Ashtu si të gjithë personazhet VIP të televizionit në botë, që dëshirojnë të shfaqen me një profil ndryshe në ekran, edhe këngëtarja Rozana Radi provon të shfaqet ndryshe. Jemi mësuar ta shohim në skenë duke kënduar, por kësaj here do të mund ta shihni në një studio televizive, ndërsa rrethohet nga enë kuzhine dhe ushqime për gatime. Rozana Radi do të drejtojë një program të ri kuzhine, që ka për autore motrën e saj, Andeta Radi, ku do të zbulojë dhe një anë të saj të fshehtë, që është pasioni për gatimin. Nga miq të saj të afërt kemi mësuar se ajo di të gatuajë shumë mirë, por prapë le të shohim se cilat do të jenë recetat speciale që ajo do sugjerojë dhe do të realizojë në ekranin e “AS”. Ende nuk është caktuar një datë e fillimit të programit, ndërkohë që është hapur audicioni për të gjithë të pasionuarit pas kuzhinës, dhe që mendojnë se mund të jenë shefa të zotë. Ky është një projekt televiziv i përjavshëm, që do ta lidhë më shumë Rozanën me Tiranën, ndërkohë që për sa u përket planeve për muzikë, ajo po përgatitet për të konkurruar në “Kënga Magjike 2012”, ku si gjithmonë konkurron me këngë e perfomancë të zgjedhur.











