Rreth konkurrencës në jetën politike

Jun 7, 2012 | 14:01

ZEF PREÇI

Nuk ka dyshim se shumica e qytetarëve shqiptarë ndihen të lodhur nga grindjet  e vogla ndërmjet politikanëve e të lënë pas dore në hallet e jetës se përditshme të tyre; në vend gjallon korrupsioni; elita politike mbush hapësirën mediatike publike me demagogji dhe gënjeshtra pa fund. Një numër politikanësh “shpikin” pafundësisht gracka dhe mashtrime ndaj opinionit publik, në mjaft raste pa ndonjë parim ideologjik, por thjesht të motivuar nga interesat dominuese – kryesisht ato ekonomike e financiare, të lobeve të biznesit që qëndrojnë mbas tyre. Kjo është aq e vërtetë, sa mbas dy dekadash të tranzicionit (nga i cili nuk po shkëputemi dot ende), qytetarët shqiptarë e kanë të vështirë të dallojnë se cili grup apo parti politike renditet në të majtë dhe cili në të djathtë të skakierës politike aktuale. Madje, edhe përfaqësimi politik, për fat të keq, në një shoqëri të fragmentuar, apatike dhe me vlera komuniteti ende larg atyre të qytetërimit bashkëkohor, duket se po largohet përditë nga interesat themelore të qytetarit. E në këtë mishmash ballkanik nuk është vështirë për të konstatuar se dy partitë e mëdha politike (PD e PS), të paktën prej vitit 2009 nuk përfaqësojnë më shumicën e qytetarëve shqiptarë. Natyrisht, unë nuk e kam fjalën këtu për të dhënat e servirura zyrtarisht mbi përfundimet e votimeve të radhës, por te qëndrimi i ngurtë i PD dhe PS në mbajtjen të pandryshuar të sistemit zgjedhor – ndoshta edhe të Kodit Zgjedhor në fuqi. D.m.th. vendin e konkurrencës ndërmjet alternativave politike të përqafuara nga individë apo personalitete publike, përherë e më shumë po e zë mungesa e konkurrencës ndërmjet këtyre alternativave, kapja mbas elementeve periferike e të ideologjizuara sforcimisht (p.sh. debati për taksen e sheshtë apo atë progresive), deri edhe reduktimi i fateve të vendit ne tekat, mëritë, vullnetin apo mungesën e tij etj., në duart e vetëm të dy liderëve politikë të PS dhe PD. E nga kjo panoramë nuk bën përjashtim as zgjedhja nga Kuvendi i Shqipërisë i kreut të ri të shtetit. Tingëllon absurde, por mjerisht e vërtetë, edhe pse vendi ka një Kushtetutë që sanksionon të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur pa asnjë diskriminim, qytetarët shqiptarë në fakt gëzojnë vetëm të drejtën për të votuar, se të drejtën për të zgjedhur e kanë vetëm dy individë: liderët respektivë politikë të PD dhe PS. Kjo është aq e vërtetë, sa nëse futesh në debat me konstitucionalistë dhe dëgjon argumentet e tyre, të “bindin” se edhe ndryshimet kushtetuese janë të mundshme vetëm nga Kuvendi, dhe jo nga qytetarët, bartësit materialë të së drejtës publike në çdo vend demokratik… Le pastaj nëse ndokush “guxon” të mendojë për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së kreut të shtetit, për mundësimin e pjesëmarrjes qytetare përmes zgjedhjes së tij të drejtpërdrejtë… Të krijohet përshtypja se mbas ndryshimeve “me SMS” dhe “brenda natës” të vitit 2008, për shkak të komoditetit që u krijon liderëve politikë, Kushtetuta e vendit nuk do të mund të ndryshojë më kurrë…
