Romët mbeten pa strehë, Ksera: Do t’i çojmë në Sharrë

Feb 4, 2012 | 11:42
Romët, dje me Avokatin e Popullit

Rreth tetë familje të komunitetit rom kanë mbetur sërish pa strehë. Pas kundërshtimit të zgjidhjes që ofroi Bashkia për t’i transferuar në palestrën e shkollës “1 Maji”, ata vijojnë të qëndrojnë në zyrat e Avokatit të Popullit. Dje, ministri i Punës, Spiro Ksera, premtoi se brenda një kohe të shkurtër familjet rome do të zhvendosen pranë një reparti ushtarak në Kombinat, afër Sharrës. Por, sipas drejtorit të Shërbimit Social, Mihal Naço, do të duhet të paktën një muaj që këto ambiente të rehabilitohen e të përshtaten për banim. Pas përfundimit të rikonstruksionit, kushtet do të jenë të përshtatshme për 100 familje rome që mund të sistemohen në repartin ushtarak. Për objektin në fjalë kanë nisur përplasjet edhe për pronësinë. Pronari i tokës shprehet se nuk do të lejojë asnjë që të vijë të strehohet në tokën e tij. “Pas një muaji ne do të kemi problem, pasi është prona ime, e babës tim. Shteti të më likuidojë mua, pastaj të fusë romët. Nuk do t’i lejojmë në asnjë mënyrë”, është shprehur pronari i tokës. Me amullinë e krijuar zgjidhja përfundimtare duket ende e largët. Problemi duket se po merr përmasa edhe më të mëdha, pasi në zyrat e Avokatit të Popullit kanë mbërritur dje familje të tjera rome që kanë ndarë të njëjtin shqetësim. “Një numër familjesh rome ka ardhur sot në mjediset e këtij institucioni. Këto familje i shprehën Avokatit të Popullit shqetësimin se kanë të njëjtat probleme me familjet e tjera të strehuara në këto ambiente. Është vënë në dispozicion të tyre i gjithë personeli duke kryer këshillimin, marrjen e ankesave dhe identifikimin e kategorive ligjore, të cilave ata u përkasin”, thuhet në deklaratën për mediat të Avokatit të Popullit. Sa u përket ambienteve të porositura për familjet rome, Avokati i Popullit, Igli Totozani, i ka cilësuar ato të papërshtatshme. “Për mendimin tim, nuk është zgjidhja. Këta janë qytetarë të lirë, këta mund të kënaqen. Ne nuk mund të ndërhyjmë në dëshirat e njerëzve. Mendimi ynë është se duhet të ishin kushte më të përshtatshme. Po shohim variante të tjera me Bashkinë e Tiranës, ku duhet të bëhet më e mira”, tha Totozani. Sipas Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, nga organizatat ndërkombëtare janë dhënë 7 deri në 8 milionë euro për integrimin e romëve në Shqipëri. Ato do të përdoren për një periudhë 3-vjeçare. Ksera ia ka hedhur topin pushtetit vendor duke e cilësuar të dobët, ndonëse ka detyrim ligjor të strehojë me përparësi komunitetin rom. Në një plan më afatgjatë, këto familje do të strehohen në disa shtëpi sociale që do të ngrihen për këtë komunitetet.

Rebelohen romët në Shkodër: Duam ndihmë
Pas Tiranës romët rebelohen edhe në rrethe. Përfaqësues të komunitetit rom në Shkodër protestuan dje para Bashkisë së qytetit, duke kërkuar ndihmë për shkak të ditëve të vështira që po kalojnë. Ata thonë se nuk kanë më se me çfarë të ushqehen, jetojnë në kushte të papërshtatshme dhe se i ftohti e bën të pamundur jetesën e tyre. Kanë kërkuar takim me drejtues lokalë të Bashkisë, por nuk janë pritur nga askush.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura