Rojet bregdetare nisin punën pas 12 rasteve të mbytjeve

Aug 8, 2011 | 12:42

Pas 12 viktimave të mbytjes që nga fillimi i verës dhe një sërë ankesash e denoncimesh, më në fund Bashkia e Durrësit ka vënë në funksion sistemin e kullave të vrojtimit.Tetë notarë të ekipit të Teutës janë vënë në rolin e shpëtimtarit për të gjithë pushuesit që do të kenë nevojë për ta. Kategoritë që janë më të rrezikuara, si fëmijët apo të moshuarit, do të jenë nën kontrollin e skuadrave që tashmë janë të pajisura me mjete optike, barka shpëtimi, kuti të ndihmës së shpejtë etj. Tashmë shpëtimtarët e pushuesve janë ngjitur mbi kullat e vrojtimit dhe të tjerë patrullojnë përgjatë bregdetit në përmbushje të misionit të tyre human. Vendosja në funksion e bayëatch-ave është pritur mjaftë mirë nga të gjithë pushuesit, të cilët tashmë ndjehen më të sigurt. Prej më shumë se dy muajsh sistemi i sigurisë në plazhet e Durrësit ka munguar, ndërsa si pasojë është regjistruar një numër i madh të mbyturish. Mungesa e rojeve bregdetare është vënë re nga të gjithë, por ka qenë vetë prefekti i qarkut të Durrësit, Genci Alizoti, i cili në mbledhjen e fundit për turizmin u kërkoi njësive vendore të Durrësit, Rrashbullit dhe Katundit të Ri, të marrin masa në drejtim të sigurisë në plazhet që ndodhen nën administrimin e tyre. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Bashkisë së Durrësit, e cila mori menjëherë masa për ngritjen e sistemit të rojeve të plazhit. Përgjatë 4.5 km që është vija bregdetare e plazhit të Durrësit, e cila fillon nga ura e Dajlanit deri te Konvaleshenca në Plepa, veprojnë 8 roje plazhi, dy barka peshkimi dhe një motoskaf. Por, ndërsa në plazhin më të madh të vendit janë vendosur rojet bregdetare, ata mungojnë në plazhet e tjera që kanë frekuentim po kaq të madh. Në njësitë e tjera vendore, si komuna e Rrashbullit për plazhin e Shkëmbit të Kavajës, komuna e Ishmit për plazhin e Gjirit të Lalzit, komuna e Katundit të Ri etj., për plazhin e sektorit “Rinia”, apeli i prefektit është të marrin masa konkrete për të shmangur mbytjet në det. Gjatë këtij sezoni veror është regjistruar edhe numri më i madh i pushuesve të mbytur në plazhet e qarkut, i cili ka një vijë bregdetare prej 68 kilometrash.

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura