Rritet pagesa për ndihmën që u jepet punëmarrësve në raste fatkeqësish apo sëmundjesh. Këshilli i Ministrave bëri dje disa ndryshime në vendimin “për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë .”Në rastin e vdekjes së punonjësit të institucionit, pagesa i jepet familjes së punonjësit nga titullari i institucionit në masën e një page mujore, por jo më pak se 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë”, thuhet në vendim. Më parë ajo ishte nga 10.000-30.000 lekë. Në rastet e vdekjes së një anëtari të familjes së punonjësit (bashkëshorti/ja, prindërit apo fëmijët), pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë, për çdo rast. Kjo pagese më parë ishte e ndryshueshme. Ka ndryshuar gjithashtu edhe ndihma për rastet e sëmundjeve. Më parë ajo ka qenë e varijueshme në lekë. Sipas vendimit të ri, pagesa për raste sëmundjesh të rënda jepet nga titullari i institucionit dhe arrin deri në 50 000 lekë. Me daljen e punonjësve në pension pleqërie, do të jepet pagesa titullari i institucionit deri në masën e një page mujore.
“Edhe në rastet kur, sipas ligjeve të veçanta, lindin të drejta specifike të dhënies së ndihmave të menjëhershme, masa e ndihmës së dhënë përballohet nga fondi i veçantë”, thuhet në vendim. Sipas tij, në veprimtari me karakter social apo kulturor, që përballohen nga fondi i veçantë, përfshihen ato veprimtari të cilat organizohen vetëm për punonjësit e institucionit, sikurse janë ato të organizuara për rastet e daljeve në pension, të festimeve të fundvitit dhe të tjera organizime të realizuara nga institucioni. Në çdo rast, masa e shpenzimit që mbulohet nga fondi i veçantë për këto veprimtari, nuk duhet të kalojë vlerën e 2 500 lekë për punonjës. Kur veprimtaritë social – kulturore organizohen jashtë qendrës së punës, shpenzimet e transportit dhe të akomodimit paguhen nga vetë punonjësit.”.











