
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, deklaroi dje në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në TV Klan, se s’mund të përsëriten zgjedhjet e Tiranës.Kreu i KQZ-së tha më tej se mosrakordimi në shifra ka ardhur si rezultati i gabimeve njerëzore dhe nuk ka asnjë provë për manipulim të rezultatit. Sipas tij, me hapjen e të gjitha kutive do të ketë një përputhje të shifrave. “Jo sepse palët duhet të jenë ankuar në këtë drejtim për përsëritje zgjedhjesh. Askush nuk na është ankuar për manipulim zgjedhor. Kemi një mungesë totale në tabelë, dhe kjo ka ardhur nga mosrakordimi në tabelat e veçanta. Palët duhet të ishin ankuar për këto tabelat e veçanta dhe ashtu nuk është ankuar. Ato janë gabim njerëzor. Mosrakordanca nuk çon në pavlefshmëri. Mund të sjell një rast mosrakordance. Është raportuar mbi 800 vota nga partitë politike. Kjo për shkak se në një qendër votimi kanë harruar të vendosin numrin total të zgjedhësve. Ky mosrakordim është ligjor për sa kohë nuk ka prova për manipulim”, tha Ristani. Më tej ai u shpreh se nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor bëhet fjalë vetëm për gjetjen e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar dhe aspak me rivlerësimin e fletëve të pavlefshme, të cilat për kryetarin e Bashkisë janë mbi 6 mijë fletë. “Nga ajo që unë kuptoj, ka të bëjë me fletët e kontestuara dhe jo normalisht te kutia e kryetarit, dhe nëse do të kërkojmë aty, atëherë do të japim rezultat edhe për këshillat. Përveç këtyre fletëve të hedhura në kutitë gabim, nuk mund të shqyrtohet asnjë fletë tjetër votimit”, tha ai. Në lidhje me procedurën ai u shpreh se KQZ, me daljen e vendimit, do të veprojë shpejt dhe në rastin më të keq, nëse do të ketë ankesa, mund të shkojë në rreth një muaj.
ERALD KAPRI