E tash të kthehemi tek argumenti i ditës: “gara” me një kandidat për kreun e shtetit, përpjekja për mbylljen e shtigjeve për pjesëmarrjen në këtë garë të ish-kreut të PS dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë Nano dhe rreziqet që në vlerësimin tim mbart kjo situatë. Nuk ka dyshim se trajtimi që maxhoranca e drejtuar nga z. Berisha i ka bërë deri më sot procesit të zgjedhjes së kreut të ri të shtetit për periudhën 2012-2017, me gjithë përshkallëzimet që mendoj se gjithsesi mbeten ende brenda skemës fillestare, ishte dhe mbetet institucional, kushtetues dhe përveçse synon që të mundësojë zgjedhjen e përfaqësuesit të kësaj maxhorance, ka si qëllim edhe një proces sa më “paqësor”, të konsultuar hap mbas hapi me faktorët relevantë vendas, por edhe me transparencën e nevojshme në raport me institucionet ndërkombëtare që mbështetin, mbikëqyrin, apo ato diplomatike që përfaqësohen në Tiranë. Për fat të keq, mbas konsumimit, sidomos gjatë dy viteve të fundit, të pothuajse të gjitha mjeteve demokratike të luftës për pushtet nga opozita (pa folur për ngjarjen e dhimbshme të 21 janarit 2011), kjo e fundit u “pranua” në tryezën e së dielës së shkuar të maxhorancës, por pa ofruar alternativën e saj në garën për kreun e shtetit. Madje, as zhvillimet e ditëve në vijim, artikulimet e mjegullta e kapërcimet pajtuese, por me kushte të zëshme dhe të pazëshme, nuk e “bindën” dot liderin e PS të hidhte në tavolinë emra përfaqësuesish të forcës së tij politike apo të opozitës në tërësi, që mund të konkurronin përballë kandidatit ende të pazyrtarizuar e jopolitik të maxhorancës. Në këtë situatë dhe duke marrë parasysh se sot Kuvendi do të vendosë mbi ecurinë e procesit në raundet vijuese, por edhe faktin se në mungesë të konsensusit ndërmjet maxhorancës dhe opozitës e drejta kalon te votimi me shumicë të thjeshtë, cilitdo qytetar të këtij vendi mund t’i lindin pikëpyetje të mëdha rreth të ardhmes së ndarjes së pushteteve dhe balancës ndërmjet tyre, funksionimit të shtetit të së drejtës, shkallës së ndërhyrjes së partive politike në pavarësinë dhe integritetin e institucioneve kushtetuese apo të krijuara me ligj të veçantë të vendit etj. Fjala është jo thjesht për solemnitetin e procesit, as se ndokush mund të kundërshtojë kredencialet profesionale, akademike, diplomatike apo njerëzore të kandidatit Xhezair Zaganjori. As për të menduar se zgjedhja në krye të shtetit të cilitdo nga drejtuesit e lartë politikë të PD duhet lexuar si “pushtim” i këtij institucioni nga njerëzit e maxhorancës (ky “rrezik” mund të vijë nesër edhe nga krahu tjetër…). Në vlerësimin tim, ajo që z. Nano ofron, përtej anatemimit dhe pse jo, edhe të demonizimit të kuptueshëm të së shkuarës, të justifikueshme për periudhën në të cilën gjendej elita politike dhe format e ashpra të luftës mediatike dhe jo vetëm mediatike të përdorura ndaj tij nga opozita e kohës, vlen më shumë se kaq. Ajo që z. Nano ofron – të qëndruarit mbi palët dhe me kredenciale të pakontestueshme kombëtare dhe ndërkombëtare në opozitë dhe në qeverisje, të qenët “i pakontrollueshëm”, siç e përkufizoi publikisht miku i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve, ambasadori Arvizu, është një vlerë e munguar në mjedisin politik e përgjithësisht në jetën publike shqiptare. E nëse besojmë se jeta publike është një veprimtari që të bën të njohur te shumë njerëz, se politika dhe pushteti janë jetëgjatë kur mbështeten në kompetencë, përgjegjshmëri dhe në llogaridhënie, mendoj se lidershipi politik i PS duhet të reflektojë, së pari momentin që po kalon vendi për t’i hapur rrugën garës duke marrë pjesë në të, dhe së dyti, për të mundësuar që Kuvendi i Shqipërisë të zgjedhe jo thjesht “të preferuarin e kryetarëve”, por atë për të cilin opinioni publik dhe ndërkombëtarët besojnë se shërben me dinjitet dhe më mirë shoqërinë, shtetin, Kushtetutën dhe ëndrrën europiane të shqiptarëve. E në konstelacionin e figurave politike e publike të larta për të qenë kandidat për kreun e ri të shtetit, z. Nano është pa dyshim një favorit i denjë.

© Panorama.al

Te lidhura