Rovena Stefa i shpëton jetën një vajze 4 vjeçe

Aug 13, 2011 | 14:07

Po ta shihni me kujdes foton në të majtë, me siguri ju vjen ndër mend Afrika, misionet shpëtimtare dhe bamirëse të VIP-ave hollivudianë si Angeline Jolie. Pranë një fëmije në kërkim të prindërve në plazhin e Durrësit, ne fotografuam fare rastësisht  Rovena Stefën. Në fillim na bëri përshtypje se ajo ishte duke larë një femijë rreth katër vjeç të seksit femër, e cila kishte humbur familjen në një ditë të zakonshme plazhi. E pyetur nga gazeta jonë, Rovena Stefa, e cila po këndon në sezonin e katërt veror në klubin e saj “Rovena Club”, ku pret pushuesit nga të gjitha trevat shqiptare, na tregon mbi këtë histori që duket absurde, por në atë zonë me sa duket qenka ngjarje e  zakonshme. Sipas disa dëshmive që ne mblodhëm, janë të shumta rastet e humbjes së fëmijëve në plazh. Ja çfarë na rrëfen Rovena:
“Isha duke pirë një kafe me Elisën dhe një shokun tim përballë me “Rovena Club”, kur dola të blija disa gjëra të nevojshme në supermarketin pranë. Sa po kaloja rrugën, kur më tërhoqi vëmendjen një  fëmijë i veshur vetëm me rroba banje, që po bërtiste e trembur dhe kërkonte të kalonte rrugën kryesore plot me makina që kalonin me shpejtësi. Më bëri përshtypje dhe në moment u hodha në rrugë dhe e tërhoqa me forcë. Megjithë vogëlsinë në trup, vajza ishte mjaft e terrorrizuar dhe qante e kërkonte me ngulm të më shkëputej nga dora. Unë e mbajta fort dhe e shkëputa nga rruga, duke e afruar pranë lokalit ku po rrinim dhe i kërkova të dija emrin dhe të tjera informacione. Ajo ishte shumë e shokuar dhe pas shumë përpjekjeve të mia dhe të disa njerëzve të tjerë që u afruan të më ndihmonin ta mbaja, morëm vesh se quhej Edona, ishte nga Dumnica e Kosovës dhe kishte humbur familjen pranë plazhit, por nuk dinte të thoshte se ku përafërsisht. Elisa, motra ime, mori në telefon rajonin e policisë së Durrësit Plazh dhe pas disa telefonatave bosh, doli vetë në këmbë dhe ndeshi në një patrullë policie rrugore. Ia shpjegoi rastin, por ata i thanë që ta mbajë fëmijën aty se vjen vetë familja dhe e gjen. Unë ndërkohë e mbaja me zor vajzën, e cila vetëm qante dhe kërkoja së bashku me një grua tjetër që ta lanim sadopak vajzën e ta ndërronim nga të mbathurat e ndotura. E më pas e morëm së bashku me dy njerëz të stafit tonë të punës dhe me shumë përpjekje e futëm në makinë. E çuam në rajonin policor më të afërt të plazhit, me shpresën se aty do të bënim diçka, por dy policë që na pritën na thanë se nuk kishin asnjë mjet për të gjetur familjen dhe për më tepër nuk e mbanin dot vajzën se nuk kishin punonjëse sociale që normalisht duhet të gjenden aty në të tilla raste, madje dhe një psikolog. E kështu vendosëm ta merrnim prapë vajzën me vete e të kërkonim familjen e saj në plazh me mjetet tona të punës,  megafona e disa punëtorë tanët. Pas një kohe, na marrin në telefon nga klubi ynë dhe e kishin gjetur familjen, e cila u lumturua aq shumë kur e pa Edonën e vogël. Vetëm qanin e na falënderonin shumë për gjetjen dhe mbajtjen e saj. Mund t’ju them se nga kjo ngjarje mësova se organet përkatëse duhet të funksionojnë në të gjitha momentet kur qytetarët kanë nevojë e jo të kujtohen vetëm atëherë kur mbledhin taksat e tatimet nga ambientet me muzike live në plazh. Sikurse janë korrektë në zbatimin e orarit të mbylljes së klubeve në orën 00:00, duhet të jenë edhe në rastet jetike të turistëve në qytetet tona. Kam dëgjuar edhe raste të tjera të humbjes së fëmijëve dhe indiferencën e shtetit për gjetjen e tyre. Kjo sjellje nuk na nderon” – përfundon Rovena.

© Panorama.al

Te lidhura