
Odise Roshi ka shënuar golin e parë në Bundesligën gjermane me skuadrën e Këlnit. Lojtarit të Kombëtares shqiptare i mjaftuan dy minuta lojë për të dërguar topin në rrjetë, duke i siguruar edhe tri pikë të arta skuadrës së tij në transfertën e vështirë në ndaj Kaiserslauternit. Roshi luajti si zëvendësues dhe u fut në lojë në minutën e 70-të të pjesës së dytë, në vend të Slavomir Peszko. Por, pas vetëm dy minutash, një asist i Kristian Klemens u shfrytëzua më së miri nga shtatlarti shqiptar, i cili nuk e pati të vështirë për të dërguar topin me kokë në rrjetë. Goli i dha më shumë gjallëri lojës së të dyja ekipeve, pasi vendësit u hodhën të dëshpëruar në sulm për të barazuar, ndërsa miqtë po shfrytëzonin shpejtësinë e Roshit për të rrezikuar me kundërsulme. Gjithsesi, deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit, lojtarët e Këlnit arritën të ruanin avantazhin e krijuar nga “koka” e Roshit, duke marrë kështu tri pikë mjaft të rëndësishme në luftën për mbijetesë. Me këtë fitore, Këlni shkoi në vendin e nëntë në renditje në kuotën e 24 pikëve, po aq sa edhe Hofenhajmi dhe Volsgburgu. Duhet thënë se “cjeptë” luajtën pa kapitenin e tyre, njëkohësisht lojtarin më të mirë, Lukas Podolski, i cili u dëmtua në ndeshjen e javës së shkuar. Nisur nga ajo që raportonin mediat gjatë javës së shkuar, në mungesë të Podolskit rriteshin shumë shanset që Roshi të luajë si titullar. Ndonëse edhe dje trajneri Solbaken e la në stol për 70 minuta, lojtari i Kombëtares së Shqipërisë diti se si të tregojë vlerat e veta në rastin e vetëm që pati në këtë ndeshje.
Mediat australiane Berishës: Kërko falje!
Mediat australiane i janë kundërvënë sërish sulmuesit shqiptar, Besart Berisha, pas zënkës që ai pati në fushën e lojës me kolegun e skuadrës, Xhejms Majer. Gjatë një momenti në fundin e takimit, dy lojtarët u përplasën me njëri-tjetrin për shkak të mosdhënies së një pasimi nga ana e Majer. Bersiha reagoi disi më ashpër dhe kjo është komentuar gjatë nga mediat australiane. Sakaq, sulmuesi shqiptar ka pohuar dje se nuk ndihet aspak fajtor, ndaj nuk ka arsye që të kërkojë të falur. “Me Majerin nuk kam asnjë konflikt. Ishte diçka momentale, të cilën e zgjidhëm menjëherë, ndaj nuk kam arsye që të kërkoj të falur. Më duket afërmendsh dhe gjykoj se ai debat që patëm në fushë është fryrë shumë nga mediat”, ka pohuar Berisha. Në krah të sulmuesit shqiptar ka dalë edhe kapiteni i Brisbane Roar, Met Smith. “Besarti është një djalë që luan me zemër në fushën e lojës dhe ky është një nga motivet, për të cilin ai shpeshherë kalon edhe caqet, por gjithsesi, këtu te kjo skuadër, pikërisht për këtë gjë e duan që të gjithë”, ka pohuar Smith.











