Robera Mone në promovimin e librit të koreografit Skënder Selimi
Koreografja Roberta Mone, prej 20 vitesh pedagoge në Akademi, pak kohë më parë e ka mbushur sallën Blackbox jo me ndonjë shfaqje me koreografi të sajën, por me miqtë artistë, të ftuar për përurimin e monografisë së pedagogut të saj, koreografit Skënder Selimi.
Gjymtyrët, kur bëhet fjalë për baletin, të sinjalizojnë që në vitet e para të jetës se je e prerë për të. Kështu ka ndodhur edhe me Roberta Monen, pedagogen e Koreografisë në Akademinë e Arteve. Asnjë këmbëngulje gjenesh nuk kishte në familjen e saj. Ishte vetëm këmbëngulja e mësueses së klasave të para, që i dha drejtim jetës së saj profesionale. Prindërit ishin më shumë se skeptikë, as kishin parë e as kishin dëgjuar ndonjë të afërm të tyre të merrej me balet deri atëherë. Por vajza ishte e vendosur, do shkonte atje ku donte, të kushtonte ç’të donte. Ia arriti pa sforcime të mëdha, sepse sinjalet e fëmijërisë ishin kuptuar saktë. Tani duheshin vetëm studimet në Lice për Koreografi e mandej ato në Akademi për t’i dhënë pasaportën përfundimtare. Por sot, nuk e kemi takuar Robertën për të risjellë historinë e saj të dashurisë me kërcimin, që vazhdon të jetë po aq e fortë sa atëherë kur veshi puantet për herë të parë. Në ditët e fundit të prillit, ekzaktësisht në datën 29 të tij, po t’iu ketë rënë rruga andej nga “Sheratoni”, do keni parë me siguri grupe kërcimtarësh që festonin në natyrë. Në Shqipëri ky është një informacion që qarkullon pak, megjithatë arsyeja e kësaj shfaqjeje ishte e lidhur me Ditën Botërore të Kërcimit, që festohet në të gjithë botën prej tridhjetë vitesh. Ish pikërisht Roberta në qendër të këtij aktiviteti, ashtu siç ish në qendër të përurimit të monografisë së koreografit Skënder Selimi. I ka kushtuar një libër profesorit të saj dhe ka mbledhur edhe një herë miqtë e kërcimit për të nderuar mësuesin e saj. Pse zgjodhët pikërisht koreografin Skënder Selimi për t’i kushtuar një libër?
Së pari sepse ka qenë pedagogu im. Ka shumë kohë që kam tentuar ta nis këtë monografi, por sa herë që ia thosha profesorit, më thoshte “ka kohë, ka kohë”. Por ndonjëherë, vërtet që nuk ka kohë, megjithatë unë arrita ta përfundoj atëherë kur duhet dhe u ndjeva mirë nga dashamirësia me të cilën u prit nga kolegët ky libër, sidomos nga profesor Selimi. Ç’marrëdhënie kishit ju me të shkruarin më parë, përveç kërcimit?
Roberta me të bijën, Megi, në palestër
Kisha tentuar përpara kësaj monografie të shkruaja diçka për tim atë. Ato ishin tentativat e para, që vinin si rrjedhojë e një nevoje të brendshme. Për fat të keq babai u sëmur dhe unë ç’kisha shkruar ia lexova, për ta kënaqur. Kaq mundi të merrte, nuk arriti ta shijojë punën deri në fund, sepse u largua nga jeta. Pas kësaj ngjarjeje, unë nuk u mora më me atë libër, e lashë mënjanë, derisa nisa këtë projekt të dytë. Më 29 prill keni organizuar shfaqje për Ditën Botërore të Kërcimit. Na flisni pak se ç’përfaqëson kjo ditë, pse është zgjedhur kjo datë…
U bënë tre vjet tashmë që e organizoj këtë aktivitet. Ky është një eveniment që festohet në të gjithë botën që prej 29 prillit të vitit ’82 dhe është krijuar nga Këshilli Internacional i Kërcimit dhe UNESCO. Kjo ditë përkujton ditëlindjen e Zhan Zhorzh Noverit, i cili ishte një nga reformatorët e famshëm të kërcimit dhe i kushtohet secilit prej nesh që zgjedh për të komunikuar gjuhën e trupit. Ky aktivitet është zhvilluar gjithnjë në ambiente të hapura, këtë gjë kemi bërë edhe ne. Jashtë, njerëzit kërcenin në pyje, në sheshet e fshatrave me orë të tëra pa pushuar. Përmasat këtu janë pa dyshim më të vogla, kështu që kemi zgjedhur sheshin përpara Akademisë ose këtë vit, një hapësirë mesatare përpara qendrës së vallëzimit, “Let’s dance”. Qendër që drejtohet nga ju, apo jo?
