Partia Demokratike dhe Partia Socialiste me vështirësi po ia dalin të realizojnë një pjesë të rekomandimeve të BE-së që vendi të marrë statusin e kandidatit për në BE. Prej tri vitesh ata kanë arritur të zgjedhin vetëm Avokatin e Popullit dhe të votojnë disa prej ligjeve të reformës që kalojnë me tri të pestat e deputetëve të Parlamentit. Vendi ka dështuar në dy raste për të marrë statusin e kandidatit, ndërsa e treta herë nuk është e sigurt. Në tetor pritet që kërkesa e Shqipërisë të diskutohet në Komisionin Europian. Aktualisht ambienti i këtij diskutimi duket skeptik dhe shumë zyrtarë të integrimit në Bruksel nuk hezitojnë të shprehin herë drejtpërsëdrejti e herë me politesë faktin se Shqipëria mund të rrezikojë për të tretën herë marrjen e këtij statusi. Edhe ata më optimistët nuk kanë shumë diferencë nga pesimistët.
Të paktën dy muaj është shtyrë afati i Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ndërkohë që sesioni parlamentar po shkon drejt mbylljes, konsensusi është modest dhe nuk ka ende pajtueshmëri mbi çështjet kyçe të kësaj reforme që lidhen me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe procedurat e ankimimit. Ndërkaq, reforma parlamentare pritet të votohet në Parlament, por ende nuk është mbyllur një kapitull esencial i saj, ai i kohës së dhënë për replika opozitës. Pavarësisht se ka një vullnet politik të shtrirë në dy forcat e mëdha politike, nuk ka një hap konkret për të ndërmarrë nisma ligjore për heqjen e imunitetit të politikanëve dhe gjyqtarëve, çfarë e ndihmonte edhe më shumë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet e administratës politike dhe gjyqësore.
Por jo vetëm për nevojat e vendit në raport me Bashkimin Europian ka një tendosje mes maxhorancës dhe opozitës, por edhe në rastet e komunikimit të brendshëm politik diferenca në qëndrime për çështje themelore është një sjellje e përditshme e politikës shqiptare. Tipike ishte dështimi i konsensusit për emrin e Presidentit dhe më keq se sa kaq, përpjekja për ta manipuluar politikisht këtë proces nga ana e opozitës. Maxhoranca dhe opozita kanë diferenca të mëdha edhe në çështje që kanë të bëjnë me investimet apo projektet ekonomike dhe financiare të vendit. Ato ndajnë herë publikisht e herë në heshtje qëndrime gati të kundërta për strategjinë e prodhimit të energjisë së rinovueshme, projektit TAP, zhvillimit të turizmit, procesit të legalizimit etj. Është krejt i natyrshëm debati për taksat, TVSH-në, ndihmën sociale mes dy forcave të mëdha politike, por nuk është normale që të ketë nisma kundër ekonomisë së tregut, të cilat në rastin më të mirë ia dalin të frenojnë investimet e huaja në vend, një ndër komponentët më të fortë aktualisht për ta mbajtur krizën ekonomike sa më larg.
Kjo tendosje politike e vazhdueshme nuk është cilësi e viteve të fundit, por e gjithë tranzicionit. Mungesa e komunikimit e ka dëmtuar shumë integrimin e Shqipërisë dhe zhvillimin e saj normal. Në 14 vitet e fundit, të paktën dy herë ka pasur të vrarë para Kryeministrisë në protesta të natyrave të ndryshme, çfarë ka cenuar imazhin e vendit dhe sigurinë publike për një kohë të gjatë.
Megjithëse Shqipëria ka ecur herë mbi stabilitet e herë mbi destabilitet, dy partitë e mëdha të vendit kanë qëndruar të paprekura nga efektet që i ka prodhuar komunikimi dhe qëndrimi politik i tyre. Por ka një moment kur mungesa e komunikimit kthehet në stres për ekonominë dhe qytetarët. Dhe ky është çasti kur votuesit mund të hedhin sytë diku tjetër.
Sot kemi parti të reja dhe lëvizje të reja politike majtas dhe djathtas. E përbashkëta e tyre është akuza që u bëjnë PD dhe PS për mungesë komunikimi dhe tensione politike që kanë çuar në shkatërrimin e shumë mundësive dhe potencialeve të vendit për të shkuar më përpara. Është një akuzë ku gjen argumente sa të duash. Dhe nëse vendi nuk merr statusin e kandidatit këtë vjeshtë, akuzat e tyre materializohen edhe më shumë, dhe është një materializim tetë muaj para zgjedhjeve parlamentare. As PD dhe as PS nuk do të përfitojnë gjë nga refuzimi i mundshëm i vjeshtës. Por nuk është se nuk do të ketë fitues asgjëkund në këtë vend. Mungesa e bashkëpunimit të tyre për çështje themelore të vendit do t’u shkojë si bonus partive dhe lëvizjeve të reja politike. Ka plot raste kur partitë e para janë kthyer në të treta, si këto ditë në Greqi, apo partitë historike janë zhdukur fare, si në Italinë e viteve ’90.
© Panorama.al












