Ristani: Vendimet e KQZ u vlerësuan nga ODIHR

Feb 23, 2012 | 13:37

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Kreu i KQZ-së dorëzon në Kuvend raportin vjetor të institucionit që drejton.

“Votat në kutinë e gabuar të parashikohen në Kodin Zgjedhor”

Fati i fletëve të hedhura në kutinë e gabuar duhet të rregullohet në Kodin Zgjedhor. Ky rekomandim është dhënë në raportin përfundimtar të KQZ-së për zgjedhjet vendore të 8 majit. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, pritet të dorëzojë në Parlament raportin për vitin 2011, dhe një pjesë të konsiderueshme të këtij drafti e zë çështja e fletëve të hedhura gabim e të numëruara nga KQZ në garën e kryeqytetit. “Rekomandimi i bërë nga OSBE/ODIHR është se numërimi, vlerësimi dhe trajtimi i votave të hedhura në kutinë e gabuar duhet të parashikohet në Kodin Zgjedhor. Duke adresuar nevojën e parashikimit dhe rregullimit në ligj të këtij problemi të evidentuar edhe në proceset zgjedhore pararendëse, por jo të fokusuar e shtruar për zgjidhje”, thekson Ristani në raport. Kryetari i KQZ-së deklaron me tej se zgjedhjet e vitit të shkuar, përveç polemikave dhe politizimit, u vlerësuan nga OSBE/ODIHR. “Në raport, zgjedhjet e 8 majit 2011 vlerësohen nga arbitri ndërkombëtar si kompetitive dhe transparente. Kompetitiviteti dhe transparenca e vlerësuar, si shtylla kryesore të ndershmërisë dhe lirisë së zgjedhjeve, janë vlerësime të çmuara për arritjet e sistemit zgjedhor në Shqipëri”, thuhet në raportin e KQZ-së.
Një pikë e debatuar në zgjedhjet e 8 majit ka qenë dhe mospërputhja e numrit të votuesve dhe fletëve, që u cilësuan si të vlefshme. “Gjatë këtij vlerësimi, meqenëse votat e hedhura në kutitë e gabuara ishin vlerësuar si të pavlefshme nga grupet e numërimit, KQZ pakësoi numrin e votave të pavlefshme në kutinë ku ato u gjetën dhe rriti numrin e votave të vlefshme, për aq sa u vlerësuan të tilla, në kutinë së cilës i përkisnin. Në këtë kuptim, ndryshoi “balanca” që ishte më parë midis fletëve të votimit të gjetura në kuti dhe shumës së votave të vlefshme me ato të pavlefshme në kutinë e llojit përkatës dhe rrjedhimisht, në tabelën përmbledhëse të atij ‘pushteti’”, sqarohet në raportin e KQZ-së. Në raportin përfundimtar thuhet se ankimimi i zgjedhjeve të Tiranës në Kolegjin Zgjedhor në të gjitha rastet i dha të drejtë KQZ-së në vendimet e saj.

33 ankesa në Kolegj
Përfundimi i zgjedhjeve të 8 majit është shoqëruar me 33 kallëzime në Kolegjin Zgjedhor. Sipas raportit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në 24 raste KQZ-së i është dhënë e drejtë nga Kolegji Zgjedhor, ndërsa në 9 raste është kërkuar ndryshimi i vendimit në favor të palës paditëse. “Në fazën para datës së zgjedhjeve, në KQZ u paraqitën nga subjektet zgjedhore gjithsej 58 kërkesa ankimore për mosregjistrimin në kohë si kandidat”, thuhet në raportin e KQZ-së.

Raporti i KQZ për 8 majin
• Nga verifikimi që KQZ bëri kryesisht në listat shumemërore të partive politike të depozituara në KZAZ, rezultoi se nga 54 parti, 53 prej tyre nuk respektuan kriterin e gjinisë në një numër të konsiderueshëm zonash zgjedhore
• Në mbështetje të nenit 24 të Kodit Zgjedhor, KQZ duhet të nxjerrë aktet me karakter normativ jo me vonë se 60 ditë para datës së zgjedhjeve. Mungesa e disa anëtarëve të KQZ-së solli vështirësi për hartimin e udhëzimeve të reja të nevojshme apo ndryshimin e atyre ekzistuese për të rregulluar marrëdhëniet specifike në lidhje me zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore
ZHVILLIMI I DITËS SË ZGJEDHJEVE
• Ditën e zgjedhjeve KQZ konstatoi se përgjithësisht anëtarët e KQV-ve kanë demonstruar profesionalizëm në ushtrimin e detyrës
• Vetëm në 1 rast, në QV nr. 1992, të ZAZ 54 (Njësia Bashkiake nr. 10 në Tiranë), komisioni i qendrës së votimit tentoi forcërisht që të mbyllë procesin e votimit para orës 19:00, edhe pse jashtë qendrës së votimit kishte mbi 100 votues që prisnin në radhë.
• Shifrat e pjesëmarrjes në zgjedhje ditën e votimit, të krahasuara me shifrat zyrtare, në rang vendi janë pothuajse njësoj, përkatësisht 50.91 me 50.96 %, në rang qarku lëvizin me 3-4%.
PROCESI I NUMËRIMIT TË VOTAVE
• KQZ, kryesisht në cilësinë e KZAZ-së së njësisë zgjedhore Bashkia Tiranë, në një fazë të rëndësishme të procesit zgjedhor, siç është faza e numërimit të votave, vendosi të kryejë vetë hapjen e 117 kutive të votimit të zonës zgjedhore Bashkia Tiranë (gjithsej 108 qendra votimi), duke numëruar dhe vlerësuar fletët e votimit të pavlerësuara dhe të panumëruara të hedhura në kutitë e gabuara.
• Ky investim i KQZ-së ishte jo vetëm në përmbushje të detyrimit ligjor të zgjidhjes së paqartësive të shfaqura në organet e varësisë gjatë administrimit të procesit zgjedhor, por gjithashtu në respektim të garancisë kushtetuese: barazisë së votës.
KOLEGJI ZGJEDHOR
• Vendimi i KQZ-së në lidhje me numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit të pavlerësuara dhe të panumëruara të hedhura  aksidentalisht në kutitë e gabuara, u ankimua në Kolegjin Zgjedhor, i cili e vlerësoi si vendim në përputhje me ligjin dhe e la në fuqi.
• Rekomandimi i OSBE/ODIHR-it se numërimi, vlerësimi dhe trajtimi i votave të hedhura në kutinë e gabuar duhet të parashikohet në Kodin Zgjedhor, dëshmon qartësisht për drejtësinë e veprimtarisë dhe vendimmarrjes së KQZ, edhe në këtë pjesë aq të debatuar të procesit zgjedhor, duke adresuar nevojën e parashikimit dhe rregullimit në ligj të këtij problemi të evidentuar edhe në proceset zgjedhore pararendëse, por jo të fokusuar e shtruar për zgjidhje.

© Panorama.al

Te lidhura