund ta përfitojnë të gjithë ata që kanë kontribuar në sigurimin shoqëror për një periudhë të paktën 12-mujore, për çdo rast përfitimi. Personat duhet të jenë regjistruar si punëkërkues të papunë pranë zyrës përkatëse të punësimit, të kenë paraqitur kërkesën me shkrim dhe të kenë plotësuar dokumentacionin përkatës brenda 60 ditëve nga data e lindjes së të drejtës për t’i përfituar këto të ardhura. Përjashtim nga ky rregull bëjnë personat e papunë që janë të sëmurë dhe kur e vërtetojnë vonesën me raport mjekësor. Po kështu, ata duhet të jenë paraqitur në zyrën përkatëse të punësimit një herë në muaj, ose sa herë që thirren nga kjo zyrë, në rast mosparaqitjeje pa shkaqe objektive humbasin të drejtën e përfitimit të këtyre të ardhurave. Sakaq, për të përfituar pagesën duhet që personat që aplikojnë të pranojnë të punësohen, kur u ofrohet punë e paguar dhe e përshtatshme nga zyra përkatëse e punësimit dhe të pranojnë të kualifikohen ose të rikualifikohen kur kjo u ofrohet nga zyra përkatëse e punësimit. Periudha e përfitimit është përcaktuar në VKM të veçantë dhe varion nga 12 muaj për personat që janë përfitues për herë të parë të kësaj pagese, 10 muaj për personat që janë përfitues për herë të dytë dhe brenda një periudhe 24-mujore, pas përfundimit të përfitimit të parë. Po kështu mund të jetë 8 muaj për personat që janë përfitues për herë të tretë dhe brenda një periudhe 24-mujore aplikojnë, pas përfundimit të përfitimit të dytë. Për çdo rast përfitimi personat duhet të kenë gjithsej 12 muaj pagesë kontributesh të sigurimeve shoqërore në degën e sigurimit të papunësisë. Dhe në rast se ju punësoheni gjatë periudhës që trajtoheni me pagesë papunësie, e drejta e pagesës do të zgjasë deri në 2 vjet.











