Arjen Roben ka pranuar se klanet brenda kampit holandez sollën eliminimin e parakohshëm të “tulipanëve” nga Europiani. “Fakti që media flet gjatë gjithë kohës për klane në skuadrën holandeze, është e vërtetë. Kemi probleme të brendshme në dhomat e zhveshjes, por gjithashtu ekziston vullneti për t’i mbajtur brenda ekipit. Duhet të na besoni se dhamë gjithçka për t’u kualifikuar, por nuk funksionoi. Mos u përpiqni të gjeni ‘kokë turku’. Ishte dështimi i të gjithëve”, – deklaroi për mediat Roben. Flitet për një ndarje mes grupit të Shnajderit dhe atij të Van Persit, që e ka zanafillën prej filozofisë së lojës. Fantazisti i Interit kërkon lojën e bukur dhe për këtë ka mbështetjen e lojtarëve të dalë nga akademia e Ajaksit. Njëri prej tyre është Huntelar, i cili nuk shkon me Van Persin dhe është akuzuar edhe për sabotazh në ndeshjen me Portugalinë.











