E vetmja këngëtare, që deri tani në historinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Eurosong nuk i ka kushtuar qoftë edhe minimunimin e kujdesit pamjes së saj skenike. Komentuesit në faqen zyrtare te Eurosong kanë dhënë opinione për performancën e këngëtares në gjysmëfinalen e festivalit “Eurovizion”, që këtë vit organizohet në Baku. Kanë qenë fansa nga shumë vende të botës dhe, mes komenteve të shumta, dominojnë ato ku thuhet se zëri i saj i bën për të qarë, duke komplimentuar këngëtaren nga Kosova për vokalin e saj. Ka pasur dhe nga ata që kanë vlerësuar melodinë, por për këngëtaren kanë folur se bërtet shumë. Ka pasur komente pozitive për vargjet, muzikën dhe zërin, aq sa një komentues nga Turqia shprehet në mënyrë figurative, që “fshihni gotat e kristalta kur ajo vjen me zërin e saj, se mos jua thyen”. Kënga me muzikë dhe orkestrim të Florent Boshnjakut dhe vargje të vetë Ronës nuk ka pritshmëri për të fituar sipas fansave, pasi e konsiderojnë një këngë depresive, dhe që për shkak të notave të tilla të trishtimit nuk do mund të triumfojë. E komenteve për zërin e mrekullueshëm të këngëtares, u shtohen ato për pamjen e saj dhe performancën. Në lidhje me pamjen ka pasur komente të tipit që ajo s’i ka dhënë aspak rëndësi këtij evenimenti, ku të gjithë pjesëmarrësit pothuaj shfaqen të tjetërsuar, ndërsa ajo edhe flokët nuk i ka lyer me bojë. Ka pasur komente edhe ofenduese, duke e konsideruar një femër me pamje “të shëmtuar”, ndërsa të tjerë kanë sugjeruar sa më shumë make up për këngëtaren, pasi kur kamera e fokuson nga afër, ajo shfaqet me lëkurën e fytyrës me probleme. Ndërkohë që në lidhje me modelimin e flokëve të saj ekstremisht të gjatë, dhe për më tepër fustanin e saj, komentet kanë qenë krejtësisht injoruese. Rona Nishliu nuk e ka vrarë aspak mendjen që të shfaqej sa më mbresëlënëse me veshjen, duke u prezantuar në mënyrën më të zakonshme. Por pavarësisht këtij fakti, këngëtarja ka marrë mbështetje nga fansa të shteteve të ndryshme, si: Serbia, Qipro, Turqia, Greqia,, Polonia, Rusia, Finalanda etj. Rona Nishliu e ka kaluar me sukses edhe provën e saj të dytë në aspektin vokal në skenën e Festivalit Europian para gjysmëfinales. Ajo ka kënduar baladën e saj “Suus” në gjuhën shqipe, e vetmen në skenë, pa ndihmën e efekteve speciale dhe vokalistëve. Veshja me të cilën është paraqitur në këtë provë, mendohet të jetë edhe e njëjta me të cilën ajo do të prezantohet në natën gjysmëfinale. RTSH ndërkaq ka krijuar jurinë e Eurosong për Shqipërinë, e cila do të votojë natën gjysmëfinale dhe finale këngët e Festivalit Europian 2012, si juria përfaqësuese e Shqipërisë. Anëtarët janë Sokol Marsi, Edison Miso, Eranda Libohova dhe Endri Sina. Ndërkohë që Rona është e para këngëtare, që nuk bën asnjë tjetërsim me pamjen e saj. Në këto vite pjesëmarrje, duke filluar nga Anjeza Shahini dhe deri tek Aurela Gaçe, vitin e kaluar të gjithë këngëtarët kanë investuar shuma të mëdha parash për t’u shfaqur me pamje të re. Madje, pati edhe raste të tilla si Kejsi Tola apo Juliana Pasha, që mbajtën dieta të forta dhe bënë ndryshime rrënjësore me look-un e tyre.