Po, u bënë vite tashmë që, përveç punës në Akademi, merrem edhe me këtë qendër. Është kënaqësi më vete që të ndihmosh njerëz që kanë pasion kërcimin, të arrijnë të bëhen të zotë.
“Let’s Dance” (Le të kërcejmë) është si një ftesë që unë u bëj të gjitha grupmoshave, duke u dhënë mundësinë të mësojnë së bashku me mua hapat bazë. Kërcimet që preferohen më shumë, janë zhanri klasik për fëmijët, hip-hop për adoleshentët dhe për moshat mbi të 20-at, salsa, tango, vals, rumba, samba, twist etj., por dhe shumë njerëz janë të interesuar për vallet popullore nga jugu në veri. Pa harruar dhe kujdesin që tregojnë tani çiftet e reja që martohen, që po shtohen gjithnjë e më shumë. Ata pëlqejnë valsin vjenez, tangon, kërcimin romantik në momentin e tortës, popullore etj. Ju keni një vajzë, e cila është tamam në moshën kur duhet të zgjedhë se ç’do të bëjë me jetën e saj profesionale. A do e ndjekë rrugën tuaj?
Eh, është një temë që më bën të ndihem keq sa herë që hapet. Jam marrë me Megin, duke i mësuar gjërat e para të kërcimit që kur ishte 4-5 vjeç. Por e kam bërë këtë vetëm që ajo të edukohej me dashurinë për artin, duke lënë jashtë faktin që ajo mund të dojë të zgjedhë pikërisht rrugën time kur të rritet. Dhe në fakt ka ecur aq mirë, saqë do të bëjë pikërisht këtë. Sado që ka performuar shpesh në skenë dhe është e zonja, jam pishman që nuk e futa në Lice. Menduam, bashkë me tim shoq, që ajo të zgjidhte vetë e të bënte diçka me më pak mund. Por ja që ajo tani do pikërisht këtë dhe ka humbur nga koha e studimeve.
Janka dhe baleti, dy dashuritë që solli nga Moska
Skënder Selimi me të shoqen, Jankën
Magjepsja pas baletit e koreografit Skënder Selimi ka ndodhur te “Shatërvani i Bahçisarajt”. Atëherë e pushtoi magjia e baletit bashkë me rolin e Nuraliut, pavarësisht se ende nuk ishte i formuar teknikisht e profesionalisht. Ndonëse nuk e kishte konceptin e plotë të baletit, kënaqej me hedhjet e larta, pirouette e chaine. Dinte vetëm që i ndiente, të tjerat do të vinin më pas. Siç në fakt erdhën. Pas Liceut Artistik në Tiranë, për merita artistike dhe rezultate të larta, Ministria e Arsimit i jep Selimit të drejtën për të vijuar studimet e larta në fushën e Koreografisë, në Moskë. Kështu, nisi për të një etapë e re. Imazhet që kishte pasur për artin në Rusinë e asaj kohe, po arrinte t’i prekte, po bëhej pjesë e tyre, sepse interpretimet e tij skenike nisën që në kohën studentore për të vijuar edhe më suksesshëm më vonë, derisa të vinte koha për t’u rikthyer në vendin e tij. Por nuk do të vinte më i vetëm, sikundër kishte ikur. E as i shoqëruar vetëm nga baleti. Bashkë me të ishte dhe Janka, vajza bullgare që iu bashkua Skënderit në vendin e tij, për të krijuar një strehë të re e për ta ndërtuar pjesën tjetër të jetës këtu.