
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deklaroi dje se do të hapen të gjitha kutitë e votimit.Sipas kreut të KQZ-së, Kolegji Zgjedhor vendosi për hapjen e më se 1400 kutive në Tiranë dhe KQZ do të veprojë menjëherë. Sipas tij, procedura do të jetë e njëjtë si me 117 kutitë e para, por ai u shpreh skeptik dhe nuk pret surpriza për të gjetur fletë të tjera të hedhura gabim. “Për mua, nuk ka vend për Librat e Protokollit, pasi ne ata i kemi parë dhe i këqyrëm kur kryem procedurën e parë. Tani kemi ezauruar Librat e Protokollit të mbledhjeve të KZAZ-ve dhe nuk ka më shënime në këta libra, për të na dhënë indicie të caktuara. Personalisht, nuk pres surpriza për të gjetur të reja, se po të kishte, do të ishin shënuar në Librat e Protokollit. Megjithatë, le të themi që KZAZ të caktuara mund të mos e kenë bërë mirë punën dhe të mos kenë shënuar në Librat e Protokollit ato që duhet të shënonin dhe mund të ketë gjetje të reja gjatë hapjes së kutive”, tha Ristani për “Tv Klan”. Sipas tij, Gjykata urdhëron hapjen e të gjitha kutive të votimit dhe kështu do të bëhet nga KQZ, ndonëse nuk ka më shënime në Librat e Protokollit nga ana e KZAZ-ve. “Tashmë, gjykata urdhëron të hapen të gjitha kutitë, pavarësisht librave të Protokollit, pra pavarësisht nëse ka shënime në këta libra. Për të qenë korrektë, ne do t’i hapim të gjitha”, tha Ristani. Sipas tij, kjo procedurë bëhet me një vendimmarrje të thjeshtë dhe, nëse anëtarët e opozitës e kundërshtojnë, atëherë ata do të tentojnë të thyejnë vendimin e gjykatës. Kreu i KQZ tha se do të ngrihen disa grupe numërimi në KQZ për të proceduar sa më shpejt. “Presim vendimin e zbardhur të Kolegjit, sepse pjesa e zbardhur ka rëndësi për vendimmarrjen e bërë tashmë. Do të ketë edhe një vendimmarrje nga KQZ, një vendimmarrje formale për zbatimin e vendimit të gjykatës dhe më pas do të zhvillohet në sallën tonë të mbledhjeve procesi i numërimit. Do të ngremë disa grupe numërimi në bazë të kapaciteteve tona. Se sa do të ngremë, do të varet na bazë të kapaciteteve dhe të hapësirave që kemi në sallën e mbledhjeve, por besoj se do të ngremë sa më shumë të mundim, që të mbarojmë sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Ristani, i cili u shpreh optimist për të përfunduar këtë punë, për një afat prej 1 jave nga fillimi i hapjes së kutive të votimit. “Është e vështirë ta them, por ndoshta në kufijtë e një jave”, ka thënë Ristani, i cili ka ftuar edhe median të jetë prezent në këtë proces.
KQZ rrëzon 2 kërkesa ankimore
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje dy kërkesa ankimore të bëra nga Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe Partia Demokratike për komunat Golem dhe Fshat-Memaliaj. PDIU kundërshtoi tabelën e rezultateve për qendrën e votimit Nr.2131 për kryetar te komunës Golem dhe shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në qendrën e votimit Nr.2131 për kryetar të komunës Golem. Pas një verifikimi me listat, KQZ e rrëzoi këtë kërkesë me votim 6 me 0. PD shprehu kundërshtim të rezultateve të tabelave të votimit, rinumërim dhe rivlerësim te votave për disa qendra votimi në zgjedhjet për kryetar, komuna Fshat-Memaliaj në Gjirokastër dhe shpalljen e pavlefshmërisë të zgjedhjeve në qendrën e votimit 4351 të kësaj njësie vendore.
Kolegji zbardh sot vendimin
Kolegji Zgjedhor pritet të zbardhë sot vendimin e dhënë mesnatën e ditës së hënë, ku kërkoi hapjen e 368 kutive të pahapura në Tiranë. Ky vendim do të përmbajë edhe detajet e procedurës për hapjen e tyre. “KQZ të hapë, të rinumërojë dhe të rivlerësojë votat e kontestuara në kutitë e pahapura të materialeve zgjedhore për Bashkinë Tiranë në 368 qendrat e votimit, për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Këshillin e Bashkisë së Tiranës, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake, për votat që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës qendër votimi dhe, në bazë të tyre, të shpallë tabelat përmbledhëse të rezultateve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës”, u shpreh relatorja e çështjes, gjyqtarja Dhurata Haveri.
KQZ ndan sot mandatet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të procedojë ditën e sotme me ndarjen e mandateve për këshillat bashkiakë dhe komunalë për mjaft njësi vendore. Kështu pritet të ndahen mandatet për disa njësi vendore në qarkun e Gjirokastrës, Dibrës etj. Deri tani, KQZ ka ndarë mandatet në pothuaj gjysmat e 400 njësive vendore në mbarë vendin. KQZ bën ndarjen përpjesëtimore të mandateve dhe miraton me një shumicë të paktën 5 me 2 ndarjen e këtyre mandateve. Duket se ndarja e mandateve për në Tiranë do të lihet në ditët e fundit, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, por që ende presin të ndahen mandatet në mjaft zona të tjera.
Kolegji pushon përsëritjen në Tiranë
Kolegji Zgjedhor rrëzoi dje kërkesën e Partisë Bashkimi i Pensionistëve të Shqipërisë për përsëritjen e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës. Kjo seancë, e cila u zhvillua vetëm në një orë, vendosi që në Tiranë nuk mund të përsëriten zgjedhjet në garën për kryeqytetin. Në fillim të seancës, avokatja e kësaj partie kërkoi respektimin e kërkesës së saj për ndërrimin e katër prej gjyqtarëve, por kjo kërkesë u rrëzua poshtë prej trupit gjykues. Atëherë, në këto kushte, tha avokatja Blerta Kaja, u tërhoq nga padia e saj, duke mos pranuar gjykimin. Për pak minuta, pas një mbledhjeje me dyer të mbyllura, Kolegji pranoi këtë kërkesë, duke rrëzuar pretendimin që zgjedhjet të mund të përsëriten. Po dje, Kolegji Zgjedhor rrëzoi edhe kërkesën e Partisë Socialiste për përsëritjen e zgjedhjeve në komunën Shushicë të Vlorës, ku ka fituar kandidati i koalicionit të djathtë.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











