
Prokuroria e Tiranës kërkoi dje dënimin me nga tre muaj burg dhe konvertimin e tyre në 80 orë punë në të mirë të komunitetit për të përndjekurit politikë që goditën deputetin Ilir Rusmali dhe avokatin Agim Tirana. Prokurori i çështjes Ervin Karanxha kërkoi dje në Gjykatë shpalljen fajtor të shtetasve Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko, të akuzuar për veprat penale “kundërshtimit të punonjësit të rendit publik”, “goditjes për shkak të detyrës në dëm të avokatit Agim Tirana” dhe Lirak Bejko, i akuzuar për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës në dem të të dëmtuarit Ilir Rusmali”. Sipas Prokurorisë, nga hetimi paraprak dhe shqyrtimi gjyqësor, ngjarja ka ndodhur si më poshtë:
Ne datën 16.02.2012, rreth orës 09:30 përpara godinës se ish-të përndjekurve politikë po bëheshin homazhet ndaj ish-të dënuarit politik, Gregor Zahari, 74 vjeç, i cili kishte vdekur para disa kohësh dhe kishte qëndruar në morgun e Tiranës disa ditë. Kufoma e këtij shtetasi nuk ishte tërhequr nga morgu i Tiranës, pasi ky shtetas nuk kishte të afërm. Rreth orës 10:00, një grup ish-të përndjekurish politikë po bënin homazhe në kujtim të Gregorit. Në këtë kohë ka dalë nga Kuvendi i Shqipërisë deputeti Ilir Rusmali për të shkuar te makina e tij. Aty i pandehuri Lirak Bejko është afruar pranë deputetit dhe e ka goditur këtë deputet për shkak të detyrës së tij si deputet (fakt i cili pranohet nga vetë i pandehuri Lirak). Menjëherë aty janë afruar disa punonjës policie, të cilët kanë neutralizuar dhe kapur Lirakun në flagrancë. Në këtë moment është afruar i pandehuri Gjergj Ndreca, i cili ka kundërshtuar me dhunë forcat e Policisë së Shtetit për shkak se ato kishin kapur shokun e tij, Lirak Bejko. Gjatë kundërshtimit Gjergji ka hedhur në tokë punonjësin e Policisë Saimir Bazhdari. Gjergj Ndreca në këtë kohë ka fyer me fjalë dhe shprehje fyese për nderin dhe dinjitetin personal punonjësit e Policisë Florian Hysolli dhe Saimir Bazhdari. Nga këqyrja e jashtme e datës 16.02.2012 të punonjësit të Policisë Saimir Bazhdari del mjaft qartë se ky punonjës Policie është kundërshtuar me dhunë nga ana e shtetasit Gjergj Ndreca. Në këto kushte, Policia Gjyqësore ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve Lirak Bejko dhe Gjergj Ndreca, duke mbajtur edhe procesverbalin përkatës. Arrestet e Policisë Gjyqësore janë vleftësuar si të ligjshme nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimet e datës 19.02.2012, çka do të thotë se nga Policia Gjyqësore është respektuar procedura ligjore e parashikuar nga nenet 251 dhe 252 të Kodit të Procedurës Penale. Punonjësit e Policise Fatmir Avdiaj, Paulin Doda, Sajmir Bazhdari, Florian Hysolli, Arben Duqi dhe Paulin Martini kanë mbajtur raportin e shërbimit përkatës (i datës 16.02.2012), ku përshkruhet në mënyrë të hollësishme ngjarja e mësipërme e ndodhur. Këta punonjës Policie dëshmuan para gjykatës se Lirak Bejko ka goditur deputetin Ilir Rusmali dhe se Gjergj Ndreca ka fyer dhe kundërshtuar me dhunë forcat e rendit. I akuzuari Lirak Bejko e justifikon veprimin e tij me faktin se deputeti Rusmali kishte parkuar makinën afër vendit ku ata po bënin homazhet ndaj të ndjerit Grigor Zaharia dhe për këtë fakt është ndier fyer, kurse i pandehuri Gjergj e justifikon veprimin e tij si hakmarrje ndaj ish-hetuesit Agim Tirana për një ngjarje të ndodhur para shumë vitesh.
Rrahja e avokatit Agim Tirana
TIRANE – Në datën 22.02.2012, në vendin e quajtur lokal bar-restorant “Lulishte 1 Maji”, Gjergj Ndreca ka goditur shtetasin Agim Tirana, për shkak të detyrës së tij si hetues që ky shtetas ka pasur para shumë kohësh. Për këtë fakt shtetasi Agim Tirana ka bere kallëzim në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë. Në kallëzimin e tij sqarohet fakti se Agimi është goditur për shkak të detyrës që ka pasur më parë, nga i pandehuri Gjergj Ndreca. Duke qenë se për shkak të goditjes shtetasi Agim Tirana kishte dëmtime të dukshme, nga ana e Policisë Gjyqësore është vendosur kryerja e ekspertimit mjekoligjor te kallëzuesit. Nga akti i ekspertimit mjekoligjor del se dëmtimet e shtetasit Agim Tirana hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve që shkaktojnë humbje të aftësisë së përkohshme për punë në masën deri nëntë ditë (rrahje). Vetë të pandehurit Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko e kanë pranuar akuzën e ngritur ndaj tyre.
TRAZHGIM SOKOLAJ











