Rizgjidhet, Basha letër urimi homologut londinez

May 7, 2012 | 18:07
Kryetari i Bashkise, Lulzim Basha

TIRANE- Me rastin e rikonfirmimit të tij në postin e kreut të Bashkisë së Londrës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i ka dërguar një letër urimi, homologut Boris Johnson. Ne letrën e tij, Basha e fton Johnson të vijë në Shqipëri, ndërsa i uron shumë suksese në organizmin e Lojrave Olimpike 2012, duke theksuar se përgatitjet e deritanishme janë mbresëlënëse.

 

Më poshtë letra e plotë që Basha i ka dërguar Jonson

I nderuar zoti Krytar i Bashkisë së Londrës,

Kam kënaqësinë e veçantë, që në emër tim dhe  të qytetarëve të Tiranës, t’ju përgëzoj për rizgjedhjen tuaj në postin e kryetarit të Bashkisë së Londrës  si dhe  t’ju uroj  të vazhdoni me sukses realizimin e axhendës tuaj në shërbim të qytetarëve.

Me votën e tyre, qytetarët londinezë votëbesuan vazhdimin e programit Tuaj për përmirësimin e cilesisë së jetës së qytetarëve të Londrës.

Unë, gjithashtu, dua t’ju uroj suksese në organizimin e Lojrave Olimpike, të cilat do ta shndërrojnë Londrën ne kryeqendrën e botës. Përgatitjen e deritanishme janë mbresëlënëse. Unë nuk kam dyshim se qyteti juaj do të shndërrohet në shtëpinë  e përkohshme të  mijëra  konkurentëve  dhe miliona spektatorëve që do të bëjnë Anglinë krenare këtë verë.

Unë dua t’ju siguroj Ju zoti Kryetar se për mua dhe qytetin e Tiranës, miqësia dhe bashkëpunimi me Ju dhe Londrën është dhe mbetet një përparësi e veçantë.

Më lejoni gjithashtu të shpreh dëshirën time të thellë për t’ju mirëpritur në Tiranë dhe një herë t’ju uroj shumë sukses këtë verë dhe gjatë mandatit tuaj të dytë.

© Panorama.al

Te lidhura