
Futbollisti shqiptar, protagonist edhe pas ndeshjes në dhomat e zhveshjes.
“I kisha premtuar se do festoja me të nëse do shënoja”
Nga “ferri në parajsë”. Kështu mund të konsiderohen javët e fundit të Odise Roshit në raport me mediat gjermane. Por ajo që bëri më shumë përshtypje, ishte fakti se lojtari pas ndeshjes nuk u paraqit në konferencën për shtyp. Roshi “u kryqëzua” nga gjithë media, kur para pak javësh pështyu gjatë një ndeshjeje miqësore mesfushorin e Hanoverit, Mortis Stopelkamp. Lojtari kërkoi falje për gjestin e tij një ditë më vonë, por faktikisht para mediave doli trajneri i skuadrës, Solbaken, i cili e mbrojti talentin shqiptar me pretendimin se ai nuk dinte ende mirë gjermanisht. Tekniku nuk e gjobiti mesfushorin shqiptar duke pohuar: “Së pari, veproi pa dashje dhe së dyti nuk është njohës i gjuhës gjermane apo angleze”. Nisur nga kjo edhe dje pas golit, lojtari shqiptar, ca nga emocionet por ca edhe nga stepja para gazetarëve, nuk ka dalë në konferencë për shtyp.
Gazetarët – “Ku është Odise Roshi”?”, pyesnin gazetarët e Këlnit, të cilët ishin prezent në “Fritz-Walter-shtadion” dhe donin kontakt direkt me ‘gjahtarin’ shqiptar. Por, për fat të keq, njeriu i ndeshjes u tregua i ndrojtur dhe emocional, duke shmangur çdo intervistë apo prononcim me mediat. Ai shkoi menjëherë në dhomat e zhveshjes dhe, si për të qetësuar gazetarët, në konferencë doli përgjegjësi i Këlnit, Tobias Shmit, i cili u ka kërkuar ndjesë gazetarëve që Roshi nuk ishte i disponueshëm, duke u dhënë një deklaratë të shkurtër: “Ai më tha vetëm pak fjalë, që ndihet krenar dhe shumë i lumtur që shënoi golin e parë me skuadrën dhe të vetmin për ndeshjen e sotme”.
Deklarata – Por një ditë më vonë, Roshi nuk ka mundur t’u shpëtojë dot gazetarëve të brendshëm të klubit të Këlnit, ndaj ai ka dhënë edhe prononcimin e parë për faqen zyrtare të klubit. Gjatë deklaratës, Roshi paraqet emocionet e tij për golin. “Jam shumë i lumtur që morëm tri pikë ndaj Kaiserslautern. Ishim të vetëdijshëm se bëhej fjalë për një ndeshje mjaft të vështirë, ndaj shkuam me ide të qarta. Jam i kënaqur që goli im i dha fitoren ekipit. Mora shumë komplimente e urime nga familja dhe miqtë, ndaj jam shumë i gëzuar”, ka thënë Roshi. Më pas, ai ka sqaruar arsyen se përse në momentin e golit i ishte hedhur në qafë më së pari magazinierit të klubit, Frank Almshtet. “Sepse më kishte thënë që më parë që, nëse do shënoja, duhet të shkoja që të përgëzohesha si fillim me të. Ndaj sapo shënova, vrapova si i marrë drejt tij”, ka përfunduar lojtari i Kombëtares shqiptare.
Mediat gjermane
Goal.com: “Odise Roshi shënon golin e artë dhe hyn në histori”.
Express.de: “Roshi vulos fatin e takimit, i jep fund makthit”.
Welt.de: “Pas 22 vitesh, “Beceberg-Arena” pushtohet nga një shqiptar 21-vjeçar”.
FAZ: “Roshi ngroh Këlnin, paqe Fink-Solbaken”.
Kicker.de: “Xhoker Roshi, hyn, sheh dhe ndëshkon në kohë rekord”.
Derweste: “Roshi hero fut në sherr Solbaken me Kurc”.
Focus.de: “Odise Roshi, “goli” i Solbakenit”.
Stern.de: “Roshi ngroh Këlnin mes furtunës”.
Hyka, gol në minus 15 gradë
Ka qenë i ftohti rekord i javës së 19-të të Superligës zvicerane, por kjo nuk e pengoi Jahmir Hykën që të shënonte gol në akullin e fushës së Lucernës. Imagjinoni një ndeshje që luhet në -15 gradë celsius, e tillë ishte ajo Lucernë-Zyrih dhe shqiptari Hyka realizoi për 1-0 në minutën e 37-të. Ndeshja ishte shumë e bukur edhe në kushte të tilla, dhe shpejtësia bashkë me kombinimet e shumta nuk munguan.Boshkoviç, elozhe Salihit: Blerje cilësore
Branko Boskoviç nuk i ka kursyer lëvdatat për shokun e ri të skuadrës, Hamdi Salihi. Në një intervistë për mediat amerikane, ai ka theksuar se me Salihin DC Junajtid ka bërë një investim të sigurt. “Salihi është një lojtar cilësor dhe i fuqishëm. Është lojtari tipik që na duhej në repartin e sulmit. Unë e njoh mirë, pasi kam luajtur me të te Rapidi. Dhe jam i sigurt se me afrimin e tij klubi ka bërë një investim për të ardhmen. Kuptohet që ai po vjen nga një kontinent tjetër në një vend tjetër dhe në një kampionat tjetër, ndaj do t’i duhet pak për t’u ambientuar, por unë jam i sigurt se për një lojtar si Salihi nuk do ta ketë problem këtë gjë. Shumë shpejt edhe ju do të më jepni të drejtë për këto që po ju them”, ka deklaruar Boshkoviç. Sakaq, duhet thënë se malazezi ka luajtur nga 2007 deri në 2010 te Rapidi i Vjenës, pra për më shumë se një vit në një skuadër me Salihin. Madje, ai luajti një rol të madh në tratativat që u bënë mes klubit amerikan, menaxherit të Salihit dhe drejtuesve të Rapidit.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











