Zbardhen ndryshimet në statusin e deputetit dhe Rregulloren e Kuvendit.
“Mungesa në seancë sjell ndalesën e pagës ditore. Komisionet, fonde nga buxheti i Kuvendit”
Votimi i parashikuar për t’u bërë i fshehtë do të bëhet detyrimisht me kuti në të gjitha rastet kur këtë e kërkon të paktën 1/4 e deputetëve.
Ky ka qenë një ndër propozimet e opozitës të pranuara nga maxhoranca në grupin e punës për reformën parlamentare. Në rreth 5 muaj të punës së këtij grupi janë ndryshuar 28 nene të Rregullores së Parlamentit dhe 10 nene të ligjit “Për statusin e deputeti”. Megjithatë, të gjitha këto ndryshime rrezikojnë të qëndrojnë vetëm në letër nëse palët nuk bien dakord edhe për dy kushte të opozitës, kufizimi i kohës së Kryeministrit dhe votimi i fshehtë i dekreteve të Presidentit.
Statusi i deputetit
Me ndryshimet e miratuara me konsensus, deputetët do të jenë të detyruar të japin shpjegime para elektoratit për të gjitha projektligjet apo rezolutat e miratuara në Parlament. Në nenin 5 të statusit të deputetit thuhet se “deputeti takohet periodikisht me zgjedhësit ose kur e kërkojnë ata. Deputeti i përfaqëson ata duke iu marrë mendime apo duke iu dhënë shpjegime për projektligje, amendamente, vendime, rezoluta apo deklarata që shqyrtohen dhe miratohen në Kuvend”. Gjithashtu deputetët mund të ankohen direkt te Kryeministri, dhe jo te kabineti i Kryeministrit, siç ka qenë e parashikuar më parë, në ato raste kur kërkon shpjegime nga ministritë dhe institucionet nuk i përgjigjen. Sa i përket punës së tyre në Tiranë, deputetët, së bashku me grupet parlamentare, do të kenë zyrat e tyre dhe stafin ndihmës. Në këtë ligj është përcaktuar edhe rasti kur një deputet nuk merr pjesë në mbledhjen e Parlamentit apo në komisionet parlamentare. “Mospjesëmarrja pa shkaqe të përligjura të deputetit në seancë, në komisione ose në veprimtari të tjera parlamentare, sjell ndalesën e pagës ditore”, thuhet në draft.
Rregullorja
Nëse ndryshimet në Rregullore do të miratohen, duke filluar nga viti i ardhshëm komisionet parlamentare do të kenë një buxhet të përcaktuar që do ta përdorin në punën e tyre. Në nenin 40 të Rregullores shtohet një paragraf, sipas të cilit: “Veprimtaria e komisioneve të përhershme parlamentare mbështetet nga programi ‘Për aktivitetin parlamentar’ në buxhetin e Kuvendit”. Secili grup parlamentar do të ketë në dispozicion një sekretar dhe një këshilltar, ndërsa Grupi Parlamentar i PD-së dhe ai i PS-së do të kenë në dispozicion tre deri në katër këshilltarë për fusha të caktuara. Sa i takon votimit të fshehtë me propozim të Partisë Socialiste, në Rregullore është bërë një saktësim, sipas të cilit, nëse e kërkon ¼ e deputetëve, votimi bëhet me kuti; në të kundërt, ai bëhet me elektronikë. “Kur kërkohet me shkrim, nga të paktën ¼ e të gjithë deputetëve, votimi i fshehtë bëhet me fletë votimi”, thuhet në pikën 3 të nenit 60. Ndërsa për kohën që merr Kryeministri apo ministri propozues i ligjit në një seancë parlamentare thuhet se “për paraqitjen e projektligjeve, Kryeministri dhe ministri kundërfirmues kanë të drejtë të flasin pa kufizim kohor. Gjatë diskutimeve të tjera ministrat kanë të drejtë të marrin fjalën dhe atyre iu jepet sa herë e kërkojnë, por jo më shumë se 10 minuta për çdo ndërhyrje”.
Ndryshimet e miratuara
Statusi i deputetit
Neni 5
Deputeti takohet periodikisht me zgjedhësit ose kur e kërkojnë ata. Deputeti i përfaqëson ata duke iu marrë mendime apo duke iu dhënë shpjegime për projektligje, amendamente, vendime, rezoluta apo deklarata që shqyrtohen dhe miratohen në Kuvend.Neni 18 bëhet
1. Komisionet, grupet parlamentare dhe deputetët, kanë zyrat e tyre pranë selisë së Kuvendit me stafet e tyre ndihmëse.
2. Kuvendi, në bashkëpunim me organet e pushtetit vendor, hap në çdo rreth zyra të veçanta për deputetët e maxhorancës dhe opozitës, për çdo rast që ato kanë përfaqësim. Në rrethet ku ka përfaqësim vetëm të njërës palë, hapet vetëm një zyrë.
3. Kryetari i Kuvendit, me propozimin e kryetarëve të grupeve parlamentare, emëron në zyrat përkatëse një specialist, si rregull me arsim të lartë juridik. Kuvendi pajis zyrat me mjetet e nevojshme të punës.Rregullorja e Kuvendit
Neni 17
Çdo grupi parlamentar i vihet në dispozicion një sekretar administrativ dhe një këshilltar, ndërsa grupit më të madh parlamentar të pozitës dhe opozitës edhe tre deri në katër këshilltarë për fusha të caktuara të veprimtarisë parlamentare.Neni 40 shtohet pika 2/1
Veprimtaria e komisioneve të përhershme parlamentare mbështetet nga programi “Për aktivitetin parlamentar” në Buxhetin e Kuvendit.
Neni 60 pika 3 shtohet fjalia
Kur kërkohet me shkrim, nga të paktën ¼ e të gjithë deputetëve, votimi i fshehtë bëhet me fletë votimi.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











