Rreli ekspozon “Njerëz që i bëjnë nder Tiranës”

Feb 13, 2012 | 11:49

Hapja e ekspozitës “Njerëz që i bëjnë nder Tiranës”

Në 92-vjetorin e kryeqytetit, 195 portrete personalitetesh.

Adem Rreli i pret vetë të gjithë vizitorët, me të njëjtën buzëqeshje, si edhe në studion e tij. Mundohet t’u përgjigjet të gjithëve. Dhe të interesuarit nuk janë pak. Dikush është i kënaqur që sheh veten në kornizë dhe ia tregon gjithë krenari shokut që ka marrë me vete, një tjetër i propozon fotografit që listës së gjatë t’i shtojë edhe filanin, që e ka “dyqonin” atje, por edhe atë tjetrin që ka qenë… Janë plot 195 portrete që fotografi Adem Rreli, i dinastisë së famshme të fotografëve Rreli, ka sjellë në ekspozitën “Njerëz që i bëjnë nder Tiranës”, e hapur në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e 92-vjetorit të Tiranës kryeqytet. Janë 195, por sërish janë pak. “Janë të gjitha figura të shquara që kanë jetuar në Tironë e kanë dhënë për Tironën”, thotë Rreli, teksa shpjegon se jo detyrimisht personazhet që ai ka fotografuar janë “tironsë”, por kanë dhënë shumë për këtë qytet. Teksa kalon nga njëra foto në tjetrën, mund të shquash mes tyre mjekë, sportistë, artistë, zanatçinj, pse jo edhe ndonjë politikan, që më shumë se për pozicionin politik, Rreli thotë se e ka përfshirë si një klient të vjetër të studios së tij. Kështu, mes 195 fotove, shquan portretin e Skënder Sallakut, Ali Osekut, Gëzim Peshkëpisë, Simon Mirakës, Flamur e

Tirana ne vitin 1937

Bamir Topit, Hasan Nallbanit, Neritan Cekës, Rexhep Çelikut, Reshat Arbanës, Liliana Cingut, Besim Zekthit, Bujar Kapexhiut, Edmond Tupes, Agim Krajkës, Skënder Selimit, e shumë e shumë të tjerëve. E për të bërë lidhjen me qytetin, mes portreteve të personaliteteve është vendosur edhe ndonjë foto e Tiranës së vjetër, si qendra e dikurshme apo Ura e Tabakëve. Sipas Rrelit, pjesa më e madhe e fotografive janë realizuar gjatë javëve të fundit dhe vetëm pak prej tyre janë realizuar më parë. Mes tyre ka edhe ndonjë që nuk jeton më dhe ekspozimi i figurave të tyre ka qenë një rast shumë i veçantë për familjarët. Të kontaktuar përmes telefonit, të gjithë janë treguar të gatshëm e shumë të kënaqur të bënin pjesë në këtë seri fotografike. Të gjithë që u bënë pjesë e kësaj ekspozite iu është dhuruar nga një foto, por kënaqësia më e madhe ishte të shihnin veten në ekspozitë. Ndaj edhe numri i vizitorëve ishte shumë i madh, fillimisht në ceremoninë e hapjes, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, por edhe në ditët në vijim.

© Panorama.al

Te lidhura