Rinisin gjobat, cigare në lokale deri më 1 shtator

Aug 21, 2012 | 14:32

Task-Forca për zbatimin e ligjit antiduhan nis aksionet më 1 shtator. Prej kësaj date, të gjithë pronarët e bareve, restoranteve dhe drejtuesit e institucioneve publike duhet të bëjnë kujdes. Grupi i inspektorëve do të ushtrojë kontrolle në të gjithë vendin. Për shkelësit e ligjit do të aplikohet gjoba prej 50-mijë lekësh, e cila në rast se nuk paguhet, do të vilet nga përmbarimi. Që prej vitit 2006 riaktivizimi i herëpashershëm i kontrolleve për ligjin antiduhan ka qenë refren i përsëritur. Efektin e ka pasur vetëm për disa javë, ndërkohë që situata ka mbetur e njëjtë. Në Shqipëri pihet duhan kudo. Është një nga ligjet me impakt social madhor në popullatë, por që ka dështuar sapo ka hyrë në fuqi. Pavarësisht tentativave të herëpashershme të autoriteteve shëndetësore dhe institucioneve të tjera, me të cilat ato bashkëpunojnë, vënia në binarë e duhanpirjes masive ka qenë e pamundur. Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, riaktivizoi menjëherë pas marrjes së postit Task-Forcën duke paralajmëruar se nuk do të lejohet më moszbatimi i ligjit. Lidhur me aktivitetin e Task-Forcës, kreu i Shëndetësisë shqiptare siguroi se puna e gjithsecilit anëtar të saj do të matet me rezultate konkrete dhe, në rast të konstatimit të moszbatimit të detyrave nga inspektorët, do të merren masa disiplinore. Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të duhanprijes në të gjithë Europën. Rreth 40% e popullsisë e konsumon rregullisht.

© Panorama.al

Te lidhura