
Mungesa e kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku diskutohej raporti vjetor i institucionit që ai drejton, ka shkaktuar debate mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës. Në fillim të mbledhjes, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, tha se për shkak të mospërputhjes së axhendës me KQZ-në, kryesia e Komisionit (e përbërë nga kryetari, nënkryetari Fatmir Xhafaj dhe sekretari Viktor Gumi), vendosi që seanca të bëhej me sekretaren e Përgjithshme. “Meqenëse kalendarët tanë nuk përputheshin me njëri-tjetrin dhe për shkak se ne kemi nevojë t’i kryejmë procedurat përpara përfundimit të sesionit, me kryesinë e Komisionit diskutuam çështjen dhe ramë dakord që procedurën ta zhvillojmë me sekretaren e Përgjithshme. Ne si kryesi vendosëm se puna mund të vazhdonte edhe në mungesë të zotit Ristani, zonjës Subashi dhe kolegëve të tjerë”, tha Rusmali, pasi u pyet nga Gjiknuri se përse nuk ishte i pranishëm Ristani. Pas raportimit të sekretares, Gjiknuri mori sërish fjalën dhe tha se pas kontaktit që ai pati me Xhafën, nuk ishte e vërtetë se ka pasur një vendim të kryesisë së Komisionit për ta zhvilluar këtë seancë. “Zoti kryetar, në lidhje me atë që folëm, sapo kontaktova me nënkryetarin e Komisionit të Ligjeve. Nuk ma konfirmon të njëjtën gjë në lidhje me audiencën e sotme. Është shqetësuese dhe e pafalshme për Komisionin që një institucion kaq i rëndësishëm, në qendër të problematikës së vendit, të mos përfaqësohet këtu nga kryetari, gjë që na i cungon dhe pyetjet, dhe përgjigjet”, u shpreh Gjiknuri. Por, kreu i Ligjeve, Rusmali, u përgjigj menjëherë duke thënë se “Nëse ke ndonjë shqetësim me vendimet që merr kryesia e Komisionit, hap rregulloren, lexo procedurat, ndiq rrugën ligjore dhe ankohu po deshe. Këtu të devijojmë debatin nga lënda që kemi te marrëdhëniet tuaja me Fatmir Xhafën, nuk e bëj dot Sa më shumë e lexoj rregulloren, aq më shumë habitem sa e rreptë kundër sherrxhinjve dhe horrave është kjo rregullore, më e rrepta në Europë”. Pas disa debatesh dhe batutash mes deputetëve, kreu i Komisionit e mbylli mbledhjen duke ia lënë sekretarit Viktor Gumi të hartojë projektrezolutën, e cila, pasi të diskutohet në Komision, do të votohet në Parlament, me gjasa vetëm me votat e maxhorancës.
Debatet në Komision
Ilir Rusmali: Ne si kryesi vendosëm se puna mund të vazhdonte edhe në mungesë të zotit Ristani, zonjës Subashi dhe kolegëve të tjerë.
Damian Gjiknuri: Nuk e di në çfarë gjendje mund të shqyrtohet ky raport pa prezencën e kryetarit, aq më tepër që mund të ishte edhe nënkryetarja në vend të kryetarit.
Ilir Rusmali: Që s’ta konfirmon, ndoshta nuk të quan konfident. Kjo është një histori që e mori përgjigjen.
Dashnor Sula: Do keni pasur ndonjë konflikt tjetër, Damian.
Ilir Rusmali: Unë jua thashë përgjigjen dhe fjalia ime ishte institucionale, iu referova kryesisë së Komisionit. Nëse ke ndonjë shqetësim me vendimet që merr kryesia e Komisionit, hap rregulloren, lexo procedurat, ndiq rrugën ligjore dhe ankohu po deshe. Këtu të devijojmë debatin nga lënda që kemi te marrëdhëniet tuaja me Fatmir Xhafën, nuk e bëj dot.
Damian Gjiknuri: Mos bëj diversion kot, mos bëj komente.
Ilir Rusmali: Nëse do të bësh sherrxhiun, përpiqu të përmbash veten dhe të rilexosh rregulloren, se rregullorja nuk lejon sherrxhinjtë të marrin pjesë në punimet e Kuvendit. Sa më shumë e lexoj rregulloren, aq më shumë habitem sa e rreptë kundër sherrxhinjve dhe horrave është kjo rregullore, më e rrepta në Europë.
Damian Gjiknuri: Vetëm ti e thyen rregulloren, ti e shkel.
Ilir Rusmali: Boll tani, hajde! E bëmë edhe ilaritetin që donte ky shoku këtu.
Bashkim Fino: Pse i thua shok?
Ilir Rusmali: Ai as shok nuk e meriton. Bëni mbledhje grupi dhe hiqjani epitetin shok.
Bashkim Fino: Çfarë ke që ofendon? Kam një pyetje kryetar.
Ilir Rusmali: Jo, mua pyetje nuk më bën dot.
Vasilika Hysi: Këtu për herë të parë nuk na vjen kryetari…
Ilir Rusmali: Nëse seanca të pëlqen apo jo, është çështje e jotja. Seanca është serioze dhe sipas procedurës.
Armando Subashi: Sipas teje, është serioze.
Ilir Rusmali: Nëse nuk të pëlqen, gjej zgjidhjen tënde, por seancën time nuk e fyen dot ti. Relator për KQZ-në do të jetë zoti Gumi.
Vasilika Hysi: Fakte dhe grup faktesh.
Gjiknuri: Ristani e sabotoi seancën
Deputeti i Komisionit të Ligjeve, njëherësh edhe bashkëkryetar i Komisionit të posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, reagoi dje në përfundim të mbledhjes lidhur me mungesën e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani. Ai tha se kreu i KQZ-së e sabotoi mbledhjen e Komisionit dhe po vazhdon të mbrohet nga maxhoranca njësoj si një vit më parë. “Dua të denoncoj veprimet e këtij komisioni, kryetarit të tij, i cili në mënyrë krejt të papranueshme e sabotoi këtë seancë duke mos nxjerrë përpara përgjegjësisë, në Kuvend dhe publik, të gjitha ato veprime që ka kryer KQZ-ja dhe aq shumë të kritikuara nga ndërkombëtarët. Më vjen keq që po të njëjtët njerëz që e kanë frymëzuar ‘Ristanokracinë’ vazhdojnë akoma të kërkojnë ta mbrojnë atë”, tha Gjiknuri.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











