
Pas rreth katër vitesh nga zbulimi i mozaikut paleokristian në qendër të qytetit të Elbasanit, shumë pranë Portës së Kalasë, arkeologët e Institutit Arkeologjik kanë nisur punën për pastrimin dhe gërmimin e mozaikut. Arkeologu Elio Hobdari, i cili po drejton punimet për pastrimin dhe vijimin e zbulimit të mozaikut, thotë se “punimet kanë nisur me një pastrim intensiv, pasi bazilika thuajse ishte braktisur fare nga institucionet përgjegjëse. Edhe pse nuk është detyrë e jona, ne kemi nisur punën për pastrimin e ambientit rreth mozaikut dhe afreskut zbuluar katër vjet më parë”, thotë arkeologu. Sipas tij, “tashmë kemi nisur gërmimin, por politika jonë ka qenë që të gërmojmë ngadalë dhe ta mbajmë kantierin hapur sa më shumë kohë që të jetë e mundur, pasi në momentin që puna mbaron, atëherë objekti kthehet në vendgrumbullim plehrash dhe monumenti rrezikon identitetin e tij”. Fatmirësisht, që nga viti 2007, kur edhe nisën gërmimet, mozaiku nuk ka pasur dëmtime. Arkeologët do të gërmojnë gjatë muajve gusht dhe shtator, ndërsa mësohet se rezultatet janë premtuese. Kohë më parë arkeologët kanë zbuluar një tjetër mozaik në një vend që, sipas tyre, nuk e prisnin. Mësohet se piktura murale me një gjatësi prej katër metrash, zbuluar në vitin 2007, nuk do të lëvizë deri në momentin kur mozaiku të mbulohet me xham dhe do të ruhet në Muzeun Arkeologjik të Tiranës, pasi është shumë e vështirë që ta kalojë këtë dimër. Katër vjet më parë, në qendër të qytetit, fare rastësisht do të zbuloheshin themelet e një mozaiku të lashtë. Specialistë të arkeologjisë do ta vlerësonin si një ndër zbulimet më me vlerë, ndërsa kreu i Bashkisë do të ndihmonte me fonde jo të pakta për gërmimin dhe nxjerrjen në pah të pasurive të tij, mbuluar prej shekujsh. Gjatë gërmimeve të para, një grup arkeologësh zbuluan dy varre në thellësinë mbi tre metra, të cilat i përkasin shekullit V. Kjo bazilikë, sipas arkeologëve, është e ngjashme me katedralen e zbuluar para disa vitesh në Mallakastër. Nga studimet paraprake tregon se bazilika ka përmasa të mëdha dhe aktualisht është zbuluar një pjesë e Naosit dhe e Nefit Jugor. Muri që kufizon Nefin Jugor është i zbukuruar me afresk, i cili ruhet mirë. Mbi dyshemenë e bazilikës janë gjetur fragmente të një amfore nga Gaza e Palestinës, e cila tregon që bazilika paleokristiane është shkatërruar përfundimisht në fundin e shek. VI, ose në fillimin e shek. VII e.j. Punimet kanë rinisur falë edhe të një fondi prej 550 mijë euro, si një bashkëpunim midis Bashkisë së Elbasanit, drejtorit të Muzeut Etnografik, Institutit të Arkeologjisë në Tiranë. I gjendur në mes monumentit të Aqif Pashë Elbasanit dhe Rrapit të Bezistanit, mozaiku i ngjan një grope të madhe që mbushet me ujë e baltë sa herë që bie shi, apo shërben si një kosh i madh plehrash në mes të qytetit.











