Rrëfimi i Halit Bajramit: Unë, njeriu i Hazbiut në bandën e Xhevdet Mustafës

Aug 12, 2011 | 11:05
Kadri Hazbiu në sallën e gjyqit

Halit Bajrami, i mbijetuari i bandës së Xhevdet Mustafës që erdhi në Shqipëri për të vrarë Enver Hoxhën në vitin ’82, është dëshmitari që ka konsumuar numrin më të madh të seancave hetimore të procesit kundër Kadri Hazbiut.Madje, grupi i hetuesve që është përballur me të, është ndërruar disa herë për të mbërritur te versioni përfundimtar i akuzës ndaj ish-kreut të Sigurimit.
Sidoqoftë, mënyra si rrëfen Bajrami misteret e misionit të pamundur të vjeshtës së ’82-shit, i kapërcen kufijtë e ngjarjes së bujshme, duke shpalosur një histori të zgjeruar, që nis me arratisjen e tij në vitin 50, pas një përplasjeje me Mehmet Shehun, emigrimin në Zelandën e Re e deri te rikthimi me bandën terroriste. Në përgjigje të këmbënguljes së hetuesve, ish-oficeri i zbulimit të Ushtrisë kujton çastet e mbërritjes në brigjet shqiptare, vështirësitë e lundrimit natën nëpër Adriatik, momentet e zbarkimit, kontaktet e para në Divjakë, lëvizjen e fshehtë për në thellësi e deri tek përplasja fatale me forcat e Sigurimit. Në dëshminë e të besuarit të Xhevdet Mustafës, marrë nga libri i Kastriot Dervishit, zbardhet numri i viktimave të kapos së tij ende pa rënë në pritë. Dy të parët, kujton Bajrami, ishin dy ushtarakë që na u afruan tek gropa buzë detit ku sa ishim vendosur. Pastaj, shton i mbijetuari i bandës, Mustafa qëlloi një polic që kishte kaluar pranë tyre bashkë me një civil. Ky i fundit, i marrë peng, ka bërë udhërrëfyesin e detyruar të bandës drejt Tiranës. Më tej,

