Rrethohet Gedafi, por lufta vazhdon

Aug 26, 2011 | 11:25

Në Tripoli po zhvillohen luftime të ashpra në një lagje ku mendohet se janë strehuar Gedafi dhe fëmijët e tij.Luftëtarët e Këshillit të Tranzicionit kanë njoftuar se ekanë rrethuar Gedafin dhe besojnë se ai ndodhet në bllokun e ndërtesave i mbrojtur nga mbështetësit e tij, me të cilët që paraditen e djeshme nuk kanë reshtur të shtënat, që do të thotë se edhe numri i viktimave vazhdon të shtohet. Megjithëse është i rrethuar, koloneli libian ka dërguar një mesazh audio në një televizion besnik të tij, ‘Orouba’, ku jep sërish mesazhe martirizimi. ‘Libia të jetë e libianëve, jo e Francës, jo e Italisë, jo e kolonialistëve’, tha Gedafi. Në mesazh ai u ka bërë thirrje bashkëkombësve të tij në të gjithë vendin për të “luftuar pushtimin e huaj” dhe të nxitojnë për në Tripoli, duke përfshirë në brezin e luftëtarëve edhe gratë e fëmijët që të ‘përballen dhe të shtypin kryengritësit duke pastruar kryeqytetin’. Koloneli pohoi në mesazh se “shumica dërrmuese” e popullsisë është në anën e tij. Sipas raporteve nga Sky News, në afërsi të Abu Salim ka bombardime të NATO-s, sepse shihen shtëllunga të mëdha tymi. Prona ndodhet jo shumë larg nga kompleksi Bab Al Azizia. ‘Ata janë së bashku në një vrimë të vogël’, tha Mohamed Gomaa, një prej kryengritësve të përfshirë në luftime. ‘Ne do të bëjmë më shumë. Sot ne do të përfundojmë punën’, tha ai. Besohet se një dorë e fortë vjen edhe nga NATO. Aleanca ka ndihmuar, përveçse me aviacionin, edhe mbështetjen për inteligjencën dhe zbulimin, siç raportohet nga Liam Fox, ministri britanik i Mbrojtjes. Shtypi francez flet për praninë e forcave speciale britanike në territorin e Libisë, por Fox nuk ka dashur të komentojë mbi këtë. Në Libi, beteja po vazhdon edhe në Sirte, ku ka pasur përleshje të dhunshme mes rebelëve dhe fiseve që mbështesin Gedafin, në qytetin ku thuhet se ai ka lindur. Ndërsa në Tripoli ka pasur të shtëna me armë edhe afër Hotel Rixos dhe Corinthia, ku ka gazetarë të huaj. ‘Ka të shtëna me armë zjarri në hyrje të hotel Corinthia, po zhvillohet betejë në rrugë dhe ka snajpera. Hoteli është nën sulm’, ka njoftuar një gazetar për AFP. Betejat pranë hotelit kanë zgjatur rreth 45 minuta. Pas luftimeve të ashpra me forcat besnike të kolonel Gedafit, kryengritësit libianë kanë marrë kontrollin e Aeroportit të Tripolit dhe kanë konfiskuar armë dhe mjete ushtarake. Në Milano, Kryeministri italian Silvio Berluskoni ka takuar Muhamedit Xhibrili, Kryeministri i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, i cili konfirmoi se Këshilli e zhvendosi selinë e tij nga Bengazi në Tripoli. Edhe Franca dje ka konfirmuar mbështetjen për rebelët në Libi. Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, paralajmëroi për javën e ardhshme një konferencë për Libinë, pas një takimi me shefin e Këshillit Tranzitor të Libisë, Mahmud Xhibrili. Mesazhi i Sarkozisë ishte se Franca qysh në fillim ka qenë në anën e krahut të rebelëve libianë dhe dëshiron të qëndrojë edhe në të ardhmen pikërisht aty. Njësitë speciale franceze kanë trajnuar luftëtarët e papërvojë në përdorimin e armëve. Për herë të parë ekzistenca e këtyre  “këshilltarëve” u konfirmua ditën e mërkurë nga ministri i Jashtëm francez, Alan Jupe. Përveç kësaj, sipas DW, Franca ka furnizuar me armë të lehta rebelët. Sipas vlerësimeve, ndërhyrja i ka kushtuar shtetit francez për çdo ditë, më shumë se një milion euro.

Rebelët: Gadafi mund të ketë kërkuar azil në Serbi

Fatima Mahmud nga Këshilli Kombëtar i Tranzicionit në Libi tha se Muamar Gedafi mund të ketë aplikuar për azil në Çad, Algjeri, Venezuelë, Kroaci dhe Serbi. Sipas saj, “Ne kemi informacione se, në qoftë se diktatori nuk është kapur apo vrarë, ai mund të kërkojë azil në pesë shtete me të cilat deri më tash ka pasur marrëdhënie të mira”, tha Mahmud. “Është e njohur se Gedafi ka raporte të mira me politikanët e këtyre pesë shteteve. Dihen marrëdhëniet shumë të mira me Serbinë”, shtoi.

© Panorama.al

Te lidhura