Rishikim teksteve shkollore që fyejnë shqiptarët

Jun 23, 2011 | 19:57

SHKUP- Shqiptarët në Maqedoni kërkojnë rishikimin e teksteve shkollore, te cilat perpos gabime te shumta teknike, permbajne dhe fyerje per kombin shqiptar, etiketuar si popull i egër, i zbritur nga malet.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve shqiptarë në Maqedoni, Nuhi Dardhishta, deklaron se eshte i rendesishem rishikimi i të gjitha teksteve shkollore të arsimit fillor dhe  të mesëm brenda një viti.

“Këtë vit është aprovuar rishikimi i teksteve të reja për klasën e gjashtë të arsimit fillor. Mbetet që vit pas viti tekstet të përmirësohen. Por ne kërkojmë që brenda një viti të rishikohen,  të ndryshohen të gjitha tekstet shkollore, që fëmijët e të gjitha gjeneratave, jo vetëm klasat e gjashta, të pajisen me librat e ri. Të gjithë duhet të kenë libra pa gabime dhe me të vërteta për të gjitha lëndët mësimore” thekson Dardhishta.

Ministri i arsimit dhe shkencës, Nikolla Todorov thotë se kjo eshte nje çështje e vështirë dhe për eliminimin e mangësive dhe janë angazhuar ekspertët më te mire të arsimit.

Në librin e Shoqërisë së klasës së pestë ishte vendosur një fotografi që përfaqësonte profetin Muhamed, që është jashtë rregullave islame.

Në po këtë libër, theksohet se Maqedonia kufizohet vetëm me Serbinë, por jo edhe Kosovën, si dhe një varg gabimesh tjera. Ndërkohë, libri i Gjeografisë, i cili përdoret nga nxënësit shqiptarë të vitit dytë në shkollat e mesme, i cili nuk është paraparë të rishikohet, thuhet se “vendosja e shqiptarëve në Maqedoni ka filluar para 220 vjetëve, nga Shqipëria dhe Kosova, dhe kjo shpërngulje ende vazhdon dhe paraqet rrezik për Maqedoninë”. Ky libër, gjithashtu i mëson nxënësit se fiset shqiptare kanë prejardhje maqedonase, turke apo edhe rome. (INA)

 

© Panorama.al

Te lidhura