Xhevdet Mustafa

ai tregon se Xhevdet Mustafa gjatë rrugës për në Rrogozhinë ka vrarë edhe një qytetar tjetër që kalonte me biçikletë. Rrëfimi i tij vijon me momentin kur është gjendur i kryqëzuar nga policia në stacionin e trenit në Rrogozhinë. Ka qenë ky momenti kur ka humbur çdo kontakt me pjesëtarët e tjerë të bandës dhe u është nënshtruar procedurave zyrtare si i pandehur për terror ndaj qytetarëve. Në aq sa zbardh i mbijetuari i bandës së Mustafës, është interesant një takim i panjohur i tij me Kadri Hazbiun në një nga dhomat e stacionit të trenit në Rrogozhinë…
2.7.1983
I pandehuri Kadri Hazbiu u njoh me proceset hetimore të datave 12 e 22 mars 1983 dhe 12 e 16 prill 1983 të të pandehurit Halit Bajrami.
Pyetje: Ç’ke për të thënë i pandehur në lidhje me atribuimet që të bën i pandehuri Halit Bajrami, anëtar i bandës kriminale të dërguar nga zbulimi jugosllav sipas kërkesës sate për të vrarë në bashkëpunim me ty dhe persona të tjerë, udhëheqësin e partisë?
Përgjigje: Pasi lexova faqen e parë të këtyre proceseve, refuzoj të jap shpjegime dhe t’i lexoj më tej.
Hetuesi: I pandehur, po të lexoj me zë proceset me dëshminë e të pandehurit Halit Bajrami. (Kadri Hazbiu refuzon të japë shpjegime)
Dëshmia e Halit Bajramit në Hetuesi
Më 24 shtator, Sabaudini tha se do të shkonte t’i telefononte gruas në Turqi, pasi atë e kishte dërguar në Turqi me gjithë vajzën. Më mori dhe mua me vete dhe shkuam në Leçe, një qytet në Italinë e Jugut. Unë rrija në makinë kur ai fliste me të shoqen. Sa mbaroi telefonatën me të, bisedoi në telefon me Peter Paviçin. Sa u kthye nga telefonata me Peter Paviçin, erdhi me shpejtësi te makina ku e prisja unë dhe më tha se duhej të niseshim me shpejtësi. Ku do shkojmë, e pyeta unë. Do shkojmë në Shqipëri sonte, tha. Po ne s’jemi bërë gati, i thashë, ti na ke thënë që para se të nisemi, do na lajmëroje për të sistemuar dokumentet. Pastaj i kujtova që të paktën të çonim plaçkat e t’i linim te shtëpia e tij. Harroji plaçkat, tha, duhet të shkojmë sonte se shokët atje janë në rrezik dhe na presin. Sonte do të nisemi patjetër, gjallë apo vdekur, këmbënguli. Ne shkuam  në bazë dhe Xhevdeti i tha dhe Fadil Kacelit se duhej të niseshim. Ai u trondit pak, mbasi qe si e papritur. E kuptova që ishte një sekret, mendova se ishte nga ana e jugosllavëve, domethënë që të iknim brenda ditës që të mos kishte mundësi të lëvizte asnjëri nga ne. Në të vërtetë, atë ditë në mëngjes, nga ora 04:00 erdhi një grua Madam Vardari prej Belgjike për të ndenjur disa ditë se ishte mikja e Xhevdetit. Po kur Xhevdeti mori vesh lajmin që ne do të niseshim po atë ditë, i tha asaj që të ikte dhe e çoi deri tek stacioni i trenit. Aty nga ora 6 pasdite unë shkova me një italian të cilin e kishte mik Xhevdeti për të provuar barkën me të cilën do të lundronim natën. Ajo kishte një motor të vogël, një tjetër e mbajtëm rezervë. E mbushëm me benzinë barkën. Morëm nja 600 litra benzinë ekstra. E kishim lënë që në orën 9 të vinte Sabaudini aty në Sampoka, ku ishte baza dhe unë shkova në orën 8 e 30 minuta. Ai erdhi pas orës 9, hipi në barkë dhe shkuam në “Tore del orso”. Aty ngarkuam plaçkat në barkë. Fadil Kaceli nuk erdhi aty se më ka dalë shpina, tha. Ai ecte shtrembër dhe unë e besova. Në Zelandë i kishte ndodhur disa herë, ndaj shkonte te doktori për këtë. Këtë radhë e bëri me qëllim apo ishte vërtet i sëmurë, këtë nuk mund ta verifikonim. Hipëm në barkë dhe u nisëm para mesnate. Gjatë rrugës konstatuam se na ishte prishur busulla. Që këtej, drejtimin e mbanim vetëm me anën e yjeve. I thosha Xhevdetit që jemi midis Vlorës dhe Durrësit, duke e bindur se nuk jemi në zonën greke. Tu ec u afruam në bregun e detit. Aty ishte një breg rëre. Ishim duke i rënë bregut mes për mes se frynte erë e fortë. Në çast e ktheu barkën. Unë isha sipër bidonëve dhe rashë poshtë. Nejse, ndaluam barkën dhe zbritëm. Sakaq, i them italianit të ikte e ta kthente barkën në bazë, në Sampoka të Italisë. Ne dolëm në tokën shqiptare dhe filluam të shikonim përqark. Dukej një pyll ndonjë 100 metra larg, ku kishte kanal uji, det e nuk mund të kalonim. Ishte thellë, ata e provuan dhe e lamë që të rrinim atë ditë aty e natën të dilnim, se kishim litar me vete t`u lidhshim me kalue me çdo mënyrë. Aty bëri Xhevdeti një gropë të madhe. Vumë një mushama, rregulluam plaçkat dhe ndenjëm. Zbardhi drita, unë isha zgjuar. Ata i kishte zënë pak gjumi. Pashë pesë barka të vogla me motorë që kalonin shumë afër nesh. Deri afër drekës unë ndenja aty duke shikuar, pastaj i thashë Sabaudinit që të bënte pak roje se mua po më vinte gjumë. Mirë, më tha. Mbulova kokën dhe rashë për të fjetur. Pas pak kohësh, dëgjoj të shtime automatiku. U zgjova. Kur shikoj Xhevdetin, që rrinte para dy njerëzve të vrarë, ish-oficerë të Sigurimit më duket. Po ç`ke bërë mor Xhevdet, i thashë. U thashë që të dorëzoheshin kur zbritën nga një barkë atje poshtë më tha dhe nuk pranuan, por filluan të ecin në drejtim të gropës sonë. Ke bërë gabim, i thashë, se ne kemi ardhur për qëllim tjetër, kemi ardhur me shkue në Tiranë. Kur pas ndonjë gjysmë ore, erdhi një barkë afër nesh me dy njerëz. U afrua ajo dhe Xhevdeti bëri me dorë. Zbritën këta njerëzit nga barka. Njëri ishte veshur me uniformë dhe tjetri ishte civil, me brekë të shkurtra dhe pa këmishë. Xhevdeti u vuri automatikun. Dorëzohuni!- i tha atij oficerit. Ai nuk u dorëzua. Në debat e sipër, Xhevdeti i ra atij dhe e vrau. Ndërkaq, iu kthye atij civilit, duke i thënë se nuk do ta vriste nëse do ta nxirrte në anën tjetër të bregut me barkën e vogël. Ai pranoi. Hipëm në barkë, e me gjithë armatimin që kishim me vete, duke lënë tek gropa plaçkat e tjera. E lamë barkën në bregdet dhe çantën që kishim me mitralozat brenda, Xhevdeti ia ngarkoi këtij udhëheqësit të rrugëtimit. Ai ishte një peshkatar, nga fshati aty afër. I thamë të na nxjerrë në një rrugë automobilash. Ecëm pas tij dhe u afruam tek një rrugë që na tregoi ai. Kur ndaluam, Xhevdeti iku vetëm përpara me pa ku ishte rruga. Në atë kohë që ne rrijshim aty, kaloi dikush me biçikletë e nuk na pa se ishim pas drurëve, pas atyre pishave të mëdha. Në çast, dëgjuam nja dy tre të shtime. Ububu, thashë, do të ketë shtirë Xhevdeti, mos ka vrarë atë fshatarin me biçikletë. Sakaq, ai erdhi aty dhe deshi me vra udhëheqësin, atë fshatarin që na printe. I thashë në anglisht se nuk duhej ta bënte këtë. Unë jam stërvitur vetëm me vra, më tha. Nuk bën me vra, i thashë, kemi nevojë për të. Xhevdeti pranoi. Ai udhëheqësi më shikoi mua dhe më tha: Do më vrisni? Jo, i thashë, nuk të vrasim, por ti ki kujdes, mos u mundo me ikë. Kur të mbërrijmë në Tiranë, do të të lëshojmë dhe ti do jesh i lirë. Pastaj dolëm në rrugën kryesore dhe u fshehëm në pyll. Aty ishte një urë që shkonte për në Divjakë. Ndenjëm nja dy orë gati aty. Para mesnate, hymë afër Divjakës. Nuk hymë në fshat brenda, por u kthyem në krahun e majtë e ecëm prapë në tokë të punueme, duke dalë sërish në rrugën kryesore. Pas tri-katër orësh që po ecnim, pyetëm atë udhëheqësin se ku ishim. Ai na tha se ishim afër urës së Shkumbinit. Gjetëm një kodër atje dhe ndenjëm, u çlodhëm pak. Të nesërmen kur lindi dielli, u ngritëm. Futëm automatikët e zbërthyer në çantë dhe dolëm në xhade të veshur civilë. Në xhade takonim njerëz të ndryshëm, me disa prej të cilëve përshëndeteshim. Diku, unë u them që të merrnim një drejtim tjetër, në mënyrë që brenda tri-katër netëve të futeshim në Tiranë nga ana e Elbasanit ose nga ana e Bishqemit, nga vende të ndryshme që unë i kisha njohur që kur isha partizan në Pezë. Ata nuk pranuan. Sabaudini tha se duhet të jemi sot në Tiranë, duke shtuar se nuk ka mundësi të rrimë tri-katër net rrugëve, pasi atje shokët na presin. Mirë, u thashë unë, doni kështu, kështu bëjmë, por është e rrezikshme ama, se do të shkojmë brenda në Rrogozhinë, se ishte Rrogozhina aty. Me bë me u diktue, thashë, i gjithë misioni ynë mbaron. Do të shkojmë patjetër, tha Sabaudini, ose me kamion, ose me tren. Mirë, thashë dhe hymë, kaluam aty, kaluam postbllokun, ishin disa oficerë e ushtarë, por nuk na tha njeri gjë. Shkuam afër stacionit të trenit dhe u ulëm. Xhevdeti u ul me atë udhëheqësin, kurse unë shkova e pyeta për biletat e trenit. Treni i parë iku më thanë për Tiranë. Treni i dytë kalonte pasdreke e biletat shiteshin vetëm gjysmë ore para. Në pritje i ramë gjysmë ore xhiro qytetit. Gjysmë ore para se të vinte treni, bleva biletat. Xhevdeti, së bashku me udhëheqësin, sollën çantat tek unë. Çantën me armatim e prumë brenda në sallë, ku uleshin njerëzit. Dolëm jashtë. Kur po rrinim aty me Sabaudinin, na vjen një civil e na thotë nëse kishte mundësi të shkonim në dhomën tjetër. Më shkoi mendja menjëherë e tani thashë, sigurisht do të kemi ndërlidhje që të na marrin shokët. Kur shkuam në dhomën tjetër, shoh dy oficerë, policë me uniformë që rrinin në këmbë. Të parin pyetën Sabaudinin për letërnjoftimin. Ai u tha se e kishte në çantën përjashta. Po ti, më pyetën mua. Jam filani, u thashë, e u tregova emrin e vërtetë, jam prej Durrësi e dokumentin e kam lënë në shtëpi. Në këtë kohë, Sabaudini kishte dalë tek dera. Mua brenda sekondave më shkoi mendja se ishte momenti kritik e gjithçka po merrte fund. Misioni ynë mbaroi, s`ka mundësi të kryhet, është e kotë të zgjatemi, mendova aty për aty. Më morën revolen nga brezi. Kur kërkonin dokumente të tjera, u thashë: Çfarë dokumente kërkoni, ne jemi diversantë, jemi vrasës. Ju lutem, më çoni në polici. Në çast më lidhën duart e më pas erdhi një makinë aty. Sabaudini iku me atë tjetrin e ranë në përpjekje më duket, nuk e di se ç`ngjau, se nuk i pashë më pastaj. Mua më çuan në polici e po rrija aty. Isha i ulur në një karrige, kur nga korridori vjen një njeri me dorë në xhep e filloi të ecë përpara meje duke më sha. Unë ngrita kokën, kur shikoj Kadri Hazbiun me njërën dorë në xhep. Më hyri frika, se ne kishim për ta takuar këtë njeri, por po e takonim këtu, në një vend tjetër. Pasi më shau nja dy-tri minuta, iku. Pas dhjetë minutash, erdhi aty ministri i Brendshëm, Hekuran Isai. Ai erdhi dhe më pyeti për identitetin e ku di unë çfarë. Më morën pastaj me makinë e më sollën në burgun e Tiranës. Kështu që mbaroi misioni që na dhanë jugosllavët për Kadri Hazbiun.
Pohimet në gjyq
Mesazhin e jugosllavëve do t’ia transmetoja unë Kadri Hazbiut. Ky ishte obligimi jem. Kur të takosh Kadri Hazbiun, më kishte thënë Sabaudini për këtë, do t’i shpjegoja përbërjen e grupit dhe do t`i flisja sa më tepër për Xhevdet Mustafën që është njeri i vendosur, i stërvitur nga CIA. Do t’i thosha se është i bindur dhe mjafton të ketë detyrë dhe e bën. Detyrë terroriste. Do t’i thosha se ky është njeriu që do të futet në një mënyrë ose në një tjetër për të vrarë Enver Hoxhën gjatë gjullurdisë që do të bëhet. Ai më kishte shpjeguar edhe çfarë do të ndodhte pas aktit që do të kryente Xhevdet Mustafa. Gjatë vrasjes, Kadri Hazbiu do të kishte mundësi të merrte pushtetin në dorë, gjithmonë në emër të partisë, që të mund të bëhej grusht shteti, me anë të puçit ushtarak. Pika e dytë ishte që Kadri Hazbiu do të organizonte koordinimin e veprimit të bandës me puçin ushtarak. Pika e tretë ishte që Kadri Hazbiu të caktojë ekzaktësisht vendin, kohën, ditën dhe mënyrën se si Xhevdet Mustafa do të vriste Enver Hoxhën. Pika e katërt ishte ndërlidhja midis meje e Kadri Hazbiu,  të cilën do ta mbaja unë, askush tjetër. Pika tjetër, sapo të merrte pushtetin Kadri Hazbiu, do të merrte kontakte me Ambasadën Jugosllave në Tiranë. Këto ishin pak a shumë pikat që më tha Sabaudini mua për me ia transmetu Kadriut…

