Roli i ri i Gjermanisë së bashkuar dhe Kosova

Oct 5, 2024 | 7:20
SHPËRNDAJE

NGA SYLË UKSHINI SYLË UKSHINI

Ribashkimi 34 vjet më parë e krijoi një Gjermani të fuqishme, nga e cila përfitoi jo vetëm BE-ja, por edhe rajoni si dhe Kosova. Mbyllja e çështjes gjermane e determinoi hapjen e çështjes së Kosovës. Akti historik i bashkimit të Gjermanisë në një shtet të vetëm, që e realizoi një të drejtë të ligjshme të popullit gjerman për vetëvendosje, është një ngjarje e shënuar me rëndësi jo vetëm për kombin gjerman, por edhe në planin ndërkombëtar, sepse i dha një zgjidhje përfundimtare çështjes gjermane, e cila mbretëroi në skenën politike evropiane për dyzet e pesë vjet.

Shqiptarët e Kosovës, të cilët në ato momente po përballeshin me regjimin represiv dhe hegjemonist të Millosheviçit, e shihnin me simpati realizimin e së drejtës së popullit gjerman dhe kishin shpresë se sikur rënia e Murit të Berlinit, që e shënoi mbylljen e çështjes gjermane, edhe bashkimi i këtij shteti të fuqishëm evropian do të krijonte mundësi për hapjen e çështjes së Kosovës. Nëpërmjet bashkimit të rifituar kombëtar, elita politike gjermane dëshironte t’i shërbente paqes në botë dhe njëkohësisht të çonte përpara idenë e bashkimit të Evropës: “Nga toka gjermane do të dalë në të ardhmen vetëm paqe. Jemi të ndërgjegjshëm për faktin se pacenueshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit territorial dhe të sovranitetit të të gjitha shteteve në Evropë përbëjnë një kusht themelor për paqen”, – zotohej Kohli në komunikim me liderët e shteteve evropiane. Këto zotime të lidershipit gjerman ishin të domosdoshme për të krijuar besimin e vendeve fqinje, të cilat kishin frikë nga “instinktet e vjetra” pas bashkimit të dy shteteve gjermane.

Ishin vetëm SHBA-të me Presidentin George H. W. Bush, që i dhanë mbështetje të menjëhershme të drejtës së gjermanëve për vetëvendosje dhe ribashkim, përderisa liderët e shteteve evropiane u treguan të rezervuar. Kishin frikë se Gjermania e ribashkuar mund të kërcënonte ekuilibrat dhe sigurinë e Evropës. Mbi të gjitha, ky ishte preokupimi i Francës dhe i Britanisë së Madhe në reflektimet e tyre fillestare të rezervuara ndaj ribashkimit gjerman. “A do të ndryshonte politika e jashtme gjermane pas ribashkimit?” – ishte pyetja kryesore që preokuponte para së gjithash vendet fqinje të Gjermanisë. Kjo ishte arsyeja përse shteti i bashkuar gjerman hezitonte të merrte drejtues në politikën evropiane, edhe pse kjo i kërkohej vazhdimisht nga aleatët evropianë dhe amerikanë, sidomos pas shpërthimit të luftërave në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Jo rastësisht edhe sot Gjermaninë e quajnë “një supremaci të pavendosur”.

Në këtë mes edhe sot mbetet i shënuar roli i ministrit të Jashtëm federal, Hans Ditrich Genscher, i cili një vit pas bashkimit, e hodhi hapin e madh të veçuar në politikën e jashtme, duke e mbështetur dhe njohur shpalljen e pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë. Një hap që u kritikua si nga OKB-ja, ashtu edhe nga vendet e tjera evropiane, pasi kjo njohje u konsiderua e nxituar dhe që çoi në përshpejtimin e shpërbërjes së Jugosllavisë. Në Evropë, sidomos në Francë dhe në Britani të Madhe, kishte rezerva të mëdha nëse duhej ta mbështeste Evropa këtë hap. Në librin e saj “Historia e Jugosllavisë në shekullin e 20-të”, historiania gjermane e Evropës Juglindore, Marie-Janine Calic, shkruan: “Gjermania mbështeti aspiratat e pavarura të republikave të Sllovenisë dhe Kroacisë, ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së, si qeveritë në Londër, Paris dhe Uashington, mbrojti ruajtjen e Jugosllavisë”.

Në kontrast me homologët e tij evropianë, Genscheri mori mendimin “që në pranverën e vitit 1991”, se pavarësia e Sllovenisë dhe Kroacisë ishte një akt ligjor legjitim. Edhe pas më shumë se tri dekadash, legjenda vazhdon se Gjermania e inicioi ose madje e shkaktoi shpërbërjen e Jugosllavisë përmes njohjes “së parakohshme” ose “të nxituar” të Sllovenisë dhe Kroacisë më 1991.

Pavarësisht këtyre ndryshimeve, kritikat nga pala franceze dhe ajo angleze vazhduan, madje duke e akuzuar qeverinë Kohl-Genscher se ishte e përgjegjshme për shkatërrimin e Jugosllavisë dhe për luftërat që shpërthyen atje, për shkak të “veprimit të nxituar”. Debati ishte shumë i nxehtë edhe në Gjermani, ku Partia Socialdemokrate (SPD) ishte gjithashtu në mbështetje të “shpëtimit të Jugosllavisë”. Në mesin e ekspertëve gjermanë, akoma nuk ishte formësuar saktë çështja e zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe të komuniteteve të tjera në Jugosllavi, megjithëse vetëvendosja nuk përjashtohej nëse realizohej me mjete paqësore.

Gjermania dhe Kosova

Me gjithë kritikat nga pala franceze e ajo angleze patën efekt, sepse Qeveria Kohl-Genscher, duke e ndier peshën e akuzave se ishte përgjegjëse për shkatërrimin e Jugosllavisë, madje edhe për luftërat në Jugosllavi, filloi të ndiqte një kurs më të rezervuar në rastin e Kosovës dhe gjatë gjithë viteve të nëntëdhjeta pozicioni i saj u akomodua brenda linjës së BEsë dhe të SHBA-ve dhe kërkimi i zgjidhjeve në kontekstin multilateral. Në këtë kontekst, Boni e mbështeti iniciativën e Bashkësisë Evropiane për krijimin e kushteve të njohjes së shteteve të reja. Komisioni Badinter, nën drejtimin e konstitucionalistit francez Robert Badinter dhe më pas konferencat e Hagës dhe Londrës, forumet multilaterale përmes të cilave diplomacia gjermane bëri përpjekje ta shtynte për zgjidhje edhe çështjen e Kosovës, e cila për shkak të luftërave në Kroaci dhe Bosnjë kishte rrëshqitur në periferi.

Paralelisht me këtë, diplomatët gjermanë, siç dëshmojnë edhe dokumentet e Arkivit Politik të Ministrisë së Jashtme Gjermane në Berlin, e ndiqnin me vëmendje situatën në Kosovë. Sipas një raporti të Ambasadës Gjermane nga Beogradi në dhjetor të vitit 1991, diplomati gjerman, dr. Schmitt, gjatë një vizite zyrtare në Kosovë kishte zhvilluar një bisedë me Ibrahim Rugovën, asokohe kryetar i LDK-së, por që konsiderohej lider i shqiptarëve të Kosovës. Në raportin e tij, diplomati gjerman pohon se Rugova kishte deklaruar se në rast se Jugosllavia vazhdon të ekzistojë, Kosova duhet të bëhet një republikë e barabartë. Por, po ashtu kishte deklaruar se në rast se kufijtë brenda Jugosllavisë ndryshojnë sipas parimeve etnike, Kosova dëshiron një bashkim me pjesët e populluara me shqiptarë në Malin e Zi dhe në Maqedoni. Sipas raportit të Ambasadës Gjermane në Beograd, Rugova kërkonte një shtet të pavarur shqiptar, në rast të shpërbërjes totale të Jugosllavisë.

Sipas raportit, ai nuk kishte kundërshtime themelore ndaj ndarjes së Kosovës Veriore me Serbinë, por nënvizonte se vetëm një komunë, Leposaviqi, kishte një shumicë serbe. Rugova gjithashtu shprehu se në një Kosovë të pavarur do të jepeshin të drejta për pakicat dhe “eksterritorialitet për manastiret serbe”. Diplomati vuri re se shumica e bashkëbiseduesve në Prishtinë e konsideronin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë “të dëshirueshëm”, pavarësisht vështirësive ekonomike që kishte Shqipëria në atë kohë. Ai citoi se askush në Jugosllavi nuk mendon në terma ekonomikë, duke theksuar se problemet ekonomike të Shqipërisë ishin të përkohshme. Në raport, diplomati gjithashtu e përshkruan takimin dhe bisedën me publicistin Veton Surroi, i cili kishte theksuar nevojën për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, por kishte shprehur mendimin se opsioni paqësor e kishte lënë çështjen shqiptare “jashtë lojës”.

