
Kontrolli zbulon legalizimin e objekteve që s’ekzistonin në hartën e fotografimit satelitor. Leje edhe për shtëpi në bregdet.
Raporti “kryqëzon” agjencinë. Rritet doza e ndëshkimeve.
Shkelje të kritereve të ligjit, performancë e ulët e drejtuesve dhe punonjësve, abuzime me detyrën. Janë këto disa nga togfjalëshat që KLSH-ja ka zgjedhur të përdorë në raportin e saj, pas kontrollit në drejtorinë qendrore dhe disa drejtori rajonale të Agjencisë së Legalizimeve. Materialet e evaduara gjatë periudhës 9 maj-15 shtator të vitit të kaluar, që përfshijnë aktivitetin e këtyre drejtorive përgjatë viteve 2009-2011, kanë nxjerrë në pah shumë shkelje dhe dëm të konsiderueshëm ekonomik. Lidhur me ecurinë e procesit të legalizimeve, duket se pas shuplakës që kanë dhënë institucione ndërkombëtare për ngadalësinë që e ka karakterizuar, edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se performanca është e ulët. “Nga 270 mijë aplikime për legalizim, 240 mijë prej tyre kanë paguar tarifën e shërbimit, nga të cilat vetëm 8712 dosje ose 4 për qind janë dërguar në Drejtorinë Qendrore të ALUIZNI-t, për miratim leje legalizimi dhe për 7039 pre tyre është kryer ky proces. Ky fakt tregon për një nivel të ulët performance nga drejtuesit dhe punonjësit e Drejtorisë Qendrore dhe drejtorive rajonale të këtij institucioni”, thuhet në raportin e KLSH-së. Natyra e shkeljeve të përmendura në raport është e ndryshme, por një nga rastet më flagrante duket se është ai i legalizimit të një objekti, që në fakt në kohën e fotografimit ajror nuk rezultonte. Po kështu janë dhënë edhe leje për parcela ndërtimore që janë pranë trasesë së trenit apo në zonë turistike. Në total, nga kontrolli në Drejtorinë Qendrore dhe në drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t në Tiranë, Durrës dhe Fier rezulton që të jetë shkaktuar një dëm 42.7 milionë lekë, plus edhe një dëm në euro në masën 364.7 mijë euro. Ajo që bie në sy në raportin e KLSH-së, është ashpërsimi i dozave të ndëshkimit. Kreu i këtij institucioni, Bujar Leskaj, edhe gjatë analizës vjetore theksoi rritjen e masës së ndëshkimit për shkelësit e ligjit dhe bashkëpunim më të madh me Prokurorinë. Në raportin për ALUIZNI-n rezulton të jenë bërë dy kallëzime në Prokurori, si dhe një lumë masash për largim nga detyra dhe paralajmërime. Por duket se KLSH nuk ka mbaruar ende punë me ALUIZNI-n. Pas përfundimit të kontrollit në Drejtorinë Rajonale në Vlorë, pritet që audituesit të rikthehen edhe një herë në drejtorinë qendrore.
47 milionë lekë rezulton të jetë dëmi i shkaktuar nga drejtoritë e ALUIZNI-t, sipas kontrolleve të ushtruara nga KLSH-ja për aktivitetin e tyre në vitet 2009-2011. Po kështu, këtij dëmi i shtohen edhe 364 mijë euro të tjera.
Abuzimet
. Objektet e legalizuara dhe parcelat ndërtimore janë në zonë turistike. Objektet janë pranë rrugës kombëtare
. Objektet e legalizuara dhe parcelat ndërtimore janë pranë trasesë së trenit
. Eshtë miratuar leje për objekt që nuk rezulton i ndërtuar në momentin e fotografimit ajror
. Objekti i legalizuar dhe parcela janë pranë një objekti në zonë me vlera muzeale dhe historike
. Rezulton se objekti i legalizuar dhe parcela është pranë vijës bregdetare
NERTILA MAHO
© Panorama.al











