
AP publikon përmbajtjen nga libri, bie versioni i Shtëpisë së Bardhë.
Rrëfimet e anëtarit të “Navy SEAL” që hynë në shtëpinë e Osama bin Laden në Pakistan dhe e ekzekutuan atë në 2 majin e vitit të kaluar janë kontradiktore me versionin zyrtar, duke ngritur pyetje mbi vdekjen e tij. Bin Laden ka vrarë veten me plumb në kokë, kur ka parë nga korridori se komandot amerikanë po mbërrinin në dhomën e tij, sipas Met Bajsonet, autor i librit “No easy day” që flet mbi aksionin e vrasjes së Bin Ladenit. Ai shkruan me pseudonimin Mark Owen, por disa agjenci mediatike e publikuan emrin dhe foton e tij. Tashmë ai rrezikon jetën nga përkrahësit e Al Kaedës, siç kanë kërcënuar në disa ueb-faqe të tyre. Libri publikohet javën e ardhshme në SHBA.
Rrëfimi
Bajsonet tha se ndodhej direkt pas “njeriut pikë” (i pari i skuadrës), që po ngjitej në korridorin e errët. Më pak se pesë hapa nga maja e shkallës, ai dëgjoi shkrepjen e një arme dy herë. “Njeriu pikë” kishte parë një burrë në krahun e djathtë të korridorit. Autori shkruan se Bin Laden ishte kthyer në dhomën e tij të gjumit dhe komandot e kishin ndjekur, duke e gjetur atë të shtrirë në tokë në një pellg gjaku me një vrimë të dukshme në krahun e djathtë të kokës dhe dy gra që vajtonin mbi trupin e tij. Bajsonet shkruan se “njeriu pikë” tërhoqi dy gratë dhe i vendosi ato në një cep dhe, bashkë me komandot e tjerë, drejtuan lazerat e armëve drejt trupit të Bin Ladenit duke e goditur atë disa herë. “SEAL” më pas gjetën dy armë të paprekura pas derës së dhomës. Bin Laden kishte veshur një bluzë të bardhë, pantallona dhe një tunikë. Në versionin zyrtar thuhet se komandot qëlluan, pasi Bin Laden ishte i armatosur dhe përbënte rrezik. Pas publikimit të këtij versioni kur “Associated Press” siguroi një kopje të librit, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Tomi Vietor, nuk ka komentuar. Rrëfimi i Bajsonet ngre pyetje nëse misioni ishte për të kapur apo për të vrarë Bin Ladenin. Një person nga Departamenti i Mbrojtjes që ata kishin takuar para misionit, i kishte thënë: “Nëse Bin Laden është i zhveshur dhe i paarmatosur ju nuk duhet ta qëlloni, nëse është i parrezikshëm arrestojeni”.
Versioni zyrtar
U deshën rreth 15 minuta për të gjetur dhe vrarë Osama Bin Laden në rezidencën e tij në Abutabad, Pakistan. Të përfshirë në misionin e 2 majit 2011 në orët e para të mëngjesit ishin 79 komando që mbërritën me helikopterë nga Jalalabad, Afganistan. Helikopteri i parë u rrëzua në oborr. Të tjerët u ulën jashtë shtëpisë. Ekipi “SEAL” shpërtheu derën me eksplozivë dhe hyri në rezidencë. Komandot qëlluan tre burra dhe një grua. Në katin e tretë, tre “Navy SEAL” panë Bin Laden në fund të një korridori. Ai ishte kthyer me shpejtësi në dhomë dhe kishte një armë afër tij, dy gra i dolën përpara për ta mbrojtur. Një komando tërhoqi gratë dhe tjetri pas tij qëlloi Bin Laden, një herë në kraharor dhe një herë në kokë. Kodi “Xheronimo” u dëgjua në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë, që sinjalizonte vdekjen e shënjestrës. “SEAL” fotografoi trupin për identifikim. Shpërtheu helikopterin e rrëzuar në oborr, dhe ata u kthyen në bazën ajrore “Bagram” në Afganistan. Më pas, trupi i Bin Laden u “varros” në det.
Trajtimi i trupit
Zyrtarët amerikanë thanë se trupi ishte trajtuar me dinjitet përpara se të përcillej në det, por autori tha se në helikopterin që po i largonte nga rezidenca, një nga komandot “SEAL” i quajtur nga autori me pseudonimin “Walt”, ishte ulur mbi kraharorin e Bin Laden ndërsa ai shtrihej në mes të kabinës. Ata kryen një fluturim të shkurtër deri në një pikë karburanti në Pakistan, ku po i priste një helikopter i tretë. Kjo është një praktikë e zakonshme, që komandot ulen mbi trupat e të vdekurve në helikopterë. Nuk kishte shumë vend, sepse një nga helikopterët ishte shpërthyer pas rrëzimit.
“Anti”-Obama
Bajsonet shkruan se asnjë nga “SEAL” nuk e mbështeste Presidentin Barak Obama dhe e dinin se administrata e tij do të merrte të gjitha meritat për urdhërimin e misionit. Një nga “SEAL” tha pas misionit se sapo kishin vendosur rizgjedhjen e Obamës. Por shtoi se e respektonte për pozicionin që kishte, pasi dha urdhrin e misionit. Bajsonet kujtoi edhe takimin me zv.presidentin Xho Bajden dhe Obamën në zyrat qendrore të Regjimentit Special të Aviacionit 160 për Operacionet Speciale. Ai tha se Bajden thoshte “shaka mpirëse” që askush nuk i kuptonte, duke i kujtuar xhaxhain e dehur të dikujt për Krishtlindje.
Informacion i klasifikuar
Përveç rrëfimeve të sikletshme për administratën, zyrtarët amerikanë druhen se libri mund të ketë informacione të klasifikuara, pasi nuk u dorëzua në Pentagon për rishikimin zyrtar, i cili kërkohet për çdo ish-punonjës të Departamentit të Mbrojtjes. Zyrtarët në Pentagon dhe CIA po shikojnë me kujdes dorëshkrimin për të vendosur nëse duhen marrë masa ligjore kundër autorit, tashmë në pension. Autori mohon ta ketë bërë një gjë të tillë. Emri i Bajsonet u publikua fillimisht nga “Fox News” dhe u konfirmua nga “The Associated Press”. Xhihadistët kanë kërkuar vrasjen e tij.