vijon…

Kush ishte Halit Bajrami

Halit Bajrami, i njohur ndryshe me pseudonimin “Bazeni”, i biri i Rizait dhe Ismetes, i vitlindjes 1925, ish-partizan i Pezës dhe Brigadës së Tretë, shërbeu pas çlirimit për disa vite me radhë në detyrën e kreut të Sigurimit të Divizionit të Korçës. I pakënaqur nga vlerësimi i Mehmet Shehut për aktivitetin e tij, në vitin 1950 u arratis jashtë Shqipërisë. Për disa muaj qëndroi në kampin e emigrantëve në Greqi dhe më vonë fitoi azil politik në Zelandën e Re, ku qëndroi deri në fillimin e viteve ’80. Pikërisht në vjeshtën e vitit ’82 u bashkua me një grup që do të zbarkonte në Shqipëri me mision të zbulimit jugosllav. Ka qenë shtatori i atij viti kur banda e Xhevdet Mustafës, në të cilën bënte pjesë edhe ai, ra në pritën e organeve të Sigurimit dhe u asgjësua. Bajrami mundi të mbijetojë. Menjëherë pas procesit të Kadri Hazbiut u riatdhesua në Zelandë, ku kishte familjen.

 

AFRIM IMAJ

© Panorama.al

Te lidhura