Romët mbeten në qiell të hapur, Avokati i Popullit u hap derën

Feb 2, 2012 | 12:41
Banorë të komunitetit rom që janë strehuar në zyrat e Avokatit të Popullit

TIRANE – Një numër anëtarësh të komunitetit rom në Tiranë mbetën dje në qiell të hapur, ndërsa Avokati i Popullit u “hapi derën”. Duke marrë shtysë nga moti i keq dhe temperaturat e ulëta që kanë mbërthyer vendin, Avokati i Popullit, Igli Totozani, i kërkoi dje Drejtorisë së Emergjencave Civile marrjen e masave konkrete për të pastrehët, qofshin këta romë apo endacakë. Me një rekomandim drejtuar kreut të Emergjencave, Alfred Olli, Avokati i Popullit bëri thirrje të merren masa për të ndihmuar dhe për të sistemuar njerëzit që ndodhen në vështirësi, të pastrehët dhe grupet në nevojë. Lajmi u bë i ditur dje nga zëdhënësja e institucionit, Elona Demollari. Referuar burimit zyrtar, rekomandimi në fjalë iu bë me dije edhe ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. Rekomandimi i AP-së erdhi pak orë pasi në oborrin e këtij institucioni “bujtën” disa familje rome të pastreha, të dëbuara nga vendi ku kishin qëndruar deri pak ditë më parë. Sipas rekomandimit të nënshkruar nga Totozani, qëllimi ishte parandalimi i çdo situate që mund të rrezikojë jetën e njerëzve. Totazani rekomandonte organet e pushtetit vendor për përgatitje vendstrehimesh provizore ndaj kësaj shtrese në nevojë. “Marrjen e të gjitha masave të mundshme organizative për përgatitjen e vendstrehimeve apo vendqëndrimeve provizore për grupe të tilla në nevojë emergjente, si pjesëtarë të komunitetit rom, personave endacakë apo të pastrehë dhe këdo tjetër që kërkon ndihmë nga organet e pushtetit vendor, me qëllim parandalimin e situatave që mund të rrezikojnë jetën apo shëndetin e tyre, veçanërisht të fëmijëve”, thuhej në rekomandimin e Avokatit të Popullit. Paraditen e djeshme, oborri i godinës së institucionit të Avokatit të Popullit u “pushtua” nga disa familje të pastreha të komunitetit rom. Ata ishin pjesë e komunitetit rom të mbetur pa një vend ku të ngrenë çadrat e tyre, pasi u dëbuan nga zona e Tufinës në Tiranë. Dhjetëra persona, mes tyre gra dhe fëmijë të mitur, ngritën çadra para ambienteve të jashtme të institucionit dhe nuk ngurruan të “akomodohen” edhe në ambiente të brendshme. Mbërritja e tyre aty nuk ishte e papritur, pasi vetë Avokati i Popullit i ka ftuar ata një ditë më parë. Fillimisht familjet e këtij komuniteti u dëbuan nga një zonë pranë Stacionit të Trenit dhe nga ana e Ministrisë së Punës u vendosën në Tufinë. Por, për shkak se nga ana e Ministrisë aë Punës u ndërpre pagesa e pronarit të tokës, ky i fundit i largoi edhe nga ky vend.                               ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura