
Kujtimet e ish-ambasadorit italian në Shqipëri në vitet ‘80
“Rasti i pushtimit të Afganistanit, më i mundshmi për t’u përsëritur në Shqipërinë post-Hoxha nga vëllezërit sovjetikë”
Pavarësisht rrjedhës që morën zhvillimet në Shqipëri pas vdekjes së Enverit, dilemat e kancelarive perëndimore për të papriturat e situatës post-Hoxha kanë qenë nga më të ndryshmet. Kujtimet e Roberto Duccit, ish-ambasadorit italian në Tiranë në fillimin e viteve ‘80, por jo vetëm, zbulojnë një pjesë të parashikimeve të mundshme. Në numrin e kaluar botuam refleksionet e diplomatit të vendit fqinj mbi pritshmëritë dhe pështjellimet që do të shkaktonte humbja e diktatorit komunist nisur nga realitetet politike që përjetonte Tirana e asaj periudhe dhe roli i saj në ekuilibrat e brishtë të rajonit, por dhe më gjerë. Ambasadori Ducci duke shprehur bindjen se kushdo që do të marrë shkopin e dirigjentit të Hoxhës do të jetë për një kohë të gjatë më i dobët nga ai dhe duke e ditur se SHBA nuk kanë asnjë arsye për ta destabilizuar Shqipërinë, parashikon një rikthim të mundshëm te aleati i dikurshëm BS, e për rrjedhim një zbarkim të trupave sovjetike në Shqipëri. Pjesa në vijim e kujtimeve të ambasadorit Ducci bën fjalë për efektet e pritshme pas ritakimit të mundshëm të Shqipërisë me Traktatin e Varshavës dhe axhendën e re të NATO-s pas kësaj… af.im
..vijon nga numri i kaluar

Në një fjalim në Konferencën e Vendeve të Paangazhuara, e ndjera Indira Gandhi bëri një prononcim të papritur, sipas të cilit vendi i saj mund të ndjehej për t’u keqardhur ndonjë ditë, prandaj “Është krejtësisht normale dhe në rendin e gjërave,” tha ajo, “për qeverinë e një vendi të kërkojë ndihmë nga një vend aleat ose vëlla”. Ajo çfarë kishte në mendje zonja Gandhi, ishte natyrisht Afganistani: ajo provonte kështu të legjitimonte ndërhyrjen e armatosur sovjetike aty. Me këtë goditje, do të legjitimizoheshin agresione të tjera ushtarake nga BS kundër vendeve “vëllezër”, të tillë si Hungaria dhe Çekosllovakia. Ishte ndoshta homazhi më i mirë ndaj kujtimit të Leonid Brezhnev, i cili shpiku doktrinën e “ndihmës vëllazërore”, e cila do të ishte shkak për ndërhyrje ushtarake jashtë vendit, me skenarë të tillë ku një vend socialist përshkruhet zakonisht sikur po i humbet pavarësia dhe trashëgimia revolucionare e tij për shkak të manovrave të bandave tradhtare ndaj proletariatit, në komplot konspirativ me imperialistët perëndimorë. Rregullohet që një grusht heronjsh kryengritës të ngrihen kundër këtij komploti të fshehur dhe të kërkojnë ndihmën e Bashkimit Sovjetik për ta thyer e shtypur atë – një kërkesë që Moska e nderon me bujari në shpirtin dhe frymën e internacionalizmit revolucionar.
Në këtë skenar, planizuesit sovjetikë kanë arritur tanimë në një pikë ku dy nga elementët kryesorë të operacionit “Shqipëria” kanë kaluar testin e mundësisë: një goditje dhe desantim ajror kundër Shqipërisë do të ishte një punë jo aq e madhe për forcat ajrore dhe ato tokësore. Me një plan për të destabilizuar grupet e popullsisë dhe ato politike që do të trashëgonin pushtetin në Tiranë pas vdekjes së Hoxhës, synimet do të mund të bashkoheshin lehtësisht. Disa fraksione të vogla që nuk patën pranuar të merrnin pjesë në pushtet, do të mund të inkurajoheshin për t’i bërë thirrje Moskës për ndihmë vëllazërore. Ose, vetë grupi sundues do të mund t’i sfidonte kundërshtarët duke kërkuar mbrojtjen e “Vëllait të Madh” dhe kështu do të vijonte sundimin në emrin e Hoxhës. Kjo mundësi e dytë do të ishte më e mirë për planifikuesit e sovjetikë. Skenari më bindës për operacionin “Shqipëria” duhet të marrë parasysh shkallën e rrezikut ushtarak. Natyrisht, jo rrezikun që ushtria pushtuese të mund të mbahej falë qëndresës së patriotëve shqiptarë, por një rrezik akoma më i madh: ai i shpërthimit të një krize të përmasave Lindje-Perëndim. Njerëzit në Kremlin janë gati të marrin përsipër rreziqet e llogaritura: ata kanë llogaritur drejt se kur Brezhnjevi i sklerotizuar i dha dritë jeshile pushtimit të Afganistanit, nuk do të kishte ndonjë reagim nga Perëndimi, përveçse me fjalë. Gjeografia e përjashtonte një ndërhyrje ushtarake të çdo lloji nga Perëndimi. Por Shqipëria është në zonën e Mesdheut, shumë ngjitur me forcat e NATO-s. Për këtë arsye, vlerësimi i rrezikut duhet të llogarisë mundësinë e një reagimi ushtarak nga Italia, nga Greqia, nga Flota e Gjashtë e SHBA-ve ose nga NATO si e tërë. Çfarë lloj reagimi duhet të presë Kremlini nga secili nga këta?
Reagimi i Italisë ndaj një pushtimi të befasishëm të Shqipërisë nga BS do të lëkundej midis ankthit e shqetësimit të skajshëm në qarqet politike, si dhe indiferencës së frikshme të popullit. Udhëheqësit italianë do ta gjenin të vështirë të përpunonin një propozim praktik për t’ua parashtruar aleatëve të NATO-s. Ata nuk do të çuditeshin për mundësinë e demonstrimeve nga Partia Komuniste apo nga sindikatat: perspektiva e forcave sovjetike të vendosura në mënyrë të përhershme njëqind milje larg brigjeve të Italisë Jugore nuk ishte kënaqësi për këto organizata. Por, populli do të ishte i papërgatitur shpirtërisht për t’u ndeshur forcë me forcë, duke qenë se ishte mbajtur në errësirë për rrezikun e një përballimi me BRSS në Ballkan. Për këtë arsye, Roma do të qëndronte e ngurtësuar, duke pritur për një rol udhëheqës nga Uashingtoni dhe nga kryeqytetet e tjera aleate.
Pozita strategjike e Greqisë do të ndryshonte akoma edhe më rrënjësisht se sa ajo e Italisë. Qeveria greke do të tronditej seriozisht. Presioni i Paktit të Varshavës, i ndjeshëm prej kohësh përgjatë kufijve të Bullgarisë, do të mund të përhapej tani edhe në kufijtë dikur paqësorë të Shqipërisë. Në fillim Athina do të formulonte qëndrimin e harmonizimit me Beogradin dhe, ndërsa do të ngrinte veshët ndaj zhurmave që mund të vinin nga Turqia, me gjasë do të këshillonte maturi, duke iu besuar pëshpëritjeve se trupat sovjetike do të tërhiqeshin sapo të kishin plotësuar detyrën e tyre vëllazërore ose sapo Moska të ofronte një traktat mossulmimi sovjeto-grek. Unë kam përmendur Flotën e Gjashtë Amerikane, sepse ajo është themeli i fuqisë së SHBA-ve në Mesdhe. E mbështetur nga vendet mesdhetare të NATO-s dhe e furnizuar nga portet dhe aeroportet e tyre, Flota e Gjashtë është një makinë tepër e fuqishme lufte. Por, nëse do të mund ta përballonte e vetme mbështetjen e një operacioni ushtarak, i cili do të ishte thelbësisht shumë më domethënës dhe shumë më i rëndë sesa dy operacione që ajo kishte kryer në vitet e fundit kundër Libisë së Kaddafit – kjo mbetet e hapur për t’u dyshuar. Sigurisht një apo dy aeroplanmbajtëse të mëdha do të merrnin një pozicion në Detin Jon apo në Gjirin e Tarantos; aeroplanët AAC që fluturonin mbi Adriatik do të mund të zbulonin dhe të jepnin të dhëna mbi shtrirjen e penetrimit sovjetik. A do të mundte një shfaqje e tillë e kufizuar force të shkurajonte Moskën nga plotësimi i zbarkimit ajror dhe ta detyronte atë të tërhiqte mbrapsht aeroplanët e saj “Antonov” dhe parashutistët, sikurse bëri Hrushovi kur thirri tërheqjen e anijeve të tij për shkak të ultimatumit të Kenedit? Ndoshta përgjigja është “jo” dhe për këtë arsye një hap tjetër do të duhej të merrej. Uashingtoni do ta çonte problemin në prehrin e NATO-s.
Natyrisht që NATO është një mbulesë e përshtatshme për çfarë është në realitet një ballafaqim i vullnetit politik të disa shteteve sovrane. Përvoja e kaluar ka treguar se është e vështirë për organizata si kjo të arrijnë një vendim kolektiv që mund t’i japë shkëndijë një lufte të madhe, në qoftë se nuk është një agresion i drejtpërdrejtë kundër një nga anëtarëve të saj. Për shumë vite, këshilltarët ushtarakë e kanë nxitur Aleancën e Atlantikut të mbrojë jo vetëm shtetet e saj anëtarë, por gjithashtu edhe interesat jetësore të Aleancës në zona jashtë kufijve juridikë të NATO-s (kufij që përfshijnë Amerikën e Veriut, Europën Perëndimore me përjashtim të vendeve asnjanëse e të paangazhuara dhe Pellgun e Mesdheut me përjashtim Lindjes së Afërt dhe Afrikës së Veriut). Asgjë nuk rezultoi nga këto propozime. Vështirësitë në përcaktimin e interesave dhe të zonave jetësore u provuan se qenë tepër të mëdha. Në vitin 1973, qeveritë aleate Europiane, përveç Portugalisë, nguruan të sigurojnë baza ajrore dhe instalime të tjera për forcat amerikane të angazhuara në shpëtimin e lëkurës së Izraelit – dhe pak ditë më vonë, atë të Egjiptit. Në këtë retrospektivë, mungesa e guximit të Perëndimit në kohën e ekspeditave kubane në Angola (1975) dhe Etiopi (1978) provon idiotësinë e udhëheqësve të saj, ashtu sikurse edhe mungesën edukimit politik të tyre. Shumica e tyre injoruan në mënyrë të çuditëshme faktin se ku ndodhen gjeografikisht Luanda (Kryeqytet i Angolës) dhe Addis Ababa (Kryeqytet i Etiopisë), si dhe faktin që “çlirimtarët” kubanezë e bënë të pamundur për angolezët dhe etiopianët të kërkonin dashamirësinë dhe ndihmën e Perëndimit. Do të kishte qenë e vështirë të bindje elektoratin e Kopenhagenit apo të Amsterdamit të toleronin një operacion ushtarak në ato “vende të largëta për të cilat ata nuk dinin asgjë.” Megjithse Shqipëria e Tirana janë shumë më afër, të themi, me Norvegjinë, se sa me me dy vendet Afrikane të përmendura më lartë, anëtarët veriorë të NATO, midis të tjerëve, me gjasë do të adoptonin një qëndrim të harmonizuar, por një qëndrim që do të ishte çdo gjë, por gjithsesi, jo veprim konkret.
Debati në Këshillin e Atlantikut në Bruksel do mund, për këtë arsye, të përfundonte me fjalë moralizuese ose, heshturazi do t’iu ngarkohej barra Shteteve të Bashkuara – ndoshta bashkë me Italinë – për të vepruar sipas mundësive, aftësive, gjykimit dhe autoritetit të tyre më të mirë politik për të arritur largimin e sovjetikëve nga Shqipëria. (Precedenti i pakëndshëm i Afganistanit duhej mbajtur në mendje, por jo të merrej si model. Perëndimi nuk kishte asnjë mundësi për t’u futur në atë rajon, ndërkohë që me Ballkanin, është në kontakt të ngushtë fizik). Kështu, çdo gjë do t’i “lihej në derë” dhe do t’u besohej aftësive dhe kapaciteteve të Presidentit Amerikan për të bërë për vehte Kongresin, në përpjekjet për të përballuar sovjetët me një qëndrim të besueshëm që do të sinjalizonte ose….ose… Fatkeqëisht koha do të ishte shumë e shkurtër dhe planifikuesit në Moskë – duke shqyrtuar përzgjedhjet e kufizuara që hapeshin për Presidentin – do të mundeshin fare mire që të konkludonin se ishte tashmë shumë vonë për të instruktuar Flotën e Gjashtë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të zbarkuar trupa në bregdetin shqiptar me idenë që të siguronin, së paku, disa pengje territoriale me qëllimin që të parandalonin një pushtim të plotë të vendit nga ushtria sovjetike. Një vlerësim i tillë pesimist për anën tonë dhe një tjetër optimist për anën kundërshtare do të përjashtohej nëqoftëse qeveria e SHBA dhe Shtabi Suprem i NATO-s do të kishte një plan të gatshëm politik dhe ushtarak për një gjëndje të tillë emergjente, me qëllim që të manaxhonte një krizë të këtij tipi. Në Perëndim, aktualisht studimi teorik i menaxhimit të krizave ka ecur përpara në mënyrë të konsiderueshme. Ka vend plotësisht për të shpresuar se aplikimi i saktë i kësaj doktrine është në dispozicion për të menaxhuar krizat që mund të ngjasin në disa sektorë delikatë të botës. Për më tepër, nëqoftëse do të ishte e njohur apo e besueshme se egzistonte një plan emergjence për të përballuar ngjarjet si skenari shqiptar,- kjo do të ishte në vetvete një akt shkurajimi ose, së paku, do t’u jepte udhëheqësve sovjetikë të kuptonin shkallën e rrezikut, të futeshin në dyshime për t’u ndikuar prej tyre dhe pastaj, për t’iu frenuar dorën.
Çfarëdo hamendje dhe parashikim do të mund të shtrohej në dy plane të panjohur dhe të pavarur: Kur mund të nisë kriza? Cili do të jetë atëherë raporti i përgjithshëm i forcave në të dyja kampet, veçanërisht në fushën bërthamore? Le të supozojmë se nuk jepet asnjë ultimatum bërthamor për të kërkuar tërheqjen e forcave sovjetike; se nuk u vu këmbë dhe nuk u morën të kryera sulmet në territorin shqiptar, kur rrethanat qenë akoma të favorshme; se nuk rrëzuam asnjë aeroplan transporti sovjetik që ta detyronim Moskën për ndalur e për të reflektuar. Perëndimi do të kishte akoma karta të tjera për të futur në lojë (do të ishte arritur një shkallë e lartë gatishmërie, do të kishte mbytur anije lufte e transporti sovjetike pa ndonjë rrezik të madh për shpagim nga kundërshtari; ideja e një operacioni të ardhshëm zbarkimi do të mund të zhvillohej edhe në praktikë) etj. Por vlera e këtyre kartave do të pakësohej me kalimin e ditëve. Pas një apo dy javësh, rendi sovjetik do të ishte instaluar në pjesën më të madhe të Shqipërisë. Qeveria e Tiranës do të falënderonte në mënyrë solemne Moskën për ndihmën vëllazërore. Do të prodhoheshin “Provat” e komplotit imperialist përmes të burgosurve që gjoja kishin rezultuar nga “komandot subversive”. Këshilli i Sigurimit do të votonte për të dënuar BS-në, por me veton sovjetike, rezoluta do të konsiderohej e pavlefshme. Gazetarë të mirëdisponuar apo thjesht naivë perëndimorë, do të përhapnin periodikisht lajme se trupat sovjetike do të embarkoheshin në Durrës për t’u rikthyer në shtëpi. Burimet zyrtare të Moskës do të premtonin herë pas here përfundimin e gjendjes së pushtimit. Disa njësi ushtarake madje do të tërhiqeshin gradualisht. Sidoqoftë, bazat ajrore e detare do të prisnin “këshilltarë” rusë; eventualisht satelitët e zbulimit të SHBA-ve do të zbulonin depo raketash në proces ndërtimi nëpër kodrat shqiptare. Amerikanët do të protestonin ashpër ndaj Moskës. Por kjo do të përgjigjej se nuk ka asnjë marrëveshje të ndërsjellë për kufizime apo shtrëngime të pranuara nga të dyja palët, si për përdorimin luftarak nga dy blloqet të raketave bërthamore me rreze të mesme, ashtu edhe për rastin e vendosjes së raketave me rreze të shkurtër në Shqipëri, e cila linte të kuptohej se bëhej si kundërpeshë ndaj raketave “Cruise” në Sicili.
Ndryshimi i thellë në situatën strategjike në Ballkan dhe në Mesdhe nuk do të ndalonte me vendosjen e raketave me rreze të shkurtër të shënjestruara kryesisht ndaj Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë. Do të kishte një sërë rrjedhimesh politike. Pas ca kohësh do të ngrihej çështja e Maqedonisë; incidente dhe trazira do të inkurajoheshin në Republikën e Maqedonisë, pas të cilave do të vinin manovra ushtarake përgjatë gjithë kufirit të Jugosllavisë nën komandën e lartë të Paktit të Varshavës. Asnjë ndihmë konkrete nuk do të mund të dukej nga vendet e paangazhuara apo nga NATO. Nuk do kishte ndonjë ndryshim se cila formulë do të adoptohej: një Maqedoni “e pavarur”, apo një federatë Jugosllavo-Bullgare (këtë shpikje e kishte hedhur për konsum në vitin 1947 udhëheqësi i Bullgarisë, Georgi Dimitrov, por Stalini i vuri veton për arsyet e veta). Do të ndërtoheshin e do të mbaheshin një sërë rrugësh të sigurta komunikacioni e transporti tokësor midis Bullgarisë dhe Shqipërisë.
Sapo ta kishte vënë për së mbari në përdorim kartën maqedonase, Kremlini do të shtrëngonte pjesën tjetër të darës, Kosovën, për shtrydhur lëshime të mëtejshme nga Jugosllavia. Në këmbim të vetëpërmbajtjes sovjetike për të mos ndezur kryengritje nga minoriteti shqiptar aty, Beogradi do të pranonte të lëshonte bazat e tij ajrore e detare për forcat sovjetike. Ky parim reciprociteti “më jep – të jap” do të mbështetej nga shovinistët serbë, sepse do të ruante minoritetin serb në Kosovë nga shpërngulja nga tokat e tij aty. Për Jugosllavinë dhe kjo do të shënonte fundin e paangazhimit të saj. Kështu, i gjithë Ballkani do të bëhej pjesë e Perandorisë Lindore të udhëhequr nga Moska. Greqia, mbase edhe Turqia, do ta gjenin të arsyeshme ndoshta për t’u tërhequr nga NATO e të deklaronin asnjanësinë.
Sapo të qe konsumuar përdhunimi i Shqipërisë, në Itali do të kishte, ndoshta, një lëvizje politike për qëndresë dhe përgatitje. Disa parti politike, të cilat nuk ndjeheshin mirë me praninë e raketave “Cruise” në Sicili, do të insistonin që ato të përdoreshin, por sidoqoftë me kusht që disa apo të gjitha të shënjestroheshin kundër depove sovjetike në Shqipëri. Grupe të tjera, në të kundërt, do të kërkonin që të hapeshin menjëherë negociatat me sovjetikët lidhur me tërheqjen e njëkohshme të raketave bërthamore nga Shqipëria dhe nga Sicilia. Do të dëgjoheshin edhe më shpesh sugjerime dhe zëra – midis tyre zëri entuziast i zotit Mintoff (Dom Mintoff, politikan, gazetar dhe arkitekt, kryeministër i Maltës disa herë) në favor të kthimit të Mesdheut në një zonë të lirë nga armatimet bërthamore. Heshtja e thellë që u mbajt në Izrael dhe në Libi ndaj kësaj ideje do t’i vriste ndërkohë këto sugjerime. Kriza jugosllave që do të vinte pas grushtit të shtetit në Shqipëri, do të preokuponte dukshëm vetëm qarqet përgjegjëse në Itali. A nuk është Jugosllavia një krijesë pak a shumë artificiale? Por, sapo ajo të binte nën ndikimin sovjetik, do të ndodhte një ndryshim i shpejtë, si në qarqet politike, ashtu edhe në pjesën e mirinformuar të opinionit publik. Rrjedhimet do të ishin serioze.