Ai gjithashtu sugjeroi se me krijimin e shteteve të reja kombëtare në Evropë si Ukraina, në fund të këtij procesi do të formohej edhe një Shqipëri e bashkuar. Pavarësisht këtij interesimi të shtuar të diplomacisë gjermane, lufta në Kroaci dhe në Bosnjë bëri që interesimi për Kosovën të binte gradualisht. I vetmi angazhim ishte ai i diplomatit të njohur gjerman Geert-Hinrich Ahrens, i cili mbeti për disa vjet negociatori kryesor për Kosovën në konferencat për ish-Jugosllavinë në vitet ‘90. Nga viti 1991 deri më 1996, Ahrens ishte i vetmi diplomat që po bënte përpjekje për të hapur shtegun për negociata politike për adresimin e statusit, por pa sukses. “Për bashkësinë ndërkombëtare qëllimet e shqiptarëve atëherë ishin të papranueshme. Një qëllim ishte ‘Shqipëria e Madhe’, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, tjetri ‘Kosova e Madhe’ duke përfshirë aty zonat maqedonase dhe ato serbo-jugore dhe qëllimi i tretë pavarësia e Kosovës, ajo çfarë kemi tani. Por të gjitha këto ishin të panegociueshme, sepse ishte një ligj i padiskutueshëm i konferencave, që nuk lejohet të ketë asnjë ndryshim kufijsh. Prandaj u thosha shqiptarëve, që ne mund të negociojmë vetëm mbi bazën e asaj që më lejohet të negocioj”, – kujton Ahrens.

Ai po ashtu thekson se Rugova, atëherë udhëheqësi i padiskutueshëm i shqiptarëve, kishte dy parime të patundshme: Kurrë më nën Serbinë, të paktën të arrihej pavarësia dhe tjetra që kjo të arrihej vetëm paqësisht. Mbi këtë bazë mund të negociohej diçka dhe Ahrensi gjatë shumë viteve negociimi përpiloi një plan për qasjen me tri faza. Së pari, të bëhej diçka për gjendjen e rëndë të të drejtave të njeriut në Kosovë atëherë. E dyta, ishte që të arrihej një lloj normalizimi në disa sektorë, duke filluar me arsimin, pra shkollat, universitetin. Dhe e treta, do të ishte statusi, pra cila do të ishte e ardhmja e Kosovës. Diplomati gjerman e pranon se ishte shumë e vështirë të negociohej, për më tepër për faktin se brenda bashkësisë ndërkombëtare dhe vetë në konferencat e Jugosllavisë nuk kishte ndonjë interes për çështjen shqiptare. Dhe kur Grupi i Kontaktit, me Marrëveshjen e Dejtonit arriti të jepte një zgjidhje për Bosnjë-Hercegovinën, vendet anëtare të BE-së nxituan të njihnin Jugosllavinë e mbetur të Millosheviçit, ndërkohë që në Kosovë po mbretëronte një situatë e aparteidit dhe e pastrimit të heshtur etnik.  Si rrjedhojë, vetëm në Gjermani konsiderohej se kishin kërkuar strehim politik mbi 160 mijë kosovarë.

Lufta dhe intervenimi i NATO-s

Përjashtimi i Kosovës në Dejton konsiderohet si ora e lindjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe e radikalizimit shkallë-shkallë të situatës në Kosovë. Në këtë situatë erdhi deri te riaktivizimi i Grupit të Kontaktit për Ballkanin dhe te miratimi i një sërë rezolutash të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat megjithatë dështuan të realizoheshin nga Beogradi. Dështimi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, që u vulos me masakrën e Reçakut, e cila në Perëndim solli në kujtesë imazhet e masakrave në Bosnjë, solli angazhimin më të vendosur të NATO-s rreth luftës në Kosovë.

Konferenca e Rambujesë (shkurt-mars 1999) ishte përpjekja e fundit për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për Kosovën. Por, Rambujeja erdhi shumë vonë, deri atëherë kishin ndodhur shumë gjëra, shumë njerëz kishin humbur jetën. Për më tepër, Millosheviçi ishte i interesuar vetëm për një zgjidhje finale në Kosovë, që nënkuptonte dëbimin e tyre nga Kosova sipas metodave të përdorura mes dy luftërave botërore. Në këtë kuptim, ministri i atëhershëm i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, në memoaret e tij shkruan se, “politika e Millosheviçit nga viti 1989, pothuajse deri në detaj ishte identike me dokumentin nacionalist të Vasa Çubrilloviçit, i cili u hartua me 1937 në Beograd… Por, Milosheviçi dukej se kishte harruar se Evropa nuk jetonte më në vitin 1937, porse kishte arritur në vitin 1999 dhe se bazohej në vlera krejtësisht të tjera”. Dështimi i Rambujesë la hapur vetëm një opsion, intervenimin ushtarak të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe.

