TIRANE – Gjykata e kryeqytetit la të lirë dje tifozin e akuzuar se ka ushtruar dhunë katër ditë më parë ndaj presidentit të skuadrës së Partizanit, Albert Xhani. Shtetasi Erald Vata, 18 vjeç, doli dje para gjykatës me akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”. Në seancë i pandehuri e kundërshtoi akuzën, duke thënë se nuk e ka qëlluar Albert Xhanin për shkak të detyrës. “Ne ishim mbledhur dhe po qëndronim te Federata, ku pritej të merrej një vendim për Partizanin. Albert Xhani doli dhe na ka fyer, e kam qëlluar unë dhe disa të tjerë vetëm sepse na ka fyer dhe na ka provokuar. Nuk e kemi sulmuar se është president i Partizanit”, tha dje 18-vjeçari në gjykatë. Pyetjes që iu bë në gjyq se ç’lidhje kishte ai nga Burreli me Partizanin, i riu iu përgjigj se Partizani ka tifozë në të gjithë Shqipërinë.
Në datën 15 gusht, shërbimet e hetimit dhe të parandalimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, arrestuan 18-vjeçarin Erald Halil Vata, i cili u akuzua se në Rrugën e Elbasanit, në ambientet e FSHF-së, rreth orës 11:00, ka goditur për shkak të detyrës presidentin e klubit “Partizani”, Albert Xhani. Prokuroria kërkoi dje masën e sigurisë detyrim paraqitje për të riun, masë që u pranua nga gjykata.











