
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, foli dje në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Sipas tij, kjo duhet bërë për të përmirësuar Kodin, ndërsa i pyetur për mandatin e anëtarëve aktualë të KQZ-së, ai tha se diskutimet për anëtarët duhet të nisin 6 muaj para mandatit. “Sipas Kodit Zgjedhor, mandati i këtij Komisioni Qendror të Zgjedhjeve mbaron në shkurt të 2013-s. Sipas ligjit, diskutimet për KQZ-në e re do të nisin 6 muaj përpara. Të paktën këto janë përcaktimet ligjore dhe skema që është përcaktuar në Kod është e qartë. Nuk besoj se ka ndonjë problem në këtë mes”, tha kryetari i KQZ-së, Arben Ristani. Sipas tij, përzgjedhja e anëtarëve të KQZ-së duhet të parashikohet në Kod, ndërsa shtoi se procedurat për përzgjedhjen e tyre do të nisin 6 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në vend. Por, për këto ndryshime në Kodin Zgjedhor ai e cilësoi të rëndësishme që duhet të ketë vullnet politik.
Dje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpërndau mandatet për kryetarët e komunave dhe këshillat komunarë në Mollas, Pishaj dhe Shllak. Sipas kreut të KQZ-së, zgjedhjet në Shalë, komunë që po mban peng rezultatin e 8 majit, do të zhvillohen menjëherë pasi të mbarojnë ankimimet në Kolegj për të nëntë komunat e tjera ku u rivotua më 31 korrik. Ristani, në prononcimin për median, tha se rezultati përfundimtar për zgjedhjet administrative të 8 majit mund të publikohet brenda muajit gusht. Ndërkaq, dështimi i votimit në komunën Shalë të Shkodrës dhe padia e MEGA-s për komunën e Finiqit shtynë shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga KQZ-ja. Pas ripërtëritjes së zgjedhjeve më 31 korrik, ishte parashikuar që tabela përfundimtare të miratohej në mesin e muajit gusht, por tani, burime pranë KQZ-së bëjnë të ditur se zgjedhjet nuk do të quhen zyrtarisht të mbyllura të paktën deri në fund të këtij muaji. Në këto kushte duket se është shtyrë edhe nxjerrja e raportit përmbledhës të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit, për shkak se zyrtarët e saj kanë deklaruar që fjala e fundit do të thuhet vetëm pasi të dalë rezultati përfundimtar. Nga ana e tij, institucioni që merret me administrimin e zgjedhjeve, KQZ, duhet të presë edhe pak ditë për të shpallur datën kur do të votohet në Shalë. Kjo sepse më parë duhet të jepet vendimi i Kolegjit për komunën e Finiqit.