Thyerja e tabusë

Më 24 mars 1999, intervenimi i NATO-s në luftën e Kosovës u bë realitet. Forcat ajrore të NATO-s goditën pozicionet ushtarake serbe. Në këtë luftë, për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, po merrte pjesë edhe ushtria gjermane. Pasi Gjermania e mbante presidencën e radhës të BE-së, kancelari Gerhrad Shreder mbajti një fjalim të shkurtër në televizionin gjerman, ku ai nënvizoi dhe arsyetoi domosdoshmërinë e aksionit ushtarak, se përse ai ishte i pashmangshëm, se Gjermania ishte përfshirë dhe shpjegoi synimet e aksionit ajror të NATO-s.

Gerhard Shrederi nuk iu shmang as thyerjes historike të tabusë, e që nënkuptonte pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë në këtë fushatë ajrore: “Qeveria federale nuk e ka pasur të lehtë të marrë këtë vendim, së fundi, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore ushtarët gjermanë janë të angazhuar në aktivitet luftarak”, – theksoi Shreder. Fjalimi i kancelarit gjerman përfundoi me fjalët tejet të qarta për përgjegjësinë e Millosheviçit, si për fillimin e ashtu edhe për përfundimin e kësaj lufte. Pjesëmarrja e Bundesverit gjerman në një operacion ushtarak, në luftën e Kosovës, ishte një komponent qenësor i vetëpërmbajtjes së parimeve të jashtme dhe të sigurisë së Gjermanisë gjatë katër dekadave, respektivisht qëndrimi se ushtarët gjermanë nuk duhet të dërgohen në luftë, më në fund u braktis. Ministri i Jashtëm gjerman, Joshka Fisher, ishte figura kyç në luftën e Kosovës dhe një nga mbrojtësit e zjarrtë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut “edhe me mjete ushtarake, në rast nevoje”, duke e kundërshtuar fundamentalizmin e të gjelbërve se një hap i tillë po “militarizonte politikën e jashtme”. Po kështu, edhe pas luftës, roli gjerman ishte domethënës në përcaktimin e statusit final të Kosovës. Ishte Gjermania, ajo që vuri në lëvizje Grupin e Kontaktit që të merrej me çështjen e adresimit të statusit final të Kosovës.

Dhe ishin parimet e miratuara nga Grupi i Kontaktit në nëntor të vitit 2005, linjat mbi të cilat edhe i dërguari i OKB-së, Martti Ahtsaari, kërkoi zgjidhjen politike mes palës kosovare dhe asaj serbe në bisedimet e Vjenës. Dhe vetëm pas refuzimit rus dhe luhatjes së disa vendeve të BE-së për ta miratuar Planin e Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit, bisedimet e ardhshme 120-ditore për statusin e Kosovës do të drejtohen sipas propozimit të Gjermanisë prej një trojke të përbërë prej ndërmjetësuesish të BE-së (Ischinger), të SHBA-ve (Wisner) dhe të Rusisë (Harchenko). Pas dështimit edhe të kësaj nisme, çështja e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës duhej të ndodhte brenda propozimit të Planit Gjithëpërfshirës të Ahtisaarit.

Gjermania, e cila para 17 vjetësh kishte njohur pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë, me çka e njohu fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë si realitet politik, ishte ndër shtetet e para evropiane që njohu shtetin e Kosovës, shtetin e shtatë të krijuar nga ish-shteti shumëkombësh jugosllav. Ministri i atëhershëm i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier (SPD), e përshkroi shpalljen e Pavarësisë të dielën si fundin e një procesi të gjatë dhe të vështirë të shpërbërjes së ishJugosllavisë. Me këtë vendim, Gjermania ndjek shembullin e Shteteve të Bashkuara, Francës, Britanisë së Madhe dhe shumë vendeve të tjera. Njohja e Kosovës, po ashtu ishte një dëshmi e vullnetit dhe e rritjes së rolit të politikës së jashtme gjermane në Evropë.

Pesë momentet e angazhimit gjerman

Pas etablimit të marrëdhënieve dypalëshe në periudhën nga viti 2008, Gjermania, sidomos nga viti 2011 nga MPJ e Kosovës ishte projektuar si partner strategjik dhe adresën e rëndësishme politike në rrugën evropiane, ashtu si edhe për shtetet e tjera të Evropës Juglindore. Me këtë rast duhet veçuar pesë momente të angazhimit gjerman:

Momenti i parë na kthen në vitin 1999, kur Gjermania për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore merr pjesë në një aksion ushtarak jashtë kufijve të saj. Madje, edhe pa një vendim paraprak të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke pasur si objektiv evitimin e katastrofës humanitare dhe ndalimin e dëbimit dhe vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës.

