Rregullorja e Kuvendit, PD rrëzon 3 propozimet e socialistëve

Feb 5, 2012 | 11:21

Partia Demokratike nuk pranon amendimin e funksionimit të Kuvendit: Tri nga pikat janë antikushtetuese.

Votimi i dekreteve dhe raporti i komisionit hetimor, i hapur.

Partia Demokratike rrëzon propozimet e PS-së për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Ndonëse janë zhvilluar vetëm dy mbledhje të grupit të punës, të përbërë nga katër anëtarë (dy nga secila forcë), demokratët kanë shprehur qëndrimin refuzues për pesë propozime të opozitës. Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur për gazetën se PD-ja ka vlerësuar si antikushtetuese tri nga këto propozime, ndërsa për dy të tjera nuk pranon të negociojë.
Propozimet antikushtetuese
Në draftin e depozituar në Parlament me firmë të kryetarit të Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, tri nga këto propozime bien ndesh me ligjin themeltar të shtetit. Konkretisht, amendimi i Rregullores së Kuvendit sa i takon fjalës që marrin anëtarët e Këshillit të Ministrave në diskutimet e projektligjeve, sipas PD-së, është antikushtetues. Sipas opozitës, në nenin 47 të Rregullores duhet bërë ndryshimi “atyre (anëtarëve të Këshillit të Ministrave) u jepet fjala sa herë që e kërkojnë për çështjen e radhës së rendit të ditës, por jo për më shumë se 10 minuta. Kur e merr fjalën Kryeministri, ka të drejtë të bëjë komente edhe kryetari i Grupit Parlamentar të opozitës”. Nga ana e saj, maxhoranca vlerëson se ky propozim bie ndesh pikërisht me pikën 2 të nenit 80 të Kushtetutës, në të cilin thuhet se “anëtari i Këshillit të Ministrave ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Kuvendit ose të komisioneve të tij; atij i jepet fjala sa herë që e kërkon”.
Propozimi i dytë i Partisë Socialiste, që vlerësohet si i papranueshëm juridikisht për PD-në, është dërgimi në Gjykatën Kushtetuese sa herë që ministrat nuk i përgjigjen interesimit të deputetëve për çështje të caktuara. Sipas socialistëve, në nenin 97 të Rregullores duket të shtohet një paragraf, sipas të cilit, “kur anëtari i Këshillit të Ministrave nuk i përgjigjet kërkesës për pyetje apo interpelancë në afatin e kërkuar nga neni 80 i Kushtetutës, çështja kalon për gjykim pranë Gjykatës Kushtetuese”.
Propozimi i tretë antikushtetues për Partinë Demokratike është propozimi që raporti i komisionit hetimor parlamentar të bëhet i fshehtë, njësoj si deri në vitin 2006, kur Rregullorja u ndryshua vetëm me votat e maxhorancës. “Kuvendi vendos me votim të fshehtë për shkarkimin e anëtarit të organit kushtetues, me shumicën e parashikuar, rast pas rasti, në Kushtetutë”, thuhet në propozimin e opozitës për nenin 114, pika 3 të rregullores. Në këtë pikë demokratët kujtojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin e shkarkimit të ish-kryeprokurorit Thoeodhori Sollaku, ku gjykata i dha të drejtë Parlamentit për procedurën që kishte ndjekur.
Propozimet që nuk pranohen
Në të njëjtën kohë, sipas opozitës, janë edhe dy pika të tjera, të cilat për demokratët janë të panegociueshme. Partia Socialiste kërkon që diskutimet jashtë rendit të ditës, të cilat bëhen për 60 minuta në fund të seancës, të rikthehen në fillim të saj, si deri në vitin 2010. Kjo për PD-në nuk mund të ndryshojë më, pasi për një kohë të gjatë Parlamenti nuk funksionoi normalisht për shkak të bllokimit që i bënte opozita. Pika e dytë që nuk negociohet është votimi i dekreteve të Presidentit, i mbyllur dhe jo i hapur, siç është aktualisht. Në këto kushte, kur PD-ja ka rrëzuar propozimet më të rëndësishme të opozitës, ajo që do të negociohet duket se do të jetë vetëm ndryshimi i ligjit për statusin e deputetit.

Amendimi i Rregullores
Propozimet antikushtetuese sipas PD

Në nenin 47 të Rregullores bëhet ndryshimi
Atyre (anëtarëve të Këshillit të Ministrave) u jepet fjala sa herë që e kërkojnë për çështjen e radhës së rendit të ditës, por jo për më shumë se 10 minuta. Kur e merr fjalën Kryeministri, ka të drejtë të bëjë komente edhe kryetari i Grupit Parlamentar të opozitës.
Në nenin 97 të Rregullores shtohet neni 97/1
Kur anëtari i Këshillit të Ministrave nuk i përgjigjet kërkesës për pyetje apo interpelancë në afatin e kërkuar nga neni 80 i Kushtetutës, çështja kalon për gjykim pranë Gjykatës Kushtetuese.
Në nenin 114 pika 3 bëhet ndryshimi
Kuvendi vendos me votim të fshehtë për shkarkimin e anëtarit të organit kushtetues, me shumicën e parashikuar rast pas rasti në Kushtetutë.

Masat disiplinore
Në propozimin e PS-së për masat disiplinore thuhet se “masat disiplinore që zbatohen ndaj deputetëve janë: përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare deri në 15 ditë”. Gjithashtu propozohet të hiqet paragrafi “në rast se shprehjet ose fyerjet e bëra nga deputeti në seancë plenare tërhiqen prej tij në po të njëjtën seancë dhe deputeti kërkon publikisht ndjesë për sjelljen e tij, masa disiplinore e dhënë në zbatim të pikës 3 të këtij neni anulohet nga drejtuesi i seancës”.

Dekretet e Presidentit
Opozita propozon gjithashtu ndryshimin e procedurës për dekretet e kreut të shtetit. “Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit në seancë plenare brenda dy javëve nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe nëse kërkohet nga të paktën një kryetar Grupi Parlamentar, zhvillohet debat për të”. Ky propozim i opozitës nuk është vlerësuar ende nga maxhoranca.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura