
Maxhoranca propozon ndryshime drastike në Kodin Penal për dhunën në familje. Dhjetëfishohen dënimet.
Krimet mizore ndaj grave shtatzëna e fëmijëve nuk përfitojnë falje.
Maxhoranca ashpërson legjislacionin lidhur me fenomenin e dhunës në familje, ndaj grave dhe fëmijëve. Rrahja apo çfarëdo vepër dhune në familje do të dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vite heqje lirie. Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar dje në parim ndryshimet në katër draftet e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Propozimi për dënimin deri në 5 vite burgim të individëve që keqtrajtojnë gratë apo bashkëjetueset, është propozuar dje nga deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi dhe pritet të jenë pjesë e Kodit Penal, pasi ka marrë dakordësinë e palëve në parim. Ndryshimet që propozohen, kanë të bëjnë me nenin 90 të Kodit Penal, që i është shtuar një paragraf i ri, në të cilin specifikohet masa e dënimit nga 6 muaj deri në 5 vite. Gjithashtu do të shtohet neni 65/a në Kodin e Procedurës Penale, që ka të bëjë me periudhën e sigurisë të cilën do të vuajë shkelësi i ligjit. Në amendimet e propozuara përjashtohet dhënia e lirisë me kusht apo falja e dënimit nëse konstatohet dhunë e kryer me mizori apo egërsi ndaj grave shtatzëna, fëmijëve apo personave të tjerë të paaftë për t’u mbrojtur. “Këto tekste janë të formuluara posaçërisht të vendosura për një institut të ri të vendosur për çështjen e sigurisë, sikur parashikohet në nenin 65/a, që është huazuar nga Kodi francez dhe posaçërisht: Gjykata në dhënien e vendimit, mund të vendosë edhe caktimin e një periudhe sigurie, gjatë së cilës nuk lejohet zbatimi i nenit 64,65,70 (lirimi me kusht dhe falja) të këtij Kodi, në rastet kur ekziston një nga këto rrethana: ‘Kryerja e veprës penale është bërë me egërsi dhe mizori; Kur vepra është kryer kundër fëmijëve, grave shtatzëna ose personave që për shkaqe të ndryshme nuk mund të mbrohen. Kur vepra është kryer duke përfituar nga marrëdhëniet familjare ose të bashkëjetesës; Kur kryerja e veprës penale është shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, fenë, kombësinë, gjuhën, bindjen politike, fetare ose sociale”, thuhet në amendimet e deputetit demokrat. Për specialistin e PD-së, periudha e sigurisë do të kryhet e plotë dhe me dënimin e plotë, nëse do të ushtrohen aktet e dhunës ndaj shtesave të ndryshme. “Periudha e sigurisë shtrihet për afatin kohor nga 2/3-at e vendimit të dhënë nga gjykata deri në kohëzgjatjen e plotë të dënimit penal. Periudha e sigurisë do të thotë në vetvete vendosje e një afati minimal dhe një afati maksimal, nga një afat kohor nga 2/3-at e vendosura nga gjykata deri në ekzekutimin e plotë të dënimit penal, brenda të cilit gjykata me vendim nuk lejon që të kryhet lirimi me kusht apo falja”, theksoi Gumi.
Iniciativa
Anëtari i Partisë Demokratike në Komisionin e Ligjeve theksoi se ndryshimet për ashpërsimin e legjislacionit për dhunën në familje vijnë pas kërkesës së bërë nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Socialiste kërkesave të organizatave jo fitimprurëse dhe letrave të ambasadorëve të akredituar në Tiranë, që kërkojnë ndaljen e fenomenit të dhunës. “Spuntoja kryesore për këto ndryshime ka ardhur nga sugjerimet e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale dhe një sërë organizatash të tjera vendëse dhe të huaja dhe me një letër të ambasadorëve të huaj në Shqipëri, që kërkojnë masa të posaçme penale për dhunën në familje”, tha deputeti demokrat. Amendamentet e paraqitura dje në Komisionin e Ligjeve pritet të diskutohen në mbledhjen e sotshme. Deputetet e opozitës kanë dhënë votën e tyre pro në parim dhe pritet që ky ndryshim i rëndësishëm, që kërkon 84 vota në Parlament, të miratohet me konsensusin e të dy palëve.
Amendamentet e Viktor Gumit
I. Pas nenit 90 shtohet neni 90/a me këtë përmbajtje:Neni 90/a
Dhuna në familje
Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, e kryer nga autori i veprës ndaj personit që ka ose ka pasur marrëdhënie bashkëshortore apo bashkëjetese, dënohet me burgim nga 6 muaj gjer në 5 vjet.Nenin 65/a
Periudha e sigurisë
Gjykata në dhënien e vendimit mund të vendosë edhe caktimin e një periudhe sigurie, gjatë së cilës nuk lejohet zbatimi i nenit 64,65,70 (lirimi me kusht dhe falja) të këtij Kodi, në rastet kur ekziston një nga këto rrethana:
a. Vepra penale, masa e dënimit të së cilës është mbi 5 vjet;
b. Kryerja e veprës penale është bërë me egërsi dhe mizori;
c. Kur vepra është kryer kundër fëmijëve, grave shtatzëna ose personave që për shkaqe të ndryshme nuk mund të mbrohen;
d. Kur vepra është kryer duke përfituar nga marrëdhëniet familjare ose të bashkëjetesës;
e. Kur kryerja e veprës penale është shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, fenë, kombësinë, gjuhën, bindjen politike, fetare ose sociale.Periudha e sigurisë shtrihet për afatin kohor nga 2/3-at e vendimit të dhënë nga gjykata deri në kohëzgjatjen e plotë të dënimit penal.
PD-PS, shfuqizohet neni për “shpifjen” ndaj Presidentit
Konsensusi mes maxhorancës dhe opozitës
Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje në parim katër draftet e propozuara për ndryshimet në Kodin Penal. Partia Socialiste është tërhequr nga qëndrimi për të hedhur poshtë nenin 318 të Kodit Penal, që lidhet me shpifjen ndaj Presidentit të Republikës. Ky nen parashikon sanksionin kur kryhet vepra e shpifjes ndaj kreut të shtetit. Në këtë nen thuhet se “shpifja e qëllimshme ndaj Presidentit të Republikës dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”. Ndryshe nga qëndrimi paraqitur në seancën e mëpasshme, relatorja e Partisë Socialiste në Komisionin e Ligjeve, Ermonela Felaj, theksoi se opozita bie dakord me maxhorancën për të shfuqizuar këtë nen, që parashikon masa ndëshkimore deri në tri vite burgim. ”Për nenin 241, shpifja ndaj Presidentit të Republikës, ne biem dakord që neni për shpifjen ndaj Presidentit të shfuqizohet, sipas arsyetimit që gëzojnë të gjithë funksionarët e tjerë”, theksoi Felaj. Relatorja e PS u shpreh më tej se: “Neni 318 (fyerja ndaj gjyqtarit) do të ishte mirë që të qëndrojë për t’i dhënë mbrojtje të posaçme dinjitetit të funksionit dhe solemnitetit të seancës gjyqësore, por duhet të shfuqizohet dënimi me burgim”, theksoi deputetja e PS. Anëtarët e opozitës në Komisionin e Ligjeve shprehen kundër heqjes nga Kodi Penal të neneve që kanë të bëjnë më fyerjen, shpifjen. Sipas deputetes së PS-së, gjoba e parashikuar prej 3 milion lekësh është e një niveli të lartë dhe diskriminuese për gazetarët. “Nenet 119 (fyerja); 120 (shpifja); 239 (fyerje për shkak të detyrës); 240 (shpifja për shkak të detyrës) nuk duhet të shfuqizohen. Propozimi ynë është të shfuqizohet vetëm sanksioni i dënimit me burgim, duke i klasifikuar si kundërvajtje penale që dënohen më gjobë. Kufiri i sipërm i gjobës që parashikon ligji (3 milionë lekë) duket i lartë dhe mund të konsiderohet diskriminues për një gazetar, ndaj do të ishte me vend që masa e saj të përcaktohet në sanksionin e dispozitës”, tha deputetja e PS.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











