
Suedia fiton çmimin e parë.Rusia në vend të dytë e Serbia në të tretin.
Zvicra, Italia, Maqedonia e San Marino na vlerësojnë me 12 pikë.
Është hera e parë në këto nëntë vite pjesëmarrje që jehona e komenteve të përfaqësueses së Shqipërisë në Eurovizion, Nora Nishliu, dëgjohet e komentohet edhe nga mediat e huaja.
Për mirë! Kënga e saj personale, “Suus”, nuk pati reagime kaq të shpejta kur u dëgjua për së pari në skenën e Pallatit të Kongreseve, të paktën jo pozitive. Megjithatë, edhe ata më skeptikët shpresuan që shijet e Eurovizionit të ishin “të çuditshme” e ta mirëprisnin këngën. Në fakt, ashtu ndodhi. Në natën e parë gjysmëfinale kënga u duartrokit jo vetëm në fund, por u ndërpre edhe në mes të saj prej ovacioneve, sikundër ndodhi edhe dje në natën finale. Kjo mirëpritje u reflektua edhe në votimin e publikut madje edhe në prezantimin e saj. Nga transmetimi i Eurovizionit, që zhvillohej në Baku të Azerbajxhanit, në një nga kanalet Rai drejtuesi komentioi “largoni kristalet sepse këndon Rona Nishliu”, duke komplimentuar kështu, fuqinë e zërit të saj që vetëm dy ditë më parë po nga media italiane u krahasua me atë të Aretha Franklin. “Rona Nishliu, momenti më i bukur që nga fillimi i kësaj nate. Një super zë i mrekullueshem. Bravo! Shqiptarët kudo në botë sot këtë zë e nxjerrin fituese.” Kanë vijuar komentuesit italian. Votat e ditës së djeshme e renditën Ronën në vend të pestë duke e çuar kështu vitin e ardhshëm Shqipërinë menjëherë në finale. Izraeli ishte ai që ndihmoi Azerbajxhanin në votimin e fundit të kalonte në vend të katërt. Nëse në mbrëmjen gjysmëfinale publiku shqiptar nuk arriti ta shijojë direkt performancën e Ronës, në natën e fundit arriti të shohë drejtpërsëdrejti se si e pushtoi skenën me zërin e saj. Meqenëse data 22 maj u shpall ditë zie në Shqipëri, kur u përcollën për në banesën e fundit viktimat e aksidentit tragjik të Himarës, u shoqërua me muzikë funebre nga televizionet shqiptare dhe për herë të parë në këta nëntë vjet pjesëmarrjeje, Radio Televizioni Publik Shqiptar nuk e transmetoi festivalin live, por të regjistruar, pasi kaloi data 22, pra në orën 00:05 të datës 23 maj. Me këtë atmosferë zie u bashkua edhe grupi që përfaqësonte Shqipërinë në Eurosong, që nga këngëtarja tek autori i muzikës, Florent Boshnjaku, orkestruesi Shpëtim Saraçi e shoqëruesit e tjerë, ashtu siç treguan edhe mbrëmjen e djeshme gëzimin e këtij çmimi. “Performancën time ua dedikova të gjithë atyre shpirtrave të gjorë që humbën jetët e tyre dje”. Kështu u shpreh Rona Nishliu në konferencën për shtyp, organizuar menjëherë pas shpalljes së dhjetë finalistëve, duke iu referuar aksidentit të rëndë të Himarës. E pyetur se cili ishte mesazhi që ajo u përcillte përkrahësve të saj, Nishliu u shpreh: “Jam shumë e kënaqur që Eurovizioni është një platformë, e cila të jep mundësinë të prezantosh atë në të cilën beson dhe ku je më i mirë”.
Votat për Shqipërinë:
Zvicra 12 pikë
Maqedonia 12 pikë
Italia 12 pikë
San Marino 12 pikë
Greqia 10 pikë
Mali i zi 10 pikë
Belgjika 10 pikë
Austria 8 pikë
Hungaria 8 pikë
Votat e Shqipërisë:
Greqia 12 pikë
Turqia 10 pikë
Maqedonia 8 pikë
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











