Tiago Silva qëndron te Milani, Zlatan Ibrahimoviç bën gati valixhet. Mbrojtësi brazilian ka rinovuar kontratën deri në vitin 2017, duke braktisur kështu përfundimisht idenë e transferimit të tij te PSG-ja. Nga kontrata e re me kuqezinjtë, mbrojtësi brazilian do të përfitojë 6 milionë euro në sezon, plus bonuse. Tiago Silva shndërrohet kështu në futbollistin e dytë më të paguar te Milani pas Ibrahimoviçit. Ndërkaq e ardhmja e suedezit është shndërruar në një udhëtim odise. Në fillim deklaronte dashurinë e tij për ngjyrat kuqezi, më pas shprehej i gatshëm për t’u larguar nga Milani me valixhe në dorë. Ka qenë sërish menaxheri i tij, Mino Raiola, që përballë mikrofonave të “Sky Sport” u ka rënë sirenave të alarmit: “Qëndrimi i Ibrahimoviçit te Milani nuk është i sigurt. Ka shumë shanse që ai të largohet nga Milani. Tani gjithçka varet nga klubi…”.