Momenti tjetër përcaktues ishte kur kancelarja Angela Merkel e vizitoi Beogradin në gusht të vitit 2011 dhe Prishtinën në dhjetor të po të njëjtit vit, ku për herë të parë propozoi hapa konkretë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Merkeli, me pozicionin dhe vendosmërinë e saj, ia dha mesazhin e qartë presidentit të atëhershëm serb, Boris Tadiç, se nuk do të tolerohej ndarja e Kosovës dhe se as nuk do të tolerohet rikthimi i rajonit në situatat e ngjashme si të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit XX dhe se çfarëdo destabilizimi i Kosovës, do të jetë ndëshkues për perspektivën evropiane të Serbisë. Kancelarja gjermane së këndejmi dëshmoi lidership të vërtetë në drejtimin që duhej të merrte BE-ja në përmbylljen e suksesshme të stories kosovare dhe qëndrimit të vendosur në raport me Serbinë.

Momenti i tretë pa dyshim është angazhimi i Qeverisë Federale të Gjermanisë në Kosovë që nga paslufta e këndej. Sipas shënimeve zyrtare, Berlini zyrtar ka mbështetur Kosovën me qindra milionë euro, në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror në fusha të ndryshme. Në këtë frymë, Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe Ministria e Punëve të Jashtme që në tetor të vitit 2013 ka bërë zotimin e dy milionë eurove për projekte zhvillimore në veri të Kosovës, si dhe përkrahjen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Momenti i katërt me rëndësi mbetet një qëndrim i tillë, i cili u demonstrua me vendosmëri edhe gjatë Konferencës së Berlinit (gusht 2014), kur Gjermania jo vetëm që e renditi Kosovën si të barabartë në tryezën e samitit, por përfundimisht dëshmoi se mbetet njëri nga aktorët kyç për integrimin evropian të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Dhe pikërisht për këtë arsye, Konferenca e Berlinit është dëshmi jo vetëm e një roli të ri të diplomacisë gjermane, por edhe një përgjegjësi e re ndërkombëtare e këtij shteti për krijimin e stabilitetit dhe të perspektivës evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Momenti i pestë është po ashtu nisma frankogjermane e vitit 2022, e cila arriti një lloj finalizimi problematik me Aneksin e Ohrit (mars 2023). Por, duhet pranuar se pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja, simfonia e politikës së BE-së në raport me Kosovën ka pësuar rënie vit pas viti. Ky angazhim gjerman ka marrë goditje vendimtare nga Serbia me rastin e sulmit ushtarak në Banjskë, vetëm pak muaj pas ‘Ohrit’ dhe deri më tani Berlini dhe Parisi zyrtar nuk kanë arritur të ndërmarrin ndonjë qëndrim konkret ndaj Serbisë. Për më tepër, Beogradit, me letrën e ish-kryeministres Bërnabiç, i është njohur “ekuivalenti gjerman” i viteve 1970, respektivisht e drejta e konstatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Por, pa dyshim, qëndrimi i Gjermanisë për të mos e përkrahur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në KiE, edhe pas goditjes që mori në Banjskë, ishte një hap i pabalancuar i diplomacisë gjermane, natyrisht edhe i politikës së BE-së. Ky qëndrim minoi jo vetëm besueshmërinë e të gjitha proceseve evropiane të bazuara në merita, por i dha edhe një goditje të rëndë vetë Marrëveshjes së Ohrit, e cila edhe ashtu po kontestohej nga Serbia. Për më tepër, dështimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës është një amnisti e pajustifikueshme për Serbinë, për gjuhën dhe sjelljen agresive që ka manifestuar ndaj Kosovës, e cila kulmoi me rastin terrorist në Banjskë. Dhe kjo qasje asimetrike ndaj Kosovës kulmoi me njohjen e pasaportave paralele dhe ilegale të qendrës koordinuese serbe. Një vend serioz, siç është Gjermania, nuk mund të njohë edhe pasaportat e shtetit të Kosovës, edhe pasaportat serbe, ku Kosova konsiderohet si pjesë e Serbisë. Prandaj, Gjermania duhet ta rishikojë këtë vendim të njëanshëm, të paktën për aq koha sa nuk mund t’ia imponojë qëndrimin e saj pesë vendeve anëtare të BE-së, që refuzojnë ta njohin Kosovën.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura