
Franc Veliu ka rinovuar kontratën me Flamurtarin pas rikthimit nga pushimet verore. Akordi u arrit paraditen e së dielës me drejtuesit e klubit vlonjat. Nga sa mësohet, Veliu ka nënshkruar me Flamurtarin një kontratë 1-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 60 mijë euro. Burime nga klubi bëjnë me dije se është gjetur menjëherë gjuha e përbashkët mes lojtarit dhe drejtuesve edhe për sa i përket anës financiare të kontratës. Vetë Veliu ka pasur disa kontakte serioze me disa skuadra jashtë vendit, por më konkrete janë ato me Luganon në Zvicër dhe Panthrakikos në Greqi. Mirëpo as këtë herë presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, nuk e ka lënë beniaminin e tij që të largohet, por i ka dhënë atij disa ditë pushime me qëllim që të reflektonte dhe të mendohej më mirë. Pas rikthimit nga pushimet, pa një pa dy, mbrojtësi Veliu është ulur në tavolinë me presidentin Gjika dhe drejtues të tjerë të klubit dhe me bindje ka hedhur firmën në kontratë. Për një vit tjetër ai do të jetë pjesë e Flamurtarit dhe më pas mund t’i ketë të hapura dyert për t’u transferuar edhe jashtë vendit, pasi ai cilësohet si një lojtar me mjaft eksperiencë. Veliu në një deklarim për “Panorama Sport” është shprehur i kënaqur që do të jetë sërish të paktën edhe për një sezon në Vlorë. “Jam mjaft i lumtur që do të jem përsëri pjesë e Flamurtarit. Qëndrova këtu për të fituar titullin. Unë për Flamurtarin tim u thashë jo edhe disa ofertave që kisha nga jashtë vendit, të cilat i konsideroj si oferta serioze. Kam pasur oferta edhe nga klube shqiptare, por para Flamurtarit nuk mund të firmosja me to”.











