
Arjen Roben nuk ka për ta harruar kurrë mbrëmjen e 19 majit. Ai ktheu finalen në një telenovelë. Mesfushori pati në dorë të shkruante historinë me Bajernin por, për fat të keq, u kthye në një figurë antipatike. 28-vjeçarit holandez iu besua penalltia më e rëndësishme në historinë e 20 viteve të fundit të ekipit bavarez. Për ironi të fatit, ashtu si ndaj Dortmundit, ai humbi 11-metërshin për të dytën herë radhazi, duke mbajtur mbi supe përgjegjësinë e humbjes së finales së madhe në Mynih. Për çudi, Roben e gjuajti penalltinë në të njëjtin pozicion si ndaj Dortmundit dhe, si pasojë, është një nga shkaktarët pse Bajerni doli pa trofe këtë sezon. Pavarësisht dominimit të bavarezëve, kur gjuajtjet në portë ishin 41 me 9 dhe gjuajtën 20 goditje këndi kundrejt një të Çelsit, përsëri ata nuk u treguan dinakë dhe të zgjuar ta mbanin rezultatin për 8 minutat e mbetura pas avantazhit në minutën e 82-të nga Tomas Myler. Arjen Roben, “humbësi i madh” i finales, i vetëquajtur gjuajtës i shkëlqyer i penalltive, ku pas Realit i kundërpërgjigj edhe Bekenbauerit, nuk pati kurajën të merrte përsipër 11-metërshin në fund të ndeshjes, duke lënë skuadrën në mëshirë të fatit. Mesfushori holandez, Arjen Roben, në të vetmen deklaratë që ka dhënë për mediat kërkon “azil futbollistik” njëjavor, duke preferuar të zhduket në një ishull të pabanuar. “Nuk gjej fjalë si ta përshkruaj. Në këtë gjendje psikologjike që jam, më duhet të zhdukem për disa ditë. Më mirë të kaloj një javë në një ishull të pabanuar”, – deklaroi Roben, i cili duket se është kthyer në aktorin kryesor të filmit “Të humburit”. Bosi rus Roman Abramoviç pritet t’i mundësojë ish-lojtarit një udhëtim 7-ditor në “shtëpinë” e tij në hënë, në shkëmbim të dhuratës më të bukur, e cila i kushtoi 1 miliard euro.
Kupa mbërrin në Londër, 70 mijë presin heronjtë
Trofeu i Ligës së Kampioneve ka zbritur në shtëpinë e re, Londër. Në një festë madhështore, mbretëresha e Europës, Çelsi, ka nisur rrugëtimin e saj në rrugët e kryeqytetit anglez, për të reklamuar dy trofetë e fituar këtë sezon, atë me vesh të Champions-it dhe “FA Cup”-in. Në paradën e autobusit të hapur që shëtiti rrugët e Londrës, nuk mungoi askush (edhe pronari Abramoviç ndodhej në autobus). Pas pritjes si heronj që iu rezervua në aeroport në orët e para të mëngjesit të së dielës, blutë e Londrës i reklamuan trofetë e tyre duke nisur nga ora 17:00 në stadiumin “Stamford Bridge”. Parada filloi nga hyrja perëndimore e stadiumit, përpara se autobusi t’i drejtohej lindjes në rrugën “Fulham”. Skuadrës iu deshën rreth 35 minuta për të ndalur në sheshin kryesor të qytetit, ndërsa në rrugët e Londrës kishin dalë për të përshëndetur triumfin e Çelsit rreth 70 mijë persona, përfshirë edhe tifozë të rivalëve të Arsenalit.
Jup Hejnkes
“Ishim zotër të fushës, por nuk i realizuam siç duhet shanset vetëm dy metra para portës. Për sa i përket zëvendësimit të Mylerit, ai e kërkoi vetë. Myler sakrifikoi, pasi vinte nga një dëmtim. Kurse penalltinë në minutat shtesë e vendosën vetë lojtarët që ta gjuante Robeni. Tek penalltitë pata një situatë të pakëndshme. Nojer e mori vetë përsipër ta gjuante, pasi shumica ngritën supet dhe po ankoheshin. Edhe Roben iu shmang gjuajtjes së penalltive”, – bën të ditur Hejnkes.












