
Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, sqaron përplasjet e të shtunës me kryetaren e FRESSH, Elisa Spiropali. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai akuzon Spiropalin se po tenton të përçajë partinë.
Çfarë ndodhi në mbledhjen e të shtunës me strukturat e PS-së së Kavajës, pasi pati akuza nga strukturat e FRESSH për ju?
Nuk ka ndodhur absolutisht asnjë gjë. Kryetari i Partisë së zonës thirri të gjitha strukturat e partisë për të bërë një mbledhje. Aty u shfaq Elisa Spiropali, të cilën unë e kam takuar vetëm dy herë. Ajo u fut brenda, kujtoi se kishte një mbledhje të FRESSH, pasi e pa që nuk kishte gjë, iku. Nuk ka pasur asnjë debat, të gjitha çfarë thuhen janë shpikje që i nxjerr ajo vetë. Unë u habita kur i dëgjova. Ajo do të bëjë një përçarje të Partisë Socialiste, mendon ajo ta bëjë këtë përçarje, por kjo nuk ka për të ndodhur.
Në mbledhje ishin të ftuar edhe kryetarët e FRESSH të rrethit të Kavajës?
Jo, nuk kanë qenë të ftuar. Unë isha jashtë sepse po prisja tenorin (Agim Hushin) për të pirë një kafe. Ai ambient është në pronësi të babait tim dhe, kushdo që bën seminare, unë gjithmonë i vë në dispozicion, pavarësisht se janë të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Unë isha në lulishte, madje kishte edhe një media jashtë dhe pastaj ika.
Spiropali ju akuzon ju se e keni kërcënuar duke i thënë që “do të ta pres gjuhën”. Është e vërtetë?
Kujt i kam thënë të presë gjuhën? Ajo thjesht bën disa shpifje se do të përçajë Partinë Socialiste. Unë as nuk i kam thënë as asaj dhe as askujt tjetër. Unë kryetarin e partisë e kam shumë mik dhe kam shumë bashkëpunim me të.
Po sa u përket debateve të fundit në strukturat e FRESSH, ndërmjet Erjon Veliajt dhe Elisa Spiropalit, cili është vlerësimi juaj?
Unë nuk di asnjë debat. Unë kam një pakt me qytetarët e Kavajës që t’u shërbej atyre dhe të bëj sa më shumë aktivitete për qytetin tim. Unë angazhohem vetëm me bashkinë dhe qytetin tim, nuk jam marrë fare me këtë problem. Për këtë problem ka edhe kryetar partie, ka edhe struktura partie.
A keni gisht ju në shkarkimin e kryetarit të FRESSH të Kavajës?
Unë nuk e di fare. Unë kreun e FRESSH e kam shumë mik, por unë merrem vetëm me qytetin tim.