Cili imazh i Europës do të ishte në fakt i pranishëm në sytë e vëzhguesve të ndjeshëm në gadishullin Apenin? Për më shumë se një të tretat e shekullit, siguria e Italisë është ruajtur nga Aleanca e Atlantikut. Por, asnjë vendim i menjëhershëm, asnjë lëvizje kurajoze nuk do të bëhej, sidoqoftë, nga NATO apo nga Komuniteti Ekonomik Europian ndaj krizës shqiptaro-jugosllave. I gjithë krahu lindor i Italisë, nga Trieste deri në Sirakuzë, do të mbetej i ekspozuar dhe i pambrojtur. Në qoftë se llogaritej edhe pseudo-neutraliteti i Greqisë, si dhe pakti i asistencës reciproke midis Libisë dhe BRSS krahas pranisë së forcave sovjetike në brigjet lindore të Mesdheut, atëherë harku i shteteve potencialisht armiqësore që rrethonin Italinë do të peshonte rëndë dhe ashpërsisht në të ardhmen e saj. A do të ishte e mundshme që Flota e Gjashtë e SHBA-ve të vijonte të mbetej e bazuar në Gaeta dhe Maddalena, apo do të kërkonte ujëra më të qeta më në perëndim? Dhe, a do të mbeteshin të sigurta rrugët e komunikimit detar me Kanalin e Suezit sapo Egjipti të fillonte ta ndjente veten të shkëputur nga qendra e fuqisë perëndimore? Shefat e Partisë Komuniste të Italisë do të zëvendësoheshin nga njerëz të afërt të Moskës. Do të rriteshin prirjet asnjanëse në Partinë Socialiste dhe në krahun e majtë të Partisë Katolike. Nuk do të mungonin t’u faleshin intelektualëve radikalë. Për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet akoma, kokat e ftohta do të fillonin të hartonin një kurs të ri, për t’u larguar nga Aleanca dhe nga Komuniteti Ekonomik Europian drejt vendeve të paangazhuara të botës.
Historia nuk është një teoremë matematike, megjithëse ajo shpesh i ngjan një të tille. Në vend të përfundimit, do të kisha përzgjedhur disa citime nga tre njerëz të mëdhenj: I pari nga Paul-Henri Spaak (politikan i shquar belg, sekretar i Përgjithshëm i NATO-s nga viti 1957 deri në 1967) i cili thotë: “Kush dëshiron të përfitojë disa gjëra, duhet të pranojë edhe konsekuencat e tyre: në qoftë se ai nuk i pëlqen ato, duhet të kundërshtojë burimet nga lindin konsekuencat”. I dyti ka lidhje me atë çfarë Çu En-Lai i mençur u tha disa vizitorëve të ardhur nga NATO (ku përfshihej edhe ministri i Jashtëm italian, Giacomo Medici) në fillim të viteve ’70: “Sovjetikët nuk do t’ju sulmojnë në fushat e Gjermanisë. Ata fillimisht do t’ju hipnotizojnë mendjen dhe shpirtin me këtë kërcënim. Pastaj do të zbatojnë një strategji të rrethimeve të gjera dhe njëpasnjëshme të Europës. Rrethimi i parë që kalon përmes Angolës dhe Mozambikut do t’ju kërcënojë rrugët e furnizimeve me hemisferën Lindore. Një unazë e dytë do të krijohet për të parambyllur Perëndimin nga pllajat e larta të Etiopisë, Adenit dhe Afganistanit e, ndoshta, Iranit dhe Gjirit Persik. Influenca juaj në Indi do të pakësohet aq shumë sa do të bëhet thuajse zero; Pakistani do ta gjejë veten në një situatë të vështirë. Ndërsa do ta kenë përfunduar të gjithë këtë, udhëheqësit sovjetikë do të fillojnë të ndërtojnë një unazë të tretë rrethimi. Këtë herë, ata do të synojnë të futin nën kontrollin e tyre gadishullin Ballkanik dhe Mesdheun Lindor. Në qoftë se ndodh kjo, atëherë Perëndimi mbaron në këtë pikë. Përpara sesa të ndodhë kjo, ju do të dëshmoni një përmirësim të marrëdhënieve sovjeto-kineze: marrëdhënie të ngadalta, të matura, por që nuk mund të ndalohen. Ju duhet t’i thërrisni kujtesës për të mos harruar se ne kurrë nuk e deshëm Stalinin, por as që e kundërshtuam paktin e tij me Hitlerin. Mbijetesa e popullit të tij është përgjegjësia e parë e një udhëheqësi. Ca më vonë, lufta dhe përpjekjet mund të rifillojnë në kushte më të mira”. Citimi i tretë është nga Dante: “Poca favilla gran fiamma seconda”, (Një shkëndijë e vogël mund të shkaktojë një zjarr të madh). Mund të jetë një përfundim i përshtatshëm për të medituar për të ardhmen e Shqipërisë.
Përktheu: Zeno Jahaj
ROBERT DUCCI
© Panorama.al